ETËRIT KARMELITAN

Marrëdhënia e Karmelit me Shqipërinë ka filluar për herë të parë që në vitin 2003, kur katër Motra Karmelitane nga Kroacia erdhën këtu për të themeluar një bashkësi në Nënshat. Në këtë vend, përpara përndjekjes komuniste, ka qenë edhe rezidenca e Ipeshkvisë së Dioqezës së Sapës.

Gjatë këtyre viteve, Motrat Karmelitane, me mënyrën e tyre të jetës, janë bërë një pikë referimi për shumë njerëz që kërkojnë lutje dhe biseda. Meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, çifte, të rinj dhe të vjetër, ngjiten në Karmel për të kërkuar ndihmën e Zotit.

Për ta plotësuar dhe për ta forcuar këtë prani, Motrat dhe Ipeshkvi i Dioqezës, Imzot Luçian Avgustini, kanë dëshiruar dhe kërkuar praninë e Etërve Karmelitanë, të cilët e jetojnë karizmën e ndërmjetësimit me lutje jashtë klauzurës, në misionin apostolik dhe në shërbimin meshtarak. Eprori i Përgjithshëm u kujdes personalisht për misionin e Shqipërisë dhe gjeti tre fretër italianë, nga Provinca të ndryshme Karmelitane, për të hapur një bashkësi mashkullore afër Kuvendit të Motrave. Qëllimi është që të plotësohet vepra e admirueshme e pritjes së motrave me ndërtimin e një shtëpie për tërheqje shpirtërore, takime, kurse formimi për krejt Kishën Katolike në Shqipëri. Kështu ka filluar bashkësia jonë shqiptare, me studimin e gjuhës dhe të Kishës së këtij vendi dhe me ndërtimin e shtëpisë për takime shpirtërore dhe të kuvendit të Fretërve në Karmelin e Nënshatit.

Ishte tetori i vitit 2013, kur Etërit Karmelitan u vendosën pranë Kuvendit të Motrave Karmelitane dhe tashmë ndihen si në shtëpinë e tyre, të pranuar si në një familje, qoftë nga bashkësia dioqezane, ashtu edhe nga vendasit e thjeshtë dhe të dashur. Janë bërë pjesëmarrës në historinë e një populli shumë të vjetër. Do të ishte mirë që ta trashëgojmë edhe ne këmbënguljen e këtij populli dhe ta pasurojmë atë me shërbimin tonë – shprehen vetë Etërit Karmelitan.

Pasi u vendosën në një shtëpi me qera, në vitin 2013 nisën punimet për ndërtimin e shtëpisë së Lutjes dhe njëkohësisht edhe të Kuvendit Karmelitan, dhe pas tre vite punimesh falë iniciativës së ipeshkvit në atë kohë, Imzot Lucjan Avgustini, provincës së Karmelitanëve në Itali dhe bamirësve u arrit që në vitin 2016 të përfundojë Shtëpia e Lutjes kushtuar Shën Jozefit.

INAUGURIMI I SHTËPISË SË LUTJES “SHËN JOZEFI” – 2016

Bashkësia e Etërve Karmelitan, kanë bashkendarë gëzimin e Inaugurimit të Shtëpisë së lutjes “Shën Jozefi” në Karmel Nënshat. Në praninë e Atit Gjeneral Karmelitan, Pader Saverio Cannistrà, në prani të Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, Administratorit Dioqezan të Sapës D. Simon Kulli, meshtarë, motra dhe besimtarë të shumtë, kjo ceremoni u mbajt në ditën e Shën Terezes së Jezusit Fëmijë, me 1 tetor 2016 në Kishën e Shën Mëhillit dhe të Familjes së Shenjtë, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane.

E si zakonisht, i zoti i shtëpisë  dom Simon Kulli, ndërsa uroj mirëseardhjen në këtë vend të shenjtë, ku për shekuj me radhë ka qenë ipeshkvia e Sapes, zemra e dioqezës sonë, kujtoi se, para se të ekzistonte kjo palestër e shpirtit, më së pari kishte lindur në zemrën e madhe të Imzot Lucjanit, i cili qe frymëzuar prej Zotit për ta ndërtuar një realitet të tillë që tashmë po merr jetë plotësisht tha ai. Në ngjashmëri më këtë palestër shpirtërore kemi edhe “Shtëpinë e Bamirësisë” në Vau-Dejës ku përjetohen më së miri veprat e mëshirshme. Këto dhe realitete të tjera në dioqezën tonë ishin dhe do mbeten vepra të Ipeshkvit tonë të dashur tha dom Simoni.

Ati Gjeneral, pader Saverio gjatë përshëndetjes së tij, nuk ngurroi të shprehte me plot emocion gëzimin e rilindjes së këtij urdhëri edhe në Shqipëri, duke iu bashkuar kështu shërbimit në Kishën Shqiptare.

Ndërkohë që Imzot Massafra kujtoi se, sot kemi mundësinë të shijojmë përshpirtërinë karmelitane falë ndihmës së dhënë prej pranisë së motrave Karmelitane fillimisht, dhe prej vëllezërve që u janë bashkuar atyre në mënyrë që të ndihmojnë në pasurimin e tokës sonë me shpirtin profetik sipas mënyrës së Elisë.

Me bekimin dhe prerjen e shiritit Shtëpia e Lutjes hapi dyert e saj për të mirëpritur të gjithë njerëzit vullnetmirë për tërheqje shpirtërore dhe takim me Zotin nëpërmjet lutjes, meditimit dhe soditjes.

Karmeli në Nënshat i ndërtuar në këtë vend me vlera historike, tashmë është kthyer në një qendër shpirtërore për të gjithë ato që dëshirojnë. Prania dhe shërbimi i motrave dhe etërve Karmelitan është dhe do jetë, akoma më tepër  një dhuratë e madhe për dioqezën tonë dhe për mbarë trevat Shqiptare. Shtëpia e Lutjes është një oazë paqeje dhe lutjeje falë pranisë së dy bashkësive karmelitane. Ky vend u ofrohet të gjithë atyre që kërkojnë qetësi, heshtje, predikim, bisedë, formim dhe takim për të zbuluar vetveten dhe Hyjin.

Etërit Karmelitan janë mjaft të angazhuar jo vetëm brenda Kuvendit të tyre por edhe në familjen dioqezane të Sapës, të cilët japin një kontribut mjaft të çmuar në shpalljen e Ungjillit dhe në jetën pastorale të Kishës Lokale.

Violeta Marashi