Ndërsa jemi ende në Kohën e Shenjtë të Pashkëve, këto ditë, Bashkësia e Etërve Kapuçinë të Puglies dhe Shqipërisë gëzuan në Shugurimin Meshtarak të fratit të kësaj bashkësie Fra Giuseppe Lanzelloti, me vendosjen e duarve të Shkëlqesisë së Tij, Mons. Francesco Neri, Arqipeshkëv i arkidioqezës Otranto të Italisë.
Ceremonia e Shugurimit u organizua në famullinë e lindjes së fra Giuseppes në Giovinazzo në Bari të Italisë, në praninë e shumë meshtarëve italianë, familjarëve të tij, besimtarëve vendas dhe një grup besimtarësh rreth 45 persona nga famullia Nënshat Hajmel, ku prej vitesh shërben fra Giuseppe.
Ishte kënaqësi e veçantë për këtë moment të rëndësishëm të jetës së fra Giuseppes edhe prania e Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili e shoqëroi me lutje dhe me praninë e tij fizike, duke treguar afërsinë e një ati për birin e vet.
Në predikimin e rastit, Ipeshkvi shugurues, Mons. Francesco Neri përveç falenderimit ndaj Zotit për thirrjen e dhuratës së meshtarisë së Fra Giuseppes, mes të tjerash theksoi bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror që Etërit Kapuçinë kanë me misionin e tyre prej 30 vitesh në Shqipëri, kryesisht në Dioqezën e Sapës. Edhe
Menjëherë pas predikimit, vazhduan ritet e Shugurimit Meshtarak, duke bërë që fra Giuseppe ta ushtrojë shërbesën e meshtarisë me përvujtëri dhe dashuri në shërbim të popullit të Hyjit. Tashmë fra Giuseppe i ngjeshet fort familjes së Zotit dhe familjes rregulltarë të Etërve Kapuçinë e do të jetë më afër Krishtit dhe do t’i shërbejë Zotit e Kishës.
Në mbyllje të shërbesës Eukaristike Provinciali fra Gianpaolo falënderoi fra Giuseppen për thirrjen e tij meshtarake në familjen rregulltare të Kapuçinëve, Mons. Nerin dhe Ipeshkvin e Sapës, për bashkëpunimin dhe misionin e frytshëm shumë vjeçar mes dy kishave si motra.
Me vendosjen e duarve të Ipeshkvit dhe me lutjen e Shugurimit, fra Giuseppe tashmë kurorëzoi thirrjen e tij në Urdhërin e Meshtarisë. Në fund të kremtimit edhe Mons. Simoni shprehi mirënjohjen ndaj Zotit për thirrjen e fra Giuseppes të cilën e zbuloi në Dioqezën e Sapës.
Kush është Fra Giuseppe Lanzelloti ?
Fra Giuseppe Lanzellotti kam lindur në Terlizzi (Ba) më 01 korrik 1982. Vitet e para të shkollës i frekuentoi në Giovinazzo, ndërkohë ka marrë pjesë gjithmonë në famullinë e tij, duke u bërë gati për sakramente fillestare. Studimet e shkolles së mesme i ka kryer në Molfetta. Që herët u aktivizua në famulli në katekezë dhe në Komisionin Dioqezan të Rinisë.
Jeta e tij shoqerore sillej rreth famullisë; Sa më shumë rritej aq më shumë shtohej tek ai dëshira të njihte Jezusin në një raport më personal me Të. Një vend shpirteror i zemrës për të ka qenë, kisha e Fretërve Kapuçinë, larg vetem 500 m nga shtepia e tij. Me etërit Kapuçinë dhe me motër Gjovanen ka shqyrtuar thirrjen e tij. Brenda tij rritej dita-ditës etja për Zotin. Çdo mbrëmje qëndronte kohë para të Shenjtërueshmit Sakrament, në heshtje duke u lutur; Ndërkohë që ishte student në Politeknikun e Barit ku studioi për “inxhinieri menaxhimi” luftonte me veten se cila ishte rruga e tij e lumturisë? Dhe në vitin 2005 vendosi të bëhej pjesë e Etërve Kapuçinë duke i ofruar Zotit jetën e tij.
Në shtator 2005, pas disa muaj si kandidat, shkoi në Postulandat në Giffoni Valle Piana (SA) dhe më 17 shtator 2006 ka veshur zhgunin e sh. Françeskut duke filluar noviciatin në Morano Calabro (CO). Më 17 shtator 2007, shpalli kushtet e para. Pas noviciatit filloi studimet filozofike dhe françeskane në Campobasso ku ka jetuar për tre vite, ndërsa përgatitej për profesionin e tij solemn që bëri në famulli në Giovinazzo më 12 tetor 2010. Jetoi në kuvendin Kapuçin në Campi Salentina (LE) ku është marrë me katekeza të ndryshme, me grupin rinor dhe me muzikën liturgjike që ka qenë gjithmonë një pasion për tw. Më 8 shtator 2015, filloi zyrtarisht përvojën misionare në Kuvendin e Taraboshit në Dioqezen e Shkodrës. Në këto vite në mision ka kryer edhe një Master tre vjeçar në “Pastoral Counselling” në Romë për të forcuar formimin e tij në punën baritore. Në shtator 2017 erdhi në Dioqezen e Sapes në Kuvendin e Nënshatit ku bashkëpunon në punën baritore, duke u emëruar përgjegjës për të rinjtë e Dioqezes dhe pjestarë i Komisionit Kombëtar të Muzikes Liturgjike.
Me ushtrimet shpirterore të vitit 2022 fra Giuseppe filloi një shqyrtim tjetër mbi jetën meshatrake, duke vendosur që të shugurohet meshtar. Me 19 mars të vitit 2023 shugurohet Diakon në Dioqezën e Sapës nga Mons. Simon Kulli. Periudhën e Diakonatit, fra Giuseppe e zhvilloi në famullinë Nënshat-Hajmel. Gjatë kësaj periudhe fra Giuseppe ka ushtruar më së shumti predikimin e fjalës së Zotit çdo të diele, si dhe sakramentet, si pagëzim dhe salikime duke shoqëruar njerëzit në momente të lumtura dhe të vështira të jetës së tyre. Përveç kësaj, dhe punwn baritore me komisionet, të gjithë këto angazhime e kanë bërë fra Giuesppen që të thellohet gjithnjë e më shumë në thirrjen e tij drejt meshtarisë. Falë Zotit kjo thirrje u finalizua me shugurimin Meshtarak, duke i thënë “PO” përgjithmonë Zotit.
Violeta Marashi