Ndërsa jemi në muajin dhjetor, e diela e tretë e kohës së Ardhjes i kushtohet edhe ditës së Karitasit, ditës së bamirësisë. Në të gjitha famullitë e Dioqezës së Sapës, u kremtua kjo ditë përmes meshës së shenjtë, por edhe sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të vetë besimtarëve duke dhënë nga mirësia e jonë dhe duke hapur zemrat tona për nevojtarin.

Në Katedralen Shën Nënë Tereza, u kremtua dita e Karitasit, dhe mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, i cili në homelinë e kësaj dite foli mbi bamirësinë, ku secili prej nesh duhet të ketë ndjenjën e humanizmit dhe të dhurimit për të varfërin.

Ditës së Karitasit i parapriu edhe panairi i punimeve të punuar nga duart e Personave me Aftësi Ndryshe si dhe thirrja për animacion të bamirësisë në të gjitha famullitë e dioqezës nëpërmjet një zarfi të titulluar “Lëmosha ime”, ku secila familje e këtij territori mund të dhurojë diçka për të varfërin. E falë këtij sensibilizimi të gjithë i janë përgjigjur kësaj nevoje për të kontribuar sadopak.

Gjithashtu në kuadër të ditës së Karitasit por edhe të festës së Madhe të Krishtlindjes nën kujdesin e Karitas Dioqezan Sapa dhe Drejtorit z. Nikolin Lekaj, në Vigjiljen e ditës së Karitasit, 10 dhjetor, po në Katedralen u mbajt Koncerti Tradicional i Krishtlindjes, ofruar për mbarë besimtarët e Dioqezës së Sapës. Ky koncert u ndoq nga një numër i madh pjesëmarrësish, të cilët mbushën Katedralen. Nuk munguan edhe autoritete të pushtetit lokal si z. Mark Babani, Kryetar i Bashkisë Vau Dejës dhe autorietet të tjera civile të vendit.

Në këtë koncert që shënon  dhe hyrjen në atmosferën festive performuan artistë shqiptarë të muzikës, kulturës dhe artit, siç ishin kori dioqezan i Sapës me drejtues Fra Giuseppe Lanzelloti, kori “Vox Iuvenum” nën drejtimin e z. Harlen Nikolli; Ansambli i Harqeve “Muzica Nova” nga Tirana, z. Paulin Ujka nga Shkodra dhe artisti i vogël Nikollë Prendi nga Lezha.

Gjatë koncertit nuk mungoi përshëndetja e bariut të Sapës, Imzot Simon Kullit, i cili pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, mes të tjerash tha se, fëmija i grazhdit të Betlemit i kujton se njeriu ka një mision të madh: ti sjellë botës kumtimin e Zotit mes nesh, ti sjellë botës një mesazh shprese dhe paqeje! Edhe pse sot po jemi të tunduar që ta braktisim këtë vend të mrekullueshëm, Krishti vjen dhe lind në mesin tonë për të na dhënë kurajo dhe shpresë se edhe këtu  në vendin e shqiponjave do të lulëzojë gjithçka, se si Shqipnia vend nuk ka.  Dhe në atmosferën e gëzimit që na u dhurua nëpërmjet këtij koncerti, Imzot Simoni përcolli urimet e Krishtlindjes: “ Le të ngrohet zemra me dashuri dhe shpirti me ëndrra; Në këtë Krishtlindje ku presim të takojmë Foshnjën Hyjnore, uroj ta takoni këtë festë e ta nderoni Krishtin Jezus, në një atmosferë të ngrohtë familjare për secilin prej jush”!

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here