Ndërsa kemi filluar kohën e Shenjtë të Ardhjes, me 1 dhjetor 2022, pranë Caritas dioqezan Sapa u mbajt panairi i punimeve të punuar nga duart e personave me aftësi ndryshe. Ky panair u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Caritasit Dioqezan Sapa.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm vetë akotrët e këtij panairi, stafi i Caritasit meshtarë e motra, kryetari Bashkëisë Vau Dejës z. Mark Babani si dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Ky aktivitet i përvitshëm ngjalli interes të madh, përmes së cilës promovohen vlerat shpirtërore dhe sociale të këtyre personave, një mënyrë kjo që mos të jenë të dinstancuar nga shoqëria dhe komuniteti ku ato jetojnë.
Gjatë ceremonisë së hapjes së panairit, në fillim iu uroj mirëseardhjen Drejtori i Caritasit, z. Nikolin Lekaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe gjithë njerëzit vullnetmirë që tregojnë kujdesin dhe dashurinë humane për personat me aftësi ndryshe. Në mënyrë të veçantë ai falenderoi bariun e kësaj dioqeze, i cili me mbështetjen e tij personale dhe institucionale është shtylla kryesore ku personat me nevoja të veçanta ndjehen të vlerësuar e të realizuar në vetvete duke i mbajtur afër, e duke mos i mënjanuar në asnjë mënyrë.
Ndërsa Ipeshkvi, Imzot Simoni, “vlerësoi shumë punën dhe misionin bamirës që Caritasi bashkë me ndihmën e vullnetarëve të tij, ndërmerr në iniciativat e tij institucionale, ku duart e këtyre personave bashkohen me duart tona tha ai, duke realizuar këto vepra edhe pse të vogla por janë të mrekullueshme dhe me dashuri të madhe. Tashmë së bashku jemi një familje e madhe tha ai dhe së bashku ju japim mbështetje dhe krahë për të ecur përpara në jetë edhe pse ndodhen në kushte të tilla fizike”.
Një vlerësim të madhe dhe mirënjohës shprehi edhe kryetari i Bashkisë Vau Dejës, z. Mark Babani, i cili vlerësoi punën e Dioqezës së Sapës që gjithmonë gjendet pranë shtresave me nevoja të veçanta, ndërsa ofroi edhe bashkëpunimin ndërinstitucional për këtë kategori, ku edhe bashkia po tregon vëmendje dhe kujdes për këto persona.
Në panair u shfaqen punime të ndryshme si piktura nga më të ndryshmet, betleme dhe punime të tjera në tjegull dhe me qira. Panairi do të qëndrojë i hapur për pak ditë dhe pritet të vizitohet nga shumë persona të cilët shohin nga afër punën e demonstruar, të konkretizuar e të përqafuar me dashuri nga personat me aftësi ndryshe.
Violeta Marashi