Ndërsa jemi në prag të festës së madhe të Krishtlindjes, Caritas Sapa organizoi takimin tradicional me Personat me Aftësi Ndryshe, duke i parapri kështu kësaj feste dhe duke bashkëndarë me këto persona momente gëzimi dhe hareje dedikuar pikërisht atyre.
Dita nisi me bashkimin në tryezën eukaristike, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” ku u kremtua Mesha e Shenjtë nga famullitari dom Kastriot Gjoka në bashkëkremtim me Vikarin Gjeneral dom Robert Kola dhe meshtarë të tjerë. Mes të tjerave dom Kastrioti çmoi shumë këtë aktivitet që Caritasi zhvillon për të kënaqur sadopak zemrat e personave me Aftësi Ndryshe, të cilët duhet ti kemi në vëmendje të gjithë ne së bashku për t’iu dhënë dorën e dashurisë së Zotit dhe të përkujdesjes së përditshme. Gjithashtu edhe drejtori, Nikolin Lekaj tha se është ditë e veçantë për ne që gjithmonë mundohemi t’iu gjendemi afër këtyre personave duke organizuar herë pas herë takime dhe evente të ndryshme, në mënyrë që edhe këto të ndjehen të barabartë sikur të gjithë të tjerët.
Ishin të shumtë personat që morën pjesë në këtë takim festiv, të shoqëruar edhe nga famullitarët dhe motrat përgjegjëse së bashku dhe me familjarët e tyre. E menjëherë pas meshës, u mbajt edhe festa me babagjyshin e vitit të ri dhe dreka vëllazërore që Caritasi shtroi për këto persona shoqëruar me muzikë live nga këngëtari i qytetit, Ivan Tanushi ndërkohë që nuk munguan edhe dhuratat e përgatitur enkas, nga Caritasi së bashku me vullnetarët. Me urimet e përzemërta që të gëzojnë secili Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në sofrën e tyre familjare duke u mbushur me dritën dhe frymën e Foshnjes Hyjnore, u mbyll edhe ky takim festiv dedikuar enkas Personave me Aftësi Ndryshe.
Violeta Marashi