Iballa është një famulli shumë e vjetër në zonën e Pukës. I takon Ipeshkvisë së Sapës, e cila në vitin 1893 ia besoi Provincës Françeskane Shqiptare katër famulli të veta: Iballen, Berishën, Fierzën dhe Dardhën. Atë vendim e miratoi edhe Koncili III i Arbërit, në vitin 1895. Famullitari i parë ishte pader Zef Mesi nga Blinishti (1893-1907). Ai menjëherë e ndërtoi kishën e re dhe qelën në lagjen Koprat. Në vitin 1903 pader Zef Mesi hapi edhe shkollën shqipe në Iballe.
Deri te mbyllja e kishave nga regjimi komunist (në vitin 1967) në Iballe kanë shërbyer 17 meshtarë. Ndër ta ishte edhe njëri prej martirëve shqiptarë, i lumi pader Mati Prendushi (1927-1929). Më së shumti atje kanë shërbyer: pader Nikollë Kola (1932-1944), pader Leonard Shajaku (1944-1956) dhe pader Dioniz Maka (1956-1967). Pas mbylljes së kishave në vitin 1967 kisha famullitare e shën Gjergjit u shndërrua në stallë, kurse kapelja e shën Sebastianit u bë depo.
Pas lirimit të fesë në vitin 1990/1991 në këtë zonë vinin për të thënë ndonjë meshë dhe për të ndarë sakramente meshtarë të ndryshëm: don Loro Nodaj, don Luigj Kçira, pader John Gibson, pader Dioniz Maka, pader Lovro Gavran dhe pader Ilija Kovačević.
Në mars të vitit 1995 pader Lovro Gavran u caktua famullitar i Iballes, Berishës, Fierzës dhe Dardhës. Menjëherë filloi ndërtimin e qendrës pastorale: kishën e re e filloi në vitin 1995 ndërsa kuvendin në vitin 1996. Në vitin 1998 e rregulloi edhe kapelen e shën Sebastianit. Kisha kushtuar Shën Gjergjit u shugurua më 02. 08. 2000, në vitin jubilar të krishterimit. Në atë kohë famullia Iballë dha edhe mjaft thirrje meshtarake dhe rregulltare.
Në Iballe vepronin edhe Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer. Më së shumti motër Ana Nikolla (1995-2002), e me të edhe motër Drande Preknicaj, motër Vitore Rushaj, motër Gjyste Gjonlleshaj; pastaj motër Marieta Dodaj, motër Marte Spaqi, motër Tone Karaçi dhe motër Margita Jaku. Pasi pader Lovro Gavran më 09. 05. 2001 u transferua në Gjakovë, famullitar në Iballe u bë pader Leonard Deja, misionar nga Polonia. Mirëpo kur pader Leonardi shkoi për shërim në Poloni në vitin 2004, dhe në këtë famulli nuk u bë e mundur që ta zëvendësonte askush, për mungesë të meshtarit edhe motrat françeskane u tërhoqën nga Iballa.
Pastaj Iballa është shërbyer nga Kuvendi Françeskan me qendër në Gjuhadol – Shkodër një herë në muaj. E shërbenin më së shumti pader Gazmend Tinaj, provincial, pader Mikel Pllumaj, etj. Nga viti 2015 deri në korrik 2018 e shërbeu pader Ëłodzmierz Mamala, misionar nga Polonia.
Edhe sot famullia e Iballës vazhdon të shërbehët nga Kuvendi Françeskan në Gjuhadol – Shkodër nga famullitari pader Aleksander Tanushi, françeskan nga Gjakova me detyren e guardianit në Gjuhadol / Shkodër.
Për fat të mirë, që nga viti 2001 Ipeshkvia e Sapës çdo vit në korrik organizon misione verore në këtë zonë. Misionarët rrinë në Qendrën pastorale të Iballes, e çdo ditë mësimin e fesë e mbajnë si në Iballe, po ashtu edhe nëpër lagje të largëta (Berisha e Vogël, Shopël, Pap, Ludricë etj.), për t’i përgatitur besimtarët për sakramente.
Pader Aleksander Tanushi, OFM
Famullitar
Misioni veror në Iballe
Pukë / Shqipëri
Iballa është një famulli shumë e vjetër në Shqipëri, në zonën malore të Pukës. Ajo i takon Ipeshkvisë së Sapës, e cila në Koncilin III të Arbrit, në vitin 1895, i dha Provincës Françeskane Shqiptare në shërbim katër famulli të veta: Iballen, Berishën, Fierzën dhe Dardhën. Famullitari i parë ishte P. Zef Mesi nga Blinishti (1893-1907). Ai e ka ndërtuar edhe kishën e parë atje.
Deri në vitin 1967 Iballa kishte 17 famullitarë. Njëri prej tyre ishte edhe i lumi fra Mati Prendushi. Pasi në vitin 1967 regjimi komunist i mbylli të gjitha kishat në Shqipëri, kisha famullitare e shën Gjergjit në Iballe u shndërrua në depo, por në kohën e komunizmit e kanë përdorur edhe si stallë për bagëti.
Pas kthimit të lirisë së fesë (1990/1991) në këtë zonë kohë pas kohe vinin meshtarë të ndryshëm për të kremtuar meshën dhe për të ndarë sakramentet: don Loro Nodaj, don Luigj Kçira, pader John Gibson, pader Dioniz Maka, pader Lovro Gavran dhe pader Ilija Kovačević.
Në mars 1995 pader Lovro Gavran u emërua famullitar i Iballes, Berishës, Fierzës dhe Dardhës. Menjëherë filloi ndërtimin e qendrës pastorale. Ndërtimi i kishës filloi në vitin 1995, kurse i kuvendit në vitin 1996. Kisha kushtuar Shën Gjergjit, u shugurua më 02.08.2000 – në vitin jubilar të krishterimit.
Kur unë sivjet u nisa në pushimin veror nga Sarajeva në Shkodër, e pastaj në Iballë – megjithëse përditë e hulumtova në internet këtë famulli, krejt kohën mendova se si duket ai vend ku po shkoj dhe si do të gjendem atje.
Ditën e Shën Pjetrit e Palit, më 29 qershor, erdha në Shkodër, ku më pritën pader Aleksandër Tanushi, pader Aurel Gjerkaj, si edhe fretërit e tjerë dhe klerikët. Nuk mund të duroja as pesë minuta e që mos të pyesja diçka për vendin ku do të shkojmë nesër në mëngjes. Tashmë kisha mjaft emocione për fillimin e veprimit tim misionar atje.
Të nesërmen në mëngjes u nisëm në udhëtim të gjatë në bjeshkë. Rrugës pashë shumë gjëra interesante, por më së shumti e shikova natyrën nëpër të cilën kalonim – dhe bjeshkët e larta, të cilat më dukeshin sikur të na mbronin nga diçka. I shikova duke menduar: “Në qoftë se ne tani, në këtë kohë, aq shumë udhëtojmë me automjete, sa kohë dhe sa vuajtje duhej të përballonin misionarët e mëparshëm, të cilët vepronin në këto vise misionare?” Për këtë arsye gëzohem, sepse po vazhdoj atë veprimtari, të cilën të tjerët kaherë e kishin filluar.
Pas udhëtimit tre orësh, erdhëm në vendin e caktuar, në famullinë e Iballes, ku shumë bukur na priti fra Lovro Gavran, i cili kishte ardhur nga Gjakova.
Programi misionar ishte organizuar mirë, kështu që menjëherë të dielën, më 01 korrik, u kremtua Mesha në Iballe dhe në Berishë. Në mision ishin angazhuar tre meshtarë: pader Lovro Gavran, pader Aleksandër Tanushi dhe pader Vladimir Mamala, si edhe një motër françeskane, motër Ana Nikolla. U ndihmonin edhe shtatë klerikë, studentë të teologjisë.
Nga programi kulturor në fund të misionit në Iballe, më 15.07.2018
Puna zhvillohej me sukses: me kremtimin e Meshëve të shenjta, me mësim feje për Rrëfim dhe Kungim të parë dhe për Krezmim, e – kuptohet – edhe me vizita të familjeve, me të cilat ishte lidhur edhe bekimi i shtëpive. Përveç Iballes dhe Berishës, misioni përfshinte edhe filialet: Lëvoshën, Ludricën, Arapin, Papin, Ndërlymna, Sapaqin, Svinën, Shoplin, Qyqeshin, Trovna dhe Merturin e Gurit.
Ky aktivitet misionar dy javësh, nuk më ka lodhur fort fizikisht, sikurse kam menduar. Fëmijët vinin mirë në mësim feje dhe në Meshë. Pas meshe kishte kohë edhe për argëtim. Besimtarët kishin dëshirë të madhe për takim me fretërit dhe me motrën, për të biseduar me ne, sepse rrallë kanë mundësi për ta takuar meshtarin. Më vinte shumë mirë, sepse patëm mundësi që t’ua forcojmë shpresën dhe t’u ndihmojmë sado-kudo atyre besimtarëve në atë zonë të thellë.
Këtë mund ta krahasoj me tekstin e shën Françeskut, i cili në Testamentin e vet shkruan (në lidhje me vëllezërit e vet të parë): “Pasi Zoti më dha disa vëllezër, askush nuk më dëftoi se çka duhej të bëja, por vetë i Tejetlarti më zbuloi se duhej të jetoja sipas formës së Ungjillit të shenjtë… E ata që vinin për të përqafuar këtë jetë, u shpërndanin të varfërve gjithë sa kishin (Tob 1, 3); dhe ishim të kënaqur me një zhgun të vetëm, të arnuar përbrenda e përjashta, kush e donte, me konopin e pantallonat. E nuk donim të kishim më shumë” (Test., 14.16-17).
Krezmimi në Iballe, më 15 korrik 2018
Dhe kështu në fund të misionit, më 14 korrik në Berishë, e më 15 korrik në Iballe, u kremtua Mesha e shenjtë, gjatë të cilës u nda Kungimi i parë 20 fëmijëve, dhe sakramenti i Krezmimit 38 të rinjve. Kishte edhe kurorëzime dhe pagëzime të të rriturve. Meshën e udhëhoqi mons. Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës. Ajo njëkohësisht ishte edhe Mesha e lamtumirës për pader Vladimir Mamalën, i cili – pas 22 vjetëve të shërbimit në Shqipëri – po kthehej në Poloni. Në fund të meshës u prezantua edhe famullitari i ri i Iballes dhe i Berishës, pader Aleksandër Tanushi.
Në fund u përshëndetëm me të gjithë dhe u ndamë – deri te takimi i ardhshëm.
Këtë aksion misionar dy javor e kam vazhdimisht në mendime, kështu që edhe sot e kam si kujtim shumë të bukur.
Pax et bonum!
Fra Vinçenc Kajtazi, OFM
Student në fakultetin teologjik
Sarajevë – BiH