Kremtimi i Ditës së XXVII Botërore të të Sëmurëve
Në ditën Botërore të të Sëmurëve, 11 shkurt 2019, edhe familja dioqezane e Sapës, së bashku me të sëmurët e dioqezës tonë, është bashkuar në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës”, në Vau –Dejës, të cilën Ati i Shenjtë e ka marrë edhe si model për këtë ditë që i kushtohet Zojës së Lurdit. Së bashku me këta persona u bashkuan edhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh, që shtegtuan drejt Katedrales për t’iu bashkuar këtij kremtimi të shenjtë. Meshën solemne e udhëhoqi Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me bashkëvëllezërit meshtarë të dioqezës. Prania e personave me Aftësi Ndryshe, i dha kuptimin e plotë këtij kremtimi, që posacërisht në këtë ditë kisha iu kushton një kujdes të veçantë këtyre personave që vuajnë në vuajtjet e trupit dhe me dashuri trajtohen nga të gjithë të tjerët që i rrethojnë.
Gjatë homelisë së tij, Imzot Simoni, u ndal në rëndësinë e kësaj dite, ku theksoi se: Në festën e Zojës së Lurdit, nëpërmjet saj duhet të afrohemi sa më afër Krishtit gjatë kësaj meshe, e në veçanti gjatë bartjes së vuajtjeve dhe dhimbjeve tona në trup, me sëmundjet që i kemi çdo ditë. Le të jetë Maria ajo që na i lehtëson dhimbjet dhe na merr për dore. Aty ku nderohet dhe lutet Virgjëra Mari, në shenjtëroret e saja në mbarë botën, përjetohet pajtimi me Zotin dhe kremtohet Eukaristia, që d.m.th. përjetohet takimi me Krishtin Zot. Gjithashtu, ipeshkvi tha se Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën Botërore të të sëmurëve thekson: “Falas keni marrë, falas jepni”. Kjo shprehje e Shën Mateut ungjilltar është pjesë e mësimeve, që Jezu Krishti u jep dishepujve të vet. Nënë Tereza Shenjtëresha e jonë Shqiptare është dëshmi e jashtëzakonshme e kësaj dashurie falas. Ndaj dhe Ati i Shenjtë e ka marrë si model Shën Nënë Terezen. Në përfundim të fjalës së tij, Imzot Simoni ftoi të gjithë besimtarët, që të besojmë në frytet e lutjes së thjeshtë, e cila arrihet përmes lutjes tonë duke ia hapur zemrën Hyjit dhe Ai bën mrekulli në jetën e secilit prej nesh.
E kremtja e Zojës së Lurdit u përmbyll me procesion tradicional me Truporen e Zojës rreth shenjtërores së vendosur në oborrin e Shtëpisë së Bamirësisë.
Më pas, sipas traditës, Caritas Sapa në bashkëpunim me stafin dhe vullnetarët shtroi drekën vëllazërore me të sëmurët, ku së bashku kaluan momente feste, gëzimi e argëtimi me njëri-tjetrin.
Violeta Marashi