Të dielen e dytë të Nëntorit, 13 nëntor 2022, Dita Botërore e të Varfërve u kremtua edhe në Dioqezën e Sapës. Nisur dhe nga tema e caktuar nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, “Jezu Krishti u bë i varfër për ju, nën organizimin e Caritasit Dioqezan, kjo ditë iu përkushtua të varfërve për të cilët Dioqeza dhe Caritasi kanë synimin për t’i vënë në qendër të vëmendjes së tyre duke i ndihmuar dhe lehtësuar sadopak vështirësitë e jetës.
Dita Botërore e të varfërve u kremtua fillimisht me Meshën Shenjtë udhëhequr nga Imzot Simon Kulli, në Katedralen Shën Nënë Tereza, i cili theksoi se të gjithë ne duhet të kujdesemi për të varfërit ndër të varfër. Siç ka thënë edhe vetë Nënë Tereza, nëna e të varfërve, Kujdesi i treguar dhe puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehja e dashurisë sonë ndaj Zotit. Këtë dashuri ndaj Zotit duhet ta ruajmë gjithnjë ndërsa të tjerët janë mjet për ta shprehur dhe dëshmuar këtë dashuri…”.
Me pjesëmarrjen e 160 personave të kësaj shtrese Caritas Sapa shtroi drekën me familjet në nevojë, në praninë e Imzot Simon Kulli, klerit, punonjës dhe vullnetarë të Caritasit Dioqezan Sapa dhe besimtarë që asistuan në ndihmë të kësaj dreke festive ku të gjithë ndjehen të njejtë dhe të barabartë.
E veçanta e kësaj dite ishte se Imzot Simoni së bashku dhe meshtarët e motrat shërbyen drekën për këto persona të çmuar në sytë e Zotit dhe të Kishës.
Violeta Marashi