Mesazhi i Bariut të Dioqezës së Sapës për Krishtlindje 2022
Shumë të dashur Meshtarë, rregulltarë, rregulltare,
besimtarë të dioqezës së Sapës dhe të gjithë diasporës kudo që ndodheni nëpër botë.
Përballë këtij misteri, më lejoni që në këtë Krishtlindje, në mënyrë të veçantë të vendosem edhe unë për të medituar Foshnjën Hyjnore krah për krah me të sëmurët, të varfrit si dhe të gjithë bijtë dhe familjet shqiptare në emigracion që vështirësitë e ndryshme jetësore i kanë ndarë prej familjeve dhe të afërmve që po vazhdon edhe në ditët e sotme. “Edhè hâna do t’a dije, edhè dielli do t’két pá, se per qark ksaj rrokullije, si Shqypnija ‘i vend nuk ká” – thoshte At Gjergj Fishta.
Të gjithë ne të dashur vëllezer e motra mund t’i ofrojmë kësaj Foshnje varfërinë e ikjes së njerëzve nga ky vend i mrekullueshëm që na karakterizon në këtë Krishtlindje. Po ashtu, në të njëjtën kohë secili nga ne është i ftuar t’ia hapim zemrën Jezusit fëmijë, të mbështjellë me shpërgënj, sepse falë soditjes së Tij ne na ofrohet mundësia ta shohim realitetin me një sy tjetër, duke e shijuar fuqinë e brendshme të dashurisë së Zotit, dashuri e cila e shndërron hidhërimin në gëzim, urrejtjen në dashuri dhe dobësinë në fuqi. Jezusi, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet shok udhe i çdokujt që vuan në mjerimin dhe skamjen e varfërisë apo vështirësive sociale.
Në Krishtlindje kumtohet kjo grishje: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi-ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2.15), që të përkulemi në adhurim para Foshnjës Hyjnore dhe duke pranuar me zemër bujare gjithçka Ai na flet.
Të gjithë ne duhet të mësojmë t’i ndjekim barinjtë në ecjen e tyre: “E gjeten Marinë, Jozefin dhe Foshnjën të vënë në grazhd” (Lk 2.16). Pikërisht aty të dashur miq, në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli dhe toka. Aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat, aty përjetohet gëzimi, lind kënga e jetës sonë: Krishti dje, sot dhe përgjithmonë.
Të dashur vëllezër e motra, angazhimi ynë që buron në këtë Krishtlindje është ai i kapërcimit të paragjykimeve, rrëzimi i mureve që ndajnë, apo shkaktojnë dhunë dhe luftë ndërmjet personave dhe popujve. Duhet të angazhohemi për të ndërtuar së bashku një botë tw re drejtësie dhe paqeje. Ky angazhim kuptohet dhe ndërmerret vetëm falë soditjes së Jezusit Fëmijë. Vetëm në Hyjin që bëhet njeri për ne, e ndiejmë veten të dashur dhe të pranuar duke zbuluar se jemi të çmuar, bij e bija të Hyjit, vëllezër dhe motra mes nesh. “Vërtet, Hyji aq fort e deshi boten sa që e dha një të vetmin Birin e vet” (Gjn 3.16)
Në atmosferën e gëzimit të madhështisë së kësaj feste Ju uroj Për shumë Mot Krishtlindjen! Le të ngrohet zemra me dashuri, dhe shpirti me ëndrra; Në këtë Krishtlindje ku presim të takojmë Jezusin fëmijë uroj ta kaloni këtë festë në një atmosferë të ngrohtë familjare për secilin prej jush!
Për shumë Mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2023!
Bariu Juaj,
+ Imzot Simon Kulli 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here