Martirët e lumtur të Shqipërisë u përkujtuan edhe në Dioqezën e Sapës, ku tashmë është kthyer në traditë Ecja në Gjurmët e Martirëve, që për të pestin vit organizohet në familjen dioqezane të Sapës.
Këtij kremtimi i parapriu lutja e nëntëditëshit kushtuar martirëve për ta përmbyllur drejt Kishës së Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, drejt kësaj kishe në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vinçenc Prendushit, Dom Luigj Prendushit dhe Dom Ndoc Sumës. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë.
Nga të katër anët e kësaj kishe turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse ecnin në këmbë, madje dhe këmbëzbathur për t’u bashkuar në kremtimin e Meshës Shenjte të orës 15.00.
Pjesë e shtegtimi ishte edhe vetë Shkëlqesia e Tij, Imzot Simon Kulli, ku me shumë devocion shtegtoi me besimtarët e tij duke ecur dy orë në këmbë për të nderuar dhe përkujtuar figurën e Martirëve të Lumë, që me gjakun e tyre mbrojtën fenë e Krishtit. Kjo ecje ndërsa shoqërohej me lutje dhe uratë nga besimtarët, kërkonin edhe ndërmjetësimin e tyre për hire dhe bekime në jetën e secilit.
Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni kujtoi se “jemi bashkuar në këtë kishë të Martirëve Shqiptarë, ku është me rëndësi të njohim figurën e tyre, të cilët me gjithë vuajtjet e kohës, ato nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të fortë e të patrembur në fenë e Krishtit Zot. I tillë ishte dhe modeli i martirit të Lumit Dom Luigj Prendushi, famullitar në Naraç, një meshtar i përvuajtur dhe i thjeshtë, që pësoi sfida të shumta të jetës, por bindja e tij e vetme ishte feja dhe asgjë tjetër, duke mos pasur frikë edhe kur i erdhi çasti që të pushkatohej në moshën 50 vjeç. Dhe si martir i vërtetë dom Luigj Prendushi aktualizoi fitoren e dashurisë mbi urrejtjen dhe mbi vetë vdekjen” – tha Imzot Simoni.
E veçanta e këtij kremtimi ishte edhe momenti i ofertores, ku u soll Kelshenjti me të cilën kremtoi Meshën e tij të parë Martiri i fesë, i Lumi Dom Ndoc Suma. Ky Kelshenjt u ruajt me shumë kujdes, guxim dhe fshehtësi të plotë gjatë viteve të diktaturës nga mbesa e tij Motër Maria Kaleta në Pistull. Po pjesë e ofertores ishte edhe një punuese ostesh, ku Dom Nikoll Shelqeti, prifti i Blinishtit përgatiste Ostet shenjte në qelën e tij në Piraj.
Qe, ky është shembulli i Martirëve dhe këto janë dëshmitë e tyre të çmueshme dhe bashkë me gjakun e tyre kanë bërë që të lulëzojë fara e të krishterëve të rinjë.
Violeta Marashi