Nxitje apostolike mbi detyrat e familjes së krishterë në botën e sotme
Gjon Pali II
Hyrje
Kisha në shërbim të familjes
- Familja në kohët e sotme, ashtu sikurse, e ndoshta edhe më shumë se institucionet e tjera, është përfshirë prej shndërrimeve të gjera, të thella e të shpejta të shoqërisë e të kulturës. Shumë familje e jetojnë këtë situatë në besnikëri ndaj vlerave që përbëjnë themelin e institucionit familjar. Të tjerat janë bërë të pasigurta dhe janë përhumbur përballë detyrave të tyre ose, madje janë bërë dyshuese dhe gati nuk e njohin domethënien e fundit dhe të vërtetën e jetës bashkëshortore e familjare. Së fundi, të tjera familje janë të penguara nga situata të ndryshme padrejtësie në realizimin e të drejtave të tyre themelore.
E vetëdijshme se martesa dhe familja përbëjnë njërën prej të mirave më të çmueshme të njerëzimit, Kisha dëshiron t’u flasë dhe t’i ndihmojë ata që, duke e njohur vlerën e martesës dhe të familjes, mundohen ta jetojnë atë besnikërisht, ata që, të pasigurt dhe në ankth, janë në kërkim të së vërtetës dhe ata që me të padrejtë pengohen për ta jetuar lirisht projektin e tyre familjar. Duke mbështetur të parët, duke ndriçuar të dytët dhe duke ndihmuar të tjerët, Kisha ia ofron shërbimin e vet çdo njeriu që mendon për fatet e martesës dhe të familjes[1].
Në mënyrë të veçantë ajo u drejtohet të rinjve, që janë duke filluar ecjen e tyre drejt martesës dhe familjes, me qëllim që të hapë horizonte të reja, duke i ndihmuar që të zbulojnë bukurinë dhe madhështinë e thirrjes në dashurinë dhe në shërbimin ndaj jetës.
Sinodi i vitit 1980 në vazhdimësi me Sinodet e mëparshëm
- Një shenjë e këtij interesimi të thellë të Kishës për familjen ka qenë Sinodi i fundit i Ipeshkvinjve, i kremtuar në Romë nga 26 shtatori deri më 25 tetor 1980. Ai ka qenë vazhdimi i natyrshëm i dy të mëparshmëve[2]: në të vërtetë, familja e krishterë është bashkësia e parë e thirrur për t’ia shpallur Ungjillin personit njerëzor në rritje, dhe për ta çuar, nëpërmjet një edukimi progresiv dhe katekeze, në pjekurinë e plotë njerëzore dhe të krishterë.
Jo vetëm kaq, por Sinodi i fundit lidhet idealisht në ndonjë mënyrë edhe me atë mbi meshtarinë shërbestare dhe mbi drejtësinë në botën bashkëkohore. Në të vërtetë, si bashkësi edukative, familja duhet ta ndihmojë njeriun që ta dallojë thirrjen e vet dhe të marrë përsipër angazhimin e nevojshëm për një drejtësi më të madhe, duke e formuar që prej fillimit me marrëdhëniet ndërpersonale, të pasura me drejtësi e dashuri.
Etërit Sinodalë, duke përfunduar asamblenë e tyre, më kanë paraqitur një listë të gjatë propozimesh, në të cilat kishin përmbledhur frytet e reflektimeve të zhvilluara gjatë ditëve të tyre të dendura me punë, dhe më kanë kërkuar me votë të njëzëshme të bëhem përpara njerëzimit interpretues i përkujdesjes së gjallë të Kishës për familjen, dhe të jap udhëzimet e duhura për një angazhim të përtërirë baritor në këtë sektor themelor të jetës njerëzore dhe kishtare.
Duke e kryer këtë detyrë me këtë Nxitje, si një zbatim i veçantë i shërbesës apostolike që më është besuar, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë anëtarëve të Sinodit për ndihmesën e çmueshme të doktrinës dhe përvojës, që e kanë dhënë sidomos nëpërmjet “Propositiones”, tekstin e të cilave ia besoj Këshillit Papnor për Familjen, që ta thellojë studimin e tyre me qëllim që të vlerësojë çdo aspekt të pasurive që përmbahen në to.
E mira e çmueshme e martesës dhe e familjes
- Kisha, e ndriçuar prej fesë, e cila e bën të njohë gjithë të vërtetën mbi të mirën e çmueshme të martesës dhe të familjes dhe mbi domethëniet e tyre më të thella, edhe një herë ndien nevojën për t’ua shpallur Ungjillin, domethënë “lajmin e mirë”, të gjithëve pa dallim, në veçanti të gjithë atyre që janë të thirrur në martesë dhe përgatiten për të, të gjithë të martuarve dhe prindërve të botës.
Ajo është thellësisht e bindur se vetëm me pranimin e Ungjillit gjendet realizimi i plotë i çdo shprese, që njeriu me të drejtë vë në martesën dhe në familjen.
Të dashura prej Hyjit me vetë krijimin[3], martesa dhe familja janë brendësisht të përgatitura (ordinate) për t’u përmbushur në Krishtin[4] dhe kanë nevojë për hirin e tij që të shërohen prej plagëve të mëkatit[5] e të kthehen në “fillimin”[6] e tyre, domethënë në njohjen e plotë dhe në realizimin integral të planit të Hyjit.
Në një moment historik në të cilin familja është objekt i shumë forcave që mundohen ta shkatërrojnë ose sidoqoftë ta deformojnë, Kisha, e vetëdijshëm se e mira e shoqërisë dhe e asaj vetë është thellësisht e lidhur me të mirën e familjes[7], e ndien në mënyrë më të gjallë e nxitëse misionin e vet për t’u shpallur të gjithëve planin e Hyjit mbi martesën e mbi familjen, duke siguruar gjallërinë e saj të vërtetë dhe promovimin njerëzor e të krishterë, si dhe duke kontribuar kështu në përtëritjen e shoqërisë e të vetë Popullit të Hyjit.
Pjesa e parë
Dritat dhe errësirat e familjes, sot
Nevoja për të njohur situatën
- Meqenëse plani i Hyjit mbi martesën dhe mbi familjen i përket burrit dhe gruas në konkretësinë e ekzistencës së tyre të përditshme në situata të caktuara shoqërore e kulturore, Kisha, për të kryer shërbimin e vet, duhet të punojë për të njohur situatat brenda të cilave martesa dhe familja realizohen sot[8].
Pra, kjo njohje është një nevojë e domosdoshme e veprës ungjillëzuese. Në të vërtetë, familjeve të kohës sonë Kisha duhet t’u sjellë Ungjillin e Jezu Krishtit të pandryshueshëm e gjithnjë të ri, ashtu sikurse edhe familjet janë të përfshira në kushtet e tashme të botës që janë të thirrura për ta pranuar e për ta jetuar planin e Hyjit që u përket atyre. Jo vetëm kaq, por kërkesat dhe thirrjet e Shpirtit tingëllojnë edhe në vetë ngjarjet e historisë, dhe ndërkaq Kisha mund të udhëhiqet drejt një njohjeje më të thellë të misterit të pashtershëm të martesës dhe të familjes edhe prej situatave, pyetjeve, anktheve dhe shpresave të të rinjve, të të martuarve dhe të prindërve të sotëm[9].
Kësaj i duhet shtuar pastaj një reflektim i mëtejshëm me një rëndësi të veçantë në kohën e sotme. Jo rrallë burrit dhe gruas së sotme, që janë në një kërkim të sinqertë e të thellë të një përgjigjeje ndaj problemeve të përditshme e të rënda të jetës së tyre martesore e familiare, u ofrohen vizione e propozime edhe joshëse, por që e kompromentojnë në masë të ndryshme të vërtetën dhe dinjitetin e personit njerëzor. Është një ofertë e mbështetur shpesh prej organizimit të fuqishëm e kapilar të mjeteve të komunikimit shoqëror, që vënë në rrezik lirinë dhe aftësinë për të gjykuar me objektivitet.
Tashmë shumë njerëz janë të vetëdijshëm për këtë rrezik që i paraqitet personit njerëzor dhe veprojnë për të vërtetën. Kisha, me njohjen e saj ungjillore, bashkohet me ta, duke dhënë shërbimin e vet ndaj së vërtetës, ndaj lirisë dhe ndaj dinjitetit të çdo burri e të çdo gruaje.
Njohja (discernimento) ungjillore
- Njohja (discernimento) e bërë prej Kishës bëhet oferta e një orientimi që të shpëtojë e të realizohet e tërë e vërteta dhe dinjiteti i plotë i martesës dhe i familjes.
Ajo kryhet prej ndjenjës së fesë[10], që është një dhuratë që Shpirti ua ndan të gjithë besimtarëve[11], dhe prandaj është vepër e gjithë Kishës, sipas larmisë së dhuratave e karizmave të ndryshme që, së bashku dhe sipas përgjegjësisë së secilit, bashkëpunojnë për një njohje të thellë e zbatim të Fjalës së Hyjit. Kisha, pra, nuk e bën njohjen (discernimento) e vet ungjillore vetëm nëpërmjet Barinjve, të cilët mësojnë në emër dhe me fuqinë e Krishtit, por edhe nëpërmjet laikëve: Krishti “i ruan si dëshmitarë të tij dhe i pajis me kuptimin e fesë dhe të hirit të fjalës (krh. Vap 2, 17-18; Zb 19, 10) që forca e Ungjillit të shkëlqejë në jetën e përditshme, familjare e shoqërore”[12]. Madje, laikët, për arsye të thirrjes së tyre të veçantë, kanë detyrën specifike ta interpretojnë në dritën e Krishtit historinë e kësaj bote, meqenëse janë të thirrur t’i ndriçojnë e t’i rregullojnë realitetet tokësore sipas planit të Hyjit Krijues dhe Shpërblyes.
Por “kuptimi mbinatyrore i fesë”[13] nuk qëndron vetëm ose patjetër në miratimin e besimtarëve. Kisha, duke ndjekur Krishtin, kërkon të vërtetën, që jo gjithmonë përputhet me opinionin e shumicës. Dëgjon ndërgjegjen dhe jo pushtetin dhe në këtë mbron të varfërit e të përbuzurit. Kisha mund ta vlerësojë edhe kërkimin sociologjik e statistik, kur tregohet i dobishëm për të kuptuar kontekstin historik në të cilin veprimi baritor duhet të kryhet dhe për të njohur më mirë të vërtetën; por ky kërkim i vetëm nuk duhet të mbahet patjetër si shprehja e kuptimit të fesë.
Meqenëse është detyrë e shërbesës apostolike të sigurojë qëndrimin e Kishës në të vërtetën e Krishtit dhe ta shtjerë aty gjithnjë e më thellë, Barinjtë duhet të nxisin kuptimin e fesë në të gjithë besimtarët, të shqyrtojnë e të gjykojnë me autoritet pastërtinë e shprehjeve të saj, të edukojë besimtarët për një njohje (discernimento) ungjillore gjithnjë e më të pjekur[14].
Për përpunimin e një njohjeje (discernimento) të përnjëmentë ungjillore në situatat dhe kulturat e ndryshme në të cilat burri dhe gruaja e jetojnë martesën e tyre dhe jetën e tyre familjare, bashkëshortët dhe prindërit e krishterë munden dhe duhet të japin një ndihmesë të tyren të pazëvendësueshme. Për këtë detyrë i aftëson karizma apo dhurata e tyre, dhurata e sakramentit të kurorës së martesës[15].
Situata e familjes në botën e sotme
- Situata në të cilën gjendet familja paraqet aspekte pozitive dhe aspekte negative: të parat janë shenjë e shëlbimit të Krishtit veprues në botë; të dytat janë shenjë e refuzimit që njeriu i bën dashurisë së Hyjit.
Në të vërtetë, nga njëra anë ekziston një vetëdije më e gjallë për lirinë personale, dhe një vëmendje më e madhe ndaj cilësisë së marrëdhënieve ndërpersonale në martesë, ndaj promovimit të dinjitetit të gruas, ndaj lindjes së përgjegjshme të fëmijëve, ndaj edukimit të bijve; ekziston gjithashtu edhe vetëdija e nevojës që të zhvillohen marrëdhënie mes familjeve për një ndihmë të ndërsjellë shpirtërore e materiale, rizbulimi i misionin kishtar përkatës të familjes dhe të përgjegjësisë së saj për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Megjithatë, nga ana tjetër, nuk mungojnë shenja degradimi shqetësues të disa vlerave themelore: një konceptim i gabuar teorik dhe praktik i pavarësisë së bashkëshortëve mes tyre; paqartësitë e rënda mbi marrëdhënien e autoritetit mes prindërve e fëmijëve; vështirësitë konkrete, që familja shpesh eksperimenton në përçimin e vlerave; numri në rritje i divorceve; plaga e dështimit; përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i sterilizimit; krijimi i një mendësie të vërtetë kontraceptive.
Në rrënjën e këtyre dukurive negative qëndron shpesh një prishje e idesë dhe e shprehjes së lirisë, e konceptuar jo si aftësi e realizimit të së vërtetës së planit të Hyjit mbi martesën dhe familjen, por si forcë autonome e afirmimit, jo rrallë kundër të tjerëve, për mirëqenien personale egoiste.
Vëmendjen tonë e meriton edhe fakti se, në vendet e të ashtuquajturës Botë e Tretë, shpesh familjeve u mungojnë qoftë mjetet themelore për mbijetesën, sikurse ushqimi, puna, banesa, ilaçet, qoftë liritë më elementare. Ndërsa në vendet më të pasura mirëqenia e tepruar dhe mendësia konsumistike, paradoksalisht e bashkuar me një farë ankthi dhe pasigurie për të ardhmen, ua heqin bashkëshortëve zemërgjerësinë dhe guximin për të ngjallur jetë të reja njerëzore: kështu jeta shpesh perceptohet jo si bekim, por si rrezik nga i cili duhet të ruhemi.
Situata historike në të cilën jeton familja, pra, paraqitet si një tërësi dritash dhe hijesh.
Kjo tregon se historia nuk është thjesht një përparim i nevojshëm drejt më së mirës, por një ngjarje lirie, dhe madje një luftë mes lirive, që i kundërvihen njëra-tjetrës, domethënë sipas shprehjes së njohur të shën Agustinit, një konflikt mes dy dashurish: dashuria ndaj Hyjit e shtyrë deri në përbuzjen e vetvetes, dhe dashuria ndaj vetvetes e shtyrë deri në përbuzjen e Hyjit[16].
Prej kësaj del se vetëm edukimi në dashurinë e rrënjosur në fe mund të na bëjë të fitojmë aftësinë për të interpretuar “shenjat e kohëve”, që janë shprehja historike e kësaj dashurie të dyfishtë.
Ndikimi i situatës në ndërgjegjen e besimtarëve
- Duke jetuar në një botë të tillë, nën presionet që rrjedhin sidomos prej mas-mediave, jo gjithmonë besimtarët kanë ditur dhe dinë të qëndrojnë të paprekshëm prej errësimit të vlerave themelore dhe të paraqiten si ndërgjegje kritike e kësaj kulture familjare dhe si subjekte aktive të ndërtimit të një humanizmi të përnjëmendtë familjar.
Ndër shenjat më shqetësuese të kësaj dukurie, Etërit Sinodalë kanë nënvizuar, në veçanti, përhapjen e divorcit dhe të përdorimit të një bashkimi të ri nga ana e vetë besimtarëve, pranimin e martesës thjesht civile, në kundërshtim me thirrjen e të pagëzuarve për “t’u martuar në Zotin”; kremtimin e martesës sakrament pa një fe të gjallë, por për arsye të tjera; refuzimin e normave morale që udhëheqin dhe nxisin ushtrimin njerëzor dhe të krishterë të seksualitetit në martesë.
Epoka jonë ka nevojë për urti
- Kështu, të gjithë Kishës i parashtrohet detyra e një reflektimi dhe e një angazhimi shumë të thellë, që kultura e re që po shfaqet të ungjillëzohet brendësisht, që vlerat e vërteta të pranohen, që të drejtat e burrit e të gruas të mbrohen dhe që drejtësia në vetë strukturat e shoqërisë të promovohet. Në këtë mënyrë “humanizmi i ri” nuk do t’i shkëpusë njerëzit prej marrëdhënies së tyre me Hyjin, por do t’i drejtojë nga ai në mënyrë më të plotë.
Në ndërtimin e këtij humanizmi, shkenca dhe zbatimet e saj teknike japin mundësi të reja dhe shumë të mëdha. Megjithatë, shkenca, për shkak të zgjedhjeve politike që vendosin drejtimin e saj të kërkimit dhe të zbatimeve, shpesh përdoret kundër domethënies së saj origjinare, promovimit të personit njerëzor.
Prandaj, bëhet i nevojshëm rifitimi nga ana e të gjithëve i ndërgjegjes së parësisë së vlerave morale, që janë vlerat e personit njerëzor si i tillë. Rikuptimi i domethënies së fundit të jetës dhe i vlerave të saj themelore është detyra e madhe që shtrohet sot për përtëritjen e shoqërisë. Vetëm vetëdija e parësisë së këtyre vlerave lejon një përdorim të mundësive të panumërta, të vëna në duart e njeriut prej shkencës, që të finalizohet me të vërtetë në promovimin e personit njerëzor në të vërtetën e tij të plotë, në lirinë dhe dinjitetin e tij. Shkenca është e thirrur të bashkëpunojë me urtinë.
Prandaj mund të përdoren edhe për problemet e familjes fjalët e Koncilit II të Vatikanit: “Epoka jonë, edhe më shumë se sa në shekujt e kaluar, ka nevojë për këtë dije, në mënyrë që të gjitha zbulimet e saj të reja të bëhen më njerëzore. Në fakt, është në rrezik e ardhmja e botës, nëse nuk nxiten njerëz më të urtë”[17].
Edukimi i ndërgjegjes morale, që e bën të aftë çdo njeri të gjykojë dhe të njohë mënyrat më të përshtatshme për t’u realizuar sipas të vërtetës së vet zanafillore, bëhet kështu një kërkesë parësore dhe e domosdoshme.
Është besëlidhja me Urtinë hyjnore ajo që duhet të rivendoset më thellësisht në kulturën e sotme. Në këtë Urti çdo njeri është bërë pjesëmarrës prej vetë gjestit krijues të Hyjit. Dhe vetëm në besnikërinë ndaj kësaj besëlidhjeje familjet e sotme do të jenë në gjendje të ndikojnë pozitivisht në ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore.
Gruadualiteti dhe kthimi
- Padrejtësisë së krijuar prej mëkatit – thellësisht i depërtuar edhe në strukturat e botës së sotme – dhe që shpesh e pengon familjen dhe realizimin e plotë të vetvetes e të të drejtave të saj themelore, duhet t’i kundërvihemi me një kthim të mendjes e të zemrës, duke ndjekur Krishtin e Kryqëzuar në mohimin e egoizmit tonë: një kthim i tillë nuk mund të mos ketë ndikim të mirë dhe përtëritës edhe në strukturat e shoqërisë.
Kërkohet një kthim i vazhdueshëm, i qëndrueshëm, që, megjithëse duke kërkuar shkëputjen e brendshme prej çdo të keqeje dhe bashkimin me të mirën në plotësinë e saj, zbatohet konkretisht në hapa që të çojnë gjithnjë e më tej. Kështu zhvillohet një proces dinamik, që përparon gradualisht me integrimin progresiv të dhuratave të Hyjit dhe të kërkesave të dashurisë së tij përfundimtare e absolute në tërë jetën personale e shoqërore të njeriut. Prandaj është e nevojshme një ecje pedagogjike rritjeje me qëllim që secili besimtar, familjet dhe popujt, madje vetë qytetërimi, nga ajo që tashmë kanë pranuar prej Misterit të Krishtit, të drejtohen me durim përtej, duke arritur në një njohje më të pasur dhe në një integrim më të plotë të këtij Misteri në jetën e tyre.
Inkulturimi
- Është në përputhje me traditën e vazhdueshme të Kishës pranimi prej kulturave të popujve i çdo gjëje që është në gjendje t’i shprehë më mirë pasuritë e pashtershme të Krishtit[18]. Vetëm me ndihmën e të gjitha kulturave, këto pasuri do të mund të shfaqen gjithnjë e më qartë dhe Kisha do të mund të ecë drejt një njohjeje çdo ditë e më të plotë e të thellë të së vërtetës, që tashmë i është dhuruar tërësisht prej Zotit të vet.
Duke e mbajtur të ngulitur parimin e dyfishtë të pajtueshmërisë me Ungjillin të kulturave të ndryshme që duhen lartësuar dhe të bashkimit me Kishën e gjithmbarshme, duhet të vazhdohet me studimin, veçanërisht nga ana e Konferencave Ipeshkvore dhe të Dikastereve kompetente të Kuries Romake, dhe në angazhimin baritor që ky “inkulturim” i fesë së krishterë të ndodhë gjithnjë e më gjerësisht, edhe në fushën e martesës e të familjes.
Nëpërmjet “inkulturimit” ecet drejt rivendosjes së plotë të besëlidhjes me Urtinë e Hyjit, që është vetë Krishti. E tërë Kisha do të pasurohet edhe prej atyre kulturave që, megjithëse duke qenë pa teknologji, janë plot me mençuri njerëzore dhe të gjallëruara prej vlerave të thella njerëzore.
Që të jetë i qartë pikësynimi i kësaj ecjeje dhe, si pasojë, sigurisht të tregohet edhe rruga, Sinodi, në rend të parë, me të drejtë e ka konsideruar thellësisht planin zanafillor të Hyjit mbi martesën dhe familjen: ka dëshiruar “të kthehet në fillim”, në nderim ndaj mësimit të Krishtit[19].
Pjesa e dytë
Plani i Hyjit mbi martesën dhe mbi familjen
Njeriu shëmbëlltyrë e Hyjit Dashuri
- Hyji e ka krijuar njeriun në shëmbëlltyrë e përngjasim të tij[20]: duke e thirrur në jetë për dashuri, e ka thirrur në të njëjtën kohë edhe në dashuri.
Hyji është dashuri[21] dhe jeton në vetvete një mister bashkimi personal dashurie. Duke e krijuar në shëmbëlltyrë të vet dhe duke e ruajtur vazhdimisht në jetë, Hyji vendos në njerëzimin e burrit dhe të gruas thirrjen, dhe prandaj edhe aftësinë e përgjegjësinë e dashurisë dhe të bashkimit[22]. Prandaj, dashuria është thirrja themelore dhe e natyrshme e çdo qenieje njerëzore.
Si shpirt i mishëruar, domethënë shpirt që shprehet në trup dhe trup i gjallëruar (informato) nga një shpirt i pavdekshëm, njeriu është i thirrur në dashuri në këtë tërësi të tij të njësuar. Dashuria e përqafon edhe trupin njerëzor dhe trupi bëhet pjesëmarrës i dashurisë shpirtërore.
Zbulimi i krishterë njeh dy mënyra specifike të realizimit të personit njerëzor, në tërësinë e tij, në dashuri: Martesa dhe Virgjëria. Si njëra ashtu edhe tjetra, në formën e tyre karakteristike, janë konkretizim i të vërtetës më të thellë të njeriut, të “qenies së tij në shëmbëlltyrë të Hyjit”.
Si pasojë, seksualiteti, nëpërmjet të cilit burri dhe gruaja i dhurohen njëri-tjetrit me aktet përkatëse dhe ekskluzive të bashkëshortëve, nuk është aspak diçka vetëm biologjike, por i përket bërthamës së brendshme të personit njerëzor si i tillë. Ai realizohet në mënyrë vërtet njerëzore vetëm nëse është pjesë integruese e dashurisë me të cilën burri e gruaja angazhohen tërësisht ndaj njëri-tjetrit deri në vdekje. Dhurimi fizik i plotë do të ishte mashtrim po të mos ishte shenjë dhe fryt i dhurimit personal të plotë, në të cilin i gjithë personi, edhe në dimensionin e tij kohor, është i pranishëm: nëse personi do të rezervonte për vete diçka ose mundësinë për të vendosur ndryshe për të ardhmen, edhe për këtë ai nuk do të dhurohej tërësisht.
Kjo tërësi, e kërkuar prej dashurisë bashkëshortore, u përgjigjet edhe kërkesave të një frytshmërie të përgjegjshme, e cila, e prirur siç është për të lindur një qenie njerëzore, e kapërcen për natyrë të vet rendin vetëm biologjik, dhe përfshin një tërësi vlerash personale, për rritjen e harmonishme të të cilave është e nevojshme ndihmesa e vazhdueshme dhe në përputhje e të dy prindërve.
“Vendi” i vetëm, që e bën të mundur këtë dhurim sipas tërë të vërtetës së tij, është martesa, apo marrëveshja e dashurisë bashkëshortore apo zgjedhja e vetëdijshme dhe e lirë, me të cilën burri dhe gruaja pranojnë bashkësinë e brendshme të jetës dhe të dashurisë, të dashur prej vetë Hyjit[23], që vetëm në këtë dritë e shfaq domethënien e vet të vërtetë. Institucioni martesor nuk është një ndërhyrje e papërshtatshme e shoqërisë apo e autoritetit, as imponimi i jashtëmvi një forme, por kërkesë e brendshme e marrëveshjes së dashurisë bashkëshortore që publikisht afirmohet si e vetme dhe ekskluzive, që të jetohet kështu besnikëria e plotë ndaj planit të Hyjit Krijues. Kjo besnikëri, larg prej flijimit të lirisë së personit, e ruan atë nga çdo subjektivizëm dhe relativizëm, e bën pjesëmarrës në Urtinë krijuese.
Martesa dhe bashkimi mes Hyjit e njerëzve
- Bashkimi i dashurisë mes Hyjit dhe njerëzve, përmbajtja themelore e Zbulimit dhe e përvojës së fesë së Izraelit, e gjen shprehjen e vet domethënëse në besëlidhjen martesore, që vendoset mes burrit e gruas.
Prandaj fjala qendrore e Zbulesës, “Hyji e do popullin e vet”, shqiptohet edhe nëpërmjet fjalëve të gjalla e konkrete me të cilat burri e gruaja i shfaqin njëri-tjetrit dashurinë bashkëshortore. Lidhja e tyre e dashurisë bëhet shëmbëlltyrë dhe simbol i Besëlidhjes që bashkon Hyjin dhe popullin e tij[24]. Dhe vetë mëkati, që mund ta plagosë marrëveshjen bashkëshortore, bëhet shëmbëlltyrë e pabesnikërisë së popullit ndaj Hyjit të vet: idhujtaria është prostitucion[25], pabesnikëria është kurorëthyerje, mosdëgjesa ndaj ligjit është braktisje e dashurisë bashkëshortore të Zotit. Por pabesnikëria e Izraelit nuk e shkatërron besnikërinë e amshuar të Zotit, dhe, prandaj, dashuria gjithnjë besnike e Hyjit paraqitet si shembull i marrëdhënieve të dashurisë besnike që duhet të ekzistojnë mes bashkëshortëve[26].
Jezu Krishti, dhëndër i Kishës, dhe sakramenti i martesës
- Bashkimi mes Hyjit dhe njerëzve e gjen plotësinë e vet përfundimtare në Jezu Krishtin, Dhëndrin që do dhe që dhurohet si Shëlbues i njerëzimit, duke e bashkuar me veten si trup të vetin.
Ai zbulon të vërtetën zanafillore të martesës, të vërtetën e “fillimit”[27] dhe, duke e liruar njeriun prej zemërgurësisë, e bën atë të aftë ta realizojë plotësisht.
Ky zbulim e arrin plotësinë e vet përfundimtare në dhuratën e dashurisë që Fjala e Hyjit i bën njerëzimit duke marrë natyrën njerëzore, dhe në flijimin e vetvetes që Jezu Krishti bën në Kryq për Nusen e vet, Kishën. Në këtë flijim zbulohet plotësisht ai plan që Hyji ka ngulitur në njerëzimin e burrit e të gruas, që prej krijimit të tyre[28]; martesa e të pagëzuarve bëhet kështu simboli real i Besëlidhjes së re e të amshuar, të vendosur me gjakun e Krishtit. Shpirti, që Zoti e derdh, dhuron zemrën e re dhe i bën burrin e gruan të aftë të duhen, sikurse Krishti na ka dashur ne. Dashuria bashkëshortore arrin atë plotësi në të cilën është e përcaktuar brendësisht, dashurinë bashkëshortore, që është mënyra karakteristike e specifike me të cilën bashkëshortët marrin pjesë dhe janë të thirrur të jetojnë vetë dashurinë e Krishtit që dhurohet në Kryq.
Në një faqe, me të drejtë shumë të njohur, Tertuliani e ka shprehur mirë madhështinë e kësaj jete bashkëshortore në Krishtin dhe bukurinë e saj: “Si do të jem i aftë ta paraqes lumturinë e asaj martese që Kisha bashkon, flija eukaristike pohon, bekimi vulos, engjëjt shpallin dhe Ati miraton?… Çfarë zgjedhe është ajo e dy besimtarëve të bashkuar me një shpresë të vetme, në një zbatim të vetëm, në një shërbim të vetëm! Janë të dy vëlla e motër e të dy shërbejnë së bashku; nuk ka asnjë ndarje as në shpirt e as në mish. Madje janë vërtet dy në një trup të vetëm dhe aty ku trupi është i vetëm, i vetëm është edhe shpirti”[29].
Duke e pranuar dhe medituar besnikërisht Fjalën e Hyjit, Kisha solemnisht ka mësuar dhe mëson se martesa e të pagëzuarve është njëri prej shtatë sakramenteve të Besëlidhjes së Re[30].
Në të vërtetë, nëpërmjet pagëzimit, burri dhe gruaja hyjnë përfundimisht në Besëlidhjen e Re e të Amshuar, në Besëlidhjen martesore të Krishtit me Kishën. Dhe për arsye të kësaj hyrjeje të pashkatërrueshme bashkësia intime e jetës dhe e dashurisë bashkëshortore, të themeluar prej Krijuesit[31], lartësohet e ngrihet në dashurinë martesore të Krishtit, e mbështetur dhe e pasuruar prej forcës së tij shpërblyese.
Me fuqinë e sakramentalitetit të martesës së tyre, bashkëshortët janë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrën më të pazgjidhshme. Përkatësia e tyre e ndërsjellë është paraqitja reale, nëpërmjet shenjës sakramentale, e vetë marrëdhënies së Krishtit me Kishën.
Prandaj bashkëshortët janë përkujtim i vazhdueshëm për Kishën i asaj që ka ndodhur në Kryq; janë për njëri-tjetrin, dhe për bijtë, dëshmitarë të shëlbimit, në të cilin sakramenti i bën pjesëmarrës. Për këtë ngjarje shëlbimi martesa, ashtu si çdo sakrament, është përkujtim, aktualizim dhe profeci: “Si përkujtim, sakramenti u jep atyre hirin dhe detyrën për të kujtuar veprat e mëdha të Hyjit dhe për t’ua dëshmuar ato bijve të tyre; si aktualizim, u jep atyre hirin dhe detyrën për të zbatuar në të tashmen, për njëri-tjetrin dhe për bijtë, kërkesat e një dashurie që fal dhe shpërblen; si profeci, u jep atyre hirin dhe detyrën të jetojnë dhe të dëshmojnë shpresën e takimit të ardhshëm me Krishtin”[32].
Ashtu si secili prej shtatë sakramenteve, edhe kurora e martesës është një simbol real i ngjarjes së shëlbimit, por në mënyrën e vet. “Bashkëshortët marrin pjesë në të si bashkëshortë, të dy, si çift, në atë pikë sa efekti i parë dhe i menjëhershëm i martesës (res et sacramentum) nuk është vetë hiri mbinatyror, por lidhja bashkëshortore e krishterë, një bashkim i dy vetëve, në mënyrë tipike i krishterë sepse përfaqëson misterin e Mishërimit të Krishtit dhe misterin e tij të Besëlidhjes. Dhe përmbajtja e pjesëmarrjes në jetën e Krishtit është edhe ajo specifike: dashuria bashkëshortore mban në vete një tërësi në të cilën hyjnë të gjithë përbërësit e personit – thirrja e trupit dhe e instinktit, forca e ndjenjës dhe e afektivitetit, aspirata e shpirtit dhe e vullnetit -; ajo synon në një njësi thellësisht personale, që, përtej bashkimit në një trup të vetëm, të bën të jesh një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm; ajo kërkon pazgjidhshmërinë dhe besnikërinë e dhurimit të ndërsjellë përfundimtar dhe i hapet frytshmërisë (krh. Humanae vitae, 9). Me një fjalë, bëhet fjalë për karakteristika normale të çdo dashurie bashkëshortore natyrore, por me një domethënie të re që jo vetëm i pastron dhe i përforcon, por edhe i lartëson deri në atë pikë sa t’i bëjë shprehje të vlerave karakteristike të krishtera”[33].
Bijtë, dhuratë shumë e çmueshme e martesës
- Sipas planit të Hyjit, martesa është themeli i bashkësisë më të gjerë të familjes, pasi vetë institucioni i martesës dhe dashuria bashkëshortore janë të caktuar për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, në të cilat gjejnë kurorëzimin e tyre[34].
Në realitetin e vet më të thellë, dashuria është thelbësisht dhuratë dhe dashuria bashkëshortore, ndërsa i çon bashkëshortët drejt “njohjes” së tyre të ndërsjellë, që i bën “një trup të vetëm”[35], nuk kufizohet në brendësinë e çiftit, pasi i bën të aftë për dhurimin më të madh të mundur, prej të cilit bëhen bashkëpunëtorë me Hyjin për dhurimin e jetës një personi të ri njerëzor. Kështu bashkëshortët, ndërsa i dhurohen njëri-tjetrit, dhurojnë përtej vetvetes realitetin e fëmijës, refleks i gjallë i dashurisë së tyre, shenjë e përhershme e njësisë bashkëshortore dhe sintezë e gjallë dhe e pandashme e të qenit të tyre baba dhe nënë.
Duke u bërë prindër, bashkëshortët marrin prej Hyjit dhuratën e një përgjegjësie të re. Dashuria e tyre familjare është e thirrur të bëhet për bijtë shenjë e dukshme e vetë dashurisë së Hyjit “prej tw Cilit merr emrin e vet çdo atësi në qiell e mbi tokë”[36].
Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se edhe kur lindja e fëmijëve nuk është e mundur, jeta bashkëshortore nuk e humb vlerën e vet. Steriliteti fizik, në të vërtetë, mund të jetë rast i bashkëshortëve për shërbime të tjera të rëndësishme ndaj jetës së personit njerëzor, si për shembull bijësimi, format e ndryshme të veprave edukative, ndihma familjeve të tjera, fëmijëve të varfër apo handikapatë.
Familja, bashkim personash
- Në martesë dhe në familje krijohet një kompleks marrëdhëniesh ndërpersonale – bashkëshortësi, atësi-amësi, bijësi, vëllazëri –, nëpërmjet të cilave çdo person njerëzor hyn në “familjen njerëzore” dhe në “familjen e Hyjit”, që është Kisha.
Martesa dhe familja e krishterë ndërtojnë Kishën: në të vërtetë, në familje personi njerëzor jo vetëm lind dhe, nëpërmjet edukimit, hyn në bashkësinë njerëzore, por nëpërmjet rilindjes së pagëzimit dhe edukimit në fe, ai hyn edhe në familjen e Hyjit, që është Kisha.
Familja njerëzore, e përçarë prej mëkatit, riformohet në njësinë e saj prej forcës shpërblyese të vdekjes e ngjalljes së Krishtit[37]. Martesa e krishterë, pjesëmarrëse në frytshmërinë shëlbuese të kësaj ngjarjeje, përbën vendin natyror në të cilin kryhet hyrja e personit njerëzor në familjen e madhe të Kishës.
Mandati për t’u rritur e për t’u shumuar, i dhënë në fillim burrit e gruas, në këtë mënyrë arrin krejt të vërtetën dhe realizimin e vet të plotë.
Kështu, Kisha gjen në familjen, që lind prej sakramentit, djepin e vet dhe vendin në të cilin ajo mund të aktualizojë përfshirjen e vet në breznitë njerëzore, dhe këto, në mënyrë të ndërsjellë, në Kishën.
Martesa dhe virgjëria
- Virgjëria dhe beqaria për Mbretërinë e Hyjit jo vetëm që nuk e kundërshtojnë dinjitetin e martesës, por edhe e presupozojnë dhe e konfirmojnë atë. Martesa dhe virgjëria janë dy mënyra për të shprehur e për të jetuar të vetmin Mister të Besëlidhjes së Hyjit me popullin e vet. Kur nuk ka vlerësim për martesën, nuk mund të ekzistojë as virgjëri e kushtuar Zotit; kur seksualiteti njerëzor nuk mbahet si një vlerë e madhe e dhuruar prej Krijuesit, e humb domethënien flijimi i tij për Mbretërinë e Qiellit.
Në fakt, me të drejtë thotë shën Gjon Gojarti: “Ai që e dënon martesën, ia heq edhe virgjërisë lavdinë e saj; ndërsa ai që e lavdëron, e bën virgjërinë më të admirueshme e më të shkëlqyeshme. Ajo që duket një e mirë vetëm në krahasim me një të keqe, nuk është një e mirë e madhe; por ajo që është edhe më e mirë se të mirat e pranuara universalisht si të tilla, është me siguri një e mirë në shkallën më të lartë”[38].
Në virgjëri njeriu është në pritje, edhe trupërisht, të dasmës eskatologjike të Krishtit me Kishën, duke iu dhuruar tërësisht Kishës në shpresën se Krishti do t’i dhurohet asaj në të vërtetën e plotë të jetës së amshuar. Personi i virgjër paraprin kështu në trupin e vet botën e re të ngjalljes së ardhshme[39].
Me fuqinë e kësaj dëshmie, virgjëria e mban të gjallë në Kishë ndërgjegjen e misterit të martesës dhe e mbron nga çdo kufizim e nga çdo varfërim.
Duke e bërë të lirë në mënyrë të veçantë zemrën e njeriut[40], “sa ta ndezë edhe më shumë me dashuri ndaj Hyjit dhe ndaj të gjithë njerëzve”[41], virgjëria dëshmon se Mbretëria e Hyjit dhe drejtësia e tij janë ajo perlë e çmueshme që duhet pëlqyer para çdo vlere tjetër qoftë edhe të madhe, madje duhet kërkuar si e vetmja vlerë përfundimtare. Prandaj Kisha, gjatë gjithë historisë së saj, gjithmonë e ka mbrojtur epërsinë e kësaj karizme në krahasim me atë të martesës, për arsye të lidhjes krejt të veçantë që ajo ka me Mbretërinë e Hyjit[42].
Megjithëse heq dorë prej frytshmërisë fizike, personi i virgjër bëhet shpirtërisht i frytshëm, baba dhe nënë i shumë njerëzve, duke bashkëpunuar në realizimin e familjes sipas planit të Hyjit.
Prandaj, bashkëshortët e krishterë kanë të drejtën të presin prej personave të virgjër shembullin e mirë dhe dëshminë e besnikërisë ndaj thirrjes së tyre deri në vdekje. Ashtu sikurse për bashkëshortët besnikëria nganjëherë bëhet e vështirë dhe kërkon sakrificë, flijim e vetëmohim, ashtu mund të ndodhë edhe për personat e virgjër. Besnikëria e tyre, edhe në provën e mundshme, duhet të jetë shembull për besnikërinë e palës tjetër[43].
Këto reflektime mbi virgjërinë mund të ndriçojnë dhe të ndihmojnë ata që, për arsye që nuk varen prej vullnetit të tyre, nuk kanë mundur të martohen dhe pastaj e kanë pranuar situatën e tyre në shpirt shërbimi.
Pjesa e tretë
Detyrat e familjes së krishterë
Familja bëhet ajo që je!
- Në planin e Hyjit Krijues e Shëlbues, familja zbulon jo vetëm “identitetin” e vet, atë që ajo “është”, por edhe “misionin” e vet, atë që ajo mund dhe duhet “të bëjë”. Detyrat që familja është e thirrur prej Hyjit që të bëjë në histori, burojnë prej vetë qenies së saj dhe përfaqësojnë zhvillimin e saj dinamik dhe ekzistencial. Çdo familje zbulon e gjen në vetvete thirrjen e pashlyeshme, që përcakton njëkohësisht dinjitetin dhe përgjegjësinë e saj: familja “bëhet” ajo që “je”!
Kështu, përkujtimi i “fillimit” të gjestit krijues të Hyjit është një nevojë për familjen, nëse dëshiron të njihet dhe të realizohet sipas të vërtetës së brendshme jo vetëm të qenies së saj por edhe të veprimit të saj historik. Dhe meqenëse, sipas planit hyjnor, është e formuar si “bashkësi e brendshme jete dhe dashurie”[44], familja ka misionin të bëhet gjithnjë e më shumë ajo që është, pra bashkësi jete e dashurie, në një tërheqje që, si për çdo realitet të krijuar e të shpërblyer, do ta gjejë plotësimin e vet në Mbretërinë e Hyjit. Pastaj, në një perspektivë që mbërrin në vetë rrënjët e realitetit, duhet të themi se thelbi e detyrat e familjes janë së fundi të përcaktuara prej dashurisë. Prandaj familja merr misionin të ruajë, të zbulojë e të komunikojë dashurinë, si pasqyrim të gjallë dhe pjesëmarrje reale të dashurisë së Hyjit për njerëzimin dhe të dashurisë së Krishtit Zot për Kishën, nusen e vet.
Çdo detyrë e veçantë e familjes është shprehje dhe aktualizim konkret i një misioni të tillë themelor. Prandaj është e nevojshme të depërtohet më thellë në pasurinë e veçantë të misionit të familjes dhe të shqyrtohen përmbajtjet e saj të shumëfishta e unitare.
Në këtë kutim, duke u nisur prej dashurisë dhe duke iu referuar asaj në mënyrë të vazhdueshme, Sinodi i fundit ka nxjerrë në pah katër detyra të përgjithshme të familjes:
- formimin e një bashkësie personash;
- shërbimin ndaj jetës;
- pjesëmarrjen në zhvillimin e shoqërisë;
- pjesëmarrjen në jetën dhe në misionin e Kishës.
I – Formimi i një bashkësie personash
Dashuria, fillimi dhe forca e bashkimit
- Familja, e themeluar dhe e gjallëruar prej dashurisë, është një bashkësi personash: e burrit dhe gruas bashkëshortë, e prindërve dhe e fëmijëve, e të afërmve. Detyra e saj e parë është që ta jetojë besnikërisht realitetin e bashkimit në angazhimin e vazhdueshëm për të zhvilluar një bashkësi të përnjëmendtë personash.
Parimi i brendshëm, forca e përhershme dhe qëllimi i fundit i kësaj detyre është dashuria: ashtu sikurse, pa dashuri, familja nuk është bashkësi personash, po ashtu edhe, pa dashuri, familja nuk mund të jetojë, të rritet e të përsoset si bashkësi personash. Ajo që kam shkruar në enciklikën Redemptor hominis e gjen zbatimin e vet zanafillor e të privilegjuar pikërisht në familjen si e tillë: “Njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri. Ai mbetet në vetvete një qenie e pakuptueshme, jeta e tij është pa kuptim, nëse nuk i zbulohet dashuria, nëse nuk takohet me dashurinë, nëse nuk e ekperimenton dhe nuk e bën të vetën, nëse nuk merr pjesë në të gjallërisht”[45].
Dashuria mes burrit e gruas në martesë dhe, në formën e rrjedhur e të zgjeruar, dashuria mes anëtarëve të së njëjtës familje – mes prindërve e bijve, mes vëllezërve e motrave, mes të afërmve e familjarëve – frymëzohet e nxitet nga një dinamizëm i brendshëm dhe i pareshtur, që e çon familjen në një bashkim gjithnjë e më të thellë e të dendur, themel dhe shpirt i bashkësisë bashkëshortore e familjare.
Njësia e pandashme e bashkimit bashkëshortor
- Bashkimi i parë është ai që vendoset e zhvillohet mes bashkëshortëve: me fuqinë e besëlidhjes së dashurisë bashkëshortore, burri e gruaja “nuk janë më dy, por një trup i vetëm”[46] dhe janë të thirrur të rriten vazhdimisht në bashkimin e tyre nëpërmjet besnikërisë së përditshme ndaj premtimit martesor të dhurimit të plotë të ndërsjellë.
Ky bashkim bashkëshortor i ka rrënjët e veta në përplotësimin natyror që ekziston mes burrit e gruas, dhe ushqehet nëpërmjet vullnetit personal të bashkëshortëve për ta bashkëndarë tërë planin e jetës, atë që kanë e atë që janë: prandaj ky bashkim është fryti dhe shenja e një kërkese thellësisht njerëzore. Por në Krishtin Zot, Hyji e merr këtë kërkesë njerëzore, e përforcon, e pastron dhe e lartëson, duke e çuar drejt përsosmërisë me sakramentin e kurorës së martesës: Shpirti Shenjt i zbritur në kremtimin sakramental u jep bashkëshortëve të krishterë dhuratën e një bashkimi të ri dashurie, që është shëmbëlltyra e gjallë dhe reale e asaj njësie shumë të veçantë që e bën Kishën Trup të pandashëm mistik të Zotit Jezus.
Dhurata e Shpirtit është urdhërim jete për bashkëshortët e krishterë, dhe njëkohësisht edhe shtytje nxitëse me qëllim që çdo ditë të përparojnë drejt një bashkimi gjithnjë e më të pasur mes tyre në të gjitha nivelet – të trupave, të karaktereve, të zemrave, të inteligjencave dhe të vullneteve, të shpirtrave[47] -, duke i zbuluar kështu Kishës dhe botës bashkimin e ri të dashurisë të dhuruar prej hirit të Krishtit.
Një bashkim i tillë kundërshtohet rrënjësisht prej poligamisë: në të vërtetë, kjo e mohon në mënyrë të drejtpërdrejtë planin e Hyjit siç na zbulohet në zanafillë, sepse është kundër dinjitetit të barabartë personal të burrit e të gruas, që në martesë i dhurohen njëri-tjetrit me një dashuri të plotë dhe prandaj të vetme e ekskluzive. Siç shkruan Koncili II i Vatikanit: “Njësia e martesës e përforcuar nga Zoti shfaqet në mënyrë qartë edhe prej dinjitetit të barabartë personal si të burrit ashtu edhe të gruas, që duhet të pranohet në dashurinë e ndërsjellë e të plotë”[48].
Një bashkim i pazgjidhshëm
- Bashkimi bashkëshortor karakterizohet jo vetëm nga njësia e tij, por edhe nga pazgjidhshmëria e tij: “Ky bashkim i brendshëm, si dhurim i ndërsjellë i dy personave, ashtu si edhe e mira e bijve, kërkojnë besnikërinë e plotë të bashkëshortëve dhe pretendojnë njësinë e pazgjidhshme të tyre”[49].
Është detyrë themelore e Kishës të ripohojë me forcë – siç kanë bërë Etërit e Sinodit – doktrinën e pazgjidhshmërisë së kurorës së martesës: atyre që, në ditët tona, e mendojnë si të vështirë ose madje edhe të pamundur të lidhen me një person për gjithë jetën dhe atyre që janë të përfshirë nga një kulturë që nuk e pranon pazgjidhshmërinë martesore, dhe e përqesh haptazi angazhimin e bashkëshortëve për besnikëri, është e nevojshme t’u përsërisim lajmin e mirë të definitivitetit të asaj dashurie bashkëshortore, që në Jezu Krishtin ka themelin dhe forcën e vet[50].
E rrënjosur në dhurimin personal e të plotë të bashkëshortëve dhe e kërkuar prej së mirës së bijve, pazgjidhshmëria e martesës e gjen të vërtetën e vet të fundit në planin që Hyji ka shfaqur në Zbulesën e tij: Ai e dëshiron dhe e dhuron pazgjidhshmërinë martesore si fryt, shenjë dhe kërkesë të dashurisë absolutisht besnike që Hyji ka për njeriun dhe që Zoti Jezus jeton ndaj Kishës së vet.
Krishti e përtërin planin e parë që Krijuesi e ka shkruar në zemrën e burrit e të gruas, dhe në kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës jep një “zemër të re”: kështu bashkëshortët jo vetëm që mund ta kapërcejnë “pagdhendurinë”[51], por edhe, dhe sidomos, mund të bashkëndajnë dashurinë e plotë e përfundimtare të Krishtit, Besëlidhje e re dhe e amshuar e bërë njeri. Ashtu sikurse Zoti Jezus është “dëshmitari besnik”[52], është “po”-ja e premtimeve të Hyjit[53] dhe prandaj realizimi më i lartë i besnikërisë së pakushtëzuar me të cilën Hyji e do popullin e vet, po ashtu edhe bashkëshortët e krishterë janë të thirrur të marrin pjesë realisht në pazgjidhshmërinë e pakthyeshme, që e lidh Krishtin me Kishën, nusen e vet, të cilën Ai e do deri në fund[54].
Dhurata e sakramentit është në të njëjtën kohë thirrje dhe urdhërim për bashkëshortët e krishterë, që t’i qëndrojnë besnikë përgjithmonë njëri-tjetrit, pavarësisht prej çdo prove e vështirësie, në një dëgjesë zemërgjerë ndaj vullnetit të shenjtë të Zotit: “Çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”[55].
Dëshmimi i vlerës së paçmueshme të pazgjidhshmërisë dhe të besnikërisë martesore është njëra prej detyrave më të çmueshme dhe më të ngutshme të çifteve të krishtera të kohës sonë. Prandaj, së bashku me të gjithë Bashkëvëllezërit që kanë marrë pjesë në Sinodin e Ipeshkvinjve, lavdëroj dhe i nxis të gjitha ato çifte të shumta që, megjithëse duke takuar vështirësi jo të lehta, e ruajnë dhe e zhvillojnë të mirën e pazgjidhshmërisë: kështu, në një mënyrë të përvuajtur e të guximshme, përmbushin rolin që u është besuar atyre për të qenë në botë një “shenjë” – një shenjë e vogël dhe e çmueshme, nganjëherë e nënshtruar edhe tundimit, por gjithnjë e përtërirë – e besnikërisë së palodhshme me të cilën Hyji dhe Jezu Krishti i duan të gjithë njerëzit dhe çdo njeri. Por është detyrë edhe të njihet vlera e dëshmisë së atyre bashkëshortëve që, megjithëse janë braktisur prej partnerëve, me forcën e fesë dhe të shpresës së krishterë nuk kanë kaluar në një bashkim të ri: edhe këta bashkëshortë japin një dëshmi të përnjëmendtë besnikërie, për të cilën bota e sotme ka shumë nevojë. Për këtë arsye duhet të nxiten dhe të ndihmohen prej barinjve dhe prej besimtarëve të Kishës.
Bashkimi më i gjerë i familjes
- Bashkimi bashkëshortor përbën themelin mbi të cilin ndërtohet bashkimi më i gjerë i familjes, i prindërve dhe i bijve, i vëllezërve e motrave mes tyre, i të afërmve dhe familjarëve të tjerë.
Ky bashkim i ka rrënjët në lidhjet natyrore të mishit e të gjakut, dhe zhvillohet duke e gjetur përsosjen e vet njerëzore në vendosjen dhe në pjekurimin e lidhjeve edhe më të thella e të pasura të shpirtit: dashuria, që frymëzon marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të ndryshëm të familjes, përbën forcën e brendshme që plazmon dhe i jep jetë bashkimit dhe bashkësisë familjare.
Pastaj, familja e krishterë është e thirrur të bëjë përvojën e një bashkimi të ri e origjinal, që përforcon dhe përsos atë natyror e njerëzor. Në të vërtetë, hiri i Jezu Krishtit, “vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve”[56], është për natyrën dhe dinamizmin e vet të brendshëm një “hir vëllazërie”, siç e quan shën Toma i Akuinit[57]. Shpirti Shenjt, i zbritur në kremtimin e sakramenteve, është rrënja e gjallë dhe ushqimi i pashtershëm i bashkimit mbinatyror që bashkon dhe i lidh besimtarët me Krishtin dhe mes tyre në njësinë e Kishës së Hyjit. Një zbulim dhe zbatim specifik i bashkimit kishtar bëhet prej familjes së krishterë, që edhe për këtë arsye mund dhe duhet të quhet “Kishë shtëpiake”[58].
Të gjithë anëtarët e familjes, secili sipas dhuratës së vet, kanë hirin dhe përgjegjësinë të ndërtojnë, ditë për ditë, bashkimin e personave, duke e bërë familjen një “shkollë njerëzimi më të plotë e më të pasur”[59]; është ajo që ndodh me kujdesin dhe dashurinë ndaj të vegjëlve, të sëmurëve dhe të moshuarve; me shërbimin e ndërsjellë çdo ditë; me bashkëndarjen e të mirave, të gëzimeve dhe të vuajtjeve.
Një moment themelor për të ndërtuar një bashkim të tillë përbëhet prej këmbimit edukativ mes prindërve e bijve[60], në të cilin secili jep e merr. Nëpërmjet dashurisë, respektit, dëgjesës ndaj prindërve, bijtë i sjellin ndihmesën e tyre specifike e të pazëvendësueshme ndërtimit të një familjeje përnjëmend njerëzore e të krishterë[61]. Në këtë do të ndihmohen, nëse prindërit do ta ushtrojnë autoritetin e tyre të pamohueshëm si një “shërbesë” të vërtetë, apo si një shërbim të caktuar për të mirën njerëzore e të krishterë të bijve, dhe në veçanti të caktuar për të bërë që ata të fitojnë një liri vërtet të përgjegjshme, dhe nëse prindërit do ta mbajnë të gjallë ndërgjegjen e “dhuratës”, që vazhdimisht marrin prej bijve.
Bashkimi familjar mund të ruhet e përsoset vetëm me një shpirt të madh sakrifice. Në të vërtetë, ai kërkon një disponibilitet të gatshëm e zemërgjerë të të gjithëve dhe të secilit për kuptim, tolerancë, falje, pajtim. Asnjë familje nuk e mospërfill faktin se egoizmi, moskuptimi, tensionet, konfliktet, e sulmojnë dhunshëm dhe nganjëherë e godasin për vdekje bashkimin e tyre; prej këtu rrjedhin format e shumta e të ndryshme të ndarjes në jetën familjare. Por, në të njëjtën kohë, çdo familje është gjithmonë e thirrur prej Hyjit të paqes që të bëjë përvojën e gëzueshme dhe përtëritëse të “pajtimit”, domethënë të bashkimit të rindërtuar, të njësisë së rigjetur. Në veçanti pjesëmarrja në sakramentin e pajtimit dhe në tryezën e të vetmit Trup të Krishtit i jep familjes së krishterë hirin dhe përgjegjësinë për të kapërcyer çdo ndarje dhe për të ecur drejt së vërtetës së plotë të bashkimit të kërkuar prej Hyjit, duke iu përgjigjur kështu dëshirës së gjallë të Zotit: që “të gjithë të jenë një gjë e vetme”[62].
Të drejtat dhe detyrat e gruas
- Meqenëse është, dhe duhet të bëhet gjithmonë, bashkim dhe bashkësi personash, familja gjen në dashurinë burimin dhe shtytjen e pareshtur për të pranuar, respektuar dhe promovuar secilin prej anëtarëve të saj në dinjitetin shumë të lartë si person, dhe domethënë si shëmbëlltyrë e gjallë e Hyjit. Ashtu sikurse kanë pohuar me të drejtë Etërit Sinodalë, kriteri moral i autenticitetit të marrëdhënieve bashkëshortore e familjare qëndron në promovimin e dinjitetit dhe të thirrjes së personave, të cilët e rigjejnë veten në plotësinë e tyre nëpërmjet dhurimit të sinqertë të vetvetes[63].
Në këtë perspektivë, Sinodi ka dashur t’i rezervojë një vëmendje të privilegjuar gruas, të drejtave dhe detyrave të saj në familje dhe në shoqëri. Në të njëjtën perspektivë duhen konsideruar edhe burri si bashkëshort e baba, fëmija dhe të moshuarit.
Për gruan duhet, para së gjithash, të vihet në dukje dinjiteti dhe përgjegjësia e barabartë me burrin: kjo barazi gjen një formë të veçantë realizimi, në dhurimin e ndërsjellë të vetvetes tjetrit dhe të të dyve fëmijëve, karakteristikë e martesës dhe e familjes. Ajo që vetë arsyeja njerëzore kupton dhe pranon, zbulohet në plotësi prej Fjalës së Hyjit: historia e shëlbimit, në të vërtetë, është një dëshmi e vazhdueshme dhe e ndritshme e dinjitetit të gruas.
Duke krijuar njeriun “mashkull e femër”[64], Hyji ia dhuron dinjitetin personal në mënyrë të barabartë burrit dhe gruas, duke i pasuruar me të drejtat e patjetërsueshme dhe me përgjegjësitë e personit njerëzor. Hyji pastaj e shfaq në formën më të lartë të mundshme dinjitetin e gruas duke e marrë edhe Ai vetë trupin njerëzor prej Marisë Virgjër, të cilën Kisha e nderon si Nënë të Hyjit, duke e quajtur Eva e re dhe duke e propozuar si model të gruas së shpërblyer. Respekti delikat i Jezusit ndaj gruas që ka thirrur në ndjekjen e tij dhe në miqësinë e tij, shfaqja e tij mëngjesin e Pashkëve një gruaje para nxënësve të tjerë, misioni i besuar grave për t’ua çuar lajmin e mirë të Ngjalljes apostujve, janë të gjitha shenja që përforcojnë vlerësimin e veçantë të Zotit Jezus ndaj gruas. Apostulli Pal do të thotë: “Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin… Nuk ka më: hebre-grek! Nuk ka më: skllav-i lirë! Nuk ka më: mashkull-femër! Të gjithë ju jeni Një në Krishtin Jezus!”[65].
Gruaja dhe shoqëria
- Tani, pa filluar të trajtojmë në aspektet e veta të ndryshme temën e gjerë e komplekse të marrëdhënieve grua-shoqëri, por duke e kufizuar argumentin vetëm në disa pika thelbësore, nuk mund të mos vëmë re se si në fushën më specifike familjare një traditë e gjerë dhe e përhapur shoqërore e kulturore ka dashur t’i rezervojë gruas vetëm detyrën e bashkëshortes e nënës, pa e hapur siç duhet ndaj detyrave publike, në përgjithësi të rezervuara burrit.
Nuk ka dyshim se dinjiteti dhe përgjegjësia e barabartë e burrit dhe e gruas e arsyetojnë plotësisht pjesëmarrjen e gruas në detyrat publike. Nga ana tjetër, promovimi i vërtetë i gruas kërkon edhe që të pranohet qartë vlera e detyrës së saj amnore e familjare përballë të gjitha detyrave të tjera publike dhe të gjitha profesioneve të tjera. Në fund të fundit, këto detyra e profesione duhet të integrohen mes tyre nëse duam që evolucioni shoqëror e kulturor të jetë vërtet dhe plotësisht njerëzor.
Kjo do të jetë më e lehtë nëse, sikurse Sinodi ka uruar, një “teologji e punës” e përtërirë do të vërë në dritë dhe do të thellojë domethënien e punës në jetën e krishterë dhe do të përcaktojë lidhjen themelore që ekziston mes punës dhe familjes, dhe, si pasojë, domethënien origjinale dhe të pazëvendësueshme të punës së shtëpisë dhe të edukimit të fëmijëve[66]. Prandaj Kisha mundet dhe duhet ta ndihmojë shoqërinë aktuale, duke kërkuar pareshtur që të njihet e të nderohet prej të gjithëve në vlerën e vet të pazëvendësueshme puna e gruas në shtëpi. Kjo ka një rëndësi të veçantë në veprën edukative: në të vërtetë, zhduket vetë rrënja e diskriminimit të mundshëm mes punëve e profesioneve të ndryshme, sapo të dalë qartë se si të gjithë, në çdo fushë, angazhohen me të drejtë identike dhe me përgjegjësi identike. Kështu do të shfaqet më e shkëlqyer shëmbëlltyra e Hyjit në burrin dhe në gruan.
Nëse duhet t’u njihet edhe grave, sikurse burrave, e drejta për të marrë pjesë në detyrat e ndryshme publike, shoqëria gjithsesi duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që bashkëshortet dhe nënat të mos jenë të detyruara faktikisht të punojnë jashtë shtëpisë dhe që familjet e tyre të mund të jetojnë e begatojnë në mënyrë dinjitoze, edhe pse ato i kushtohen tërësisht familjes së tyre.
Veç këtyre, duhet të kapërcehet mendësia sipas së cilës nderi i gruas rrjedh më shumë prej punës së jashtme se sa prej veprimtarisë familjare. Por kjo kërkon që burrat ta çmojnë dhe ta duan vërtet gruan me çdo respekt ndaj dinjitetit të saj personal, dhe që shoqëria të krijojë e të zhvillojë kushtet e përshtatshme për punën shtëpiake.
Kisha, me respektin e duhur për thirrjen e ndryshme të burrit e të gruas, duhet të promovojë në masën e mundshme në vetë jetën e saj barazinë e tyre të të drejtave dhe të dinjitetit: dhe këtë për të mirën e të gjithëve, të familjes, të shoqërisë dhe të Kishës.
Por është e qartë se gjithë kjo do të thotë për gruan jo heqje dorë prej feminilitetit të saj as imitim e karakterit mashkullor, por plotësi e njerëzimit të vërtetë femëror siç duhet shprehur në veprimin e saj, si në familje si jashtë saj, pa harruar në këtë fushë larminë e zakoneve dhe të kulturave.
Fyerjet ndaj dinjitetit të gruas
- Mjerisht mesazhi i krishterë mbi dinjitetin e gruas kundërshtohet prej asaj mendësie këmbëngulëse që e konsideron qenien njerëzore jo si person, por si gjë, si objekt blerje-shitjeje, në shërbim të interesit egoist dhe vetëm të kënaqësisë: dhe viktima e parë e kësaj mendësie është gruaja.
Kjo mendësi prodhon fryte shumë të hidhura, si përçmimi i burrit dhe i gruas, skllavëria, shtypja e të dobtëve, pornografia, prostitucioni – aq më tepër kur organizohet – dhe të gjithë ato diskriminime të ndryshme që ndeshen në fushën e edukimit, të profesionit, të shpërblimit të punës, etj.
Veç kësaj, ende edhe sot, në një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, vazhdojnë shumë forma të diskriminimit shtypës që godasin dhe fyejnë rëndë disa kategori të veçanta grash, si për shembull, bashkëshortet që nuk kanë fëmijë, të vejat, të ndarat, të divorcuarat, nënat-beqare.
Këto dhe diskriminime të tjera qortohen nga Etërit Sinodalë me gjithë forcën e mundur: prandaj kërkoj që nga ana e të gjithëve të kryhet një veprim baritor specifik më i fuqishëm dhe mbresëlënës, me qëllim që ato të mposhten përfundimisht, kështu që të arrihet në vlerësimin e plotë të shëmbëlltyrës së Hyjit që shkëlqen në të gjitha qeniet njerëzore, pa përjashtuar askënd.
Burri bashkëshort e baba
- Brenda bashkimit-bashkësi bashkëshortore e familjare, burri është i thirrur ta jetojë dhuratën dhe detyrën e vet si bashkëshort e baba.
Ai sheh në bashkëshorten përmbushjen e planit të Hyjit: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëj një ndihmë që t’i përngjajë”[67]; dhe e bën të vetën thirrjen e Adamit, bashkëshortit të parë: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim”[68].
Dashuria e përnjëmendtë bashkëshortore supozon dhe kërkon që burri të ketë respekt të thellë për dinjitetin e barabartë të gruas: “Nuk je pronari i saj – shkruan shën Ambrozi – por burri i saj; nuk të është dhënë si skllave, por si grua… Ktheja asaj përkujdesjet e saj ndaj teje dhe t’i jesh mirënjohës për dashurinë e saj”[69]. Me bashkëshorten burri duhet të jetojë “një formë krejt të veçantë miqësie personale”[70]. I krishteri pastaj është i thirrur të zhvillojë një qëndrim dashurie të re, duke shfaqur ndaj bashkëshortes së vet dashurinë delikate e të fortë që Krishti ka për Kishën[71].
Dashuria ndaj bashkëshortes së bërë nënë dhe dashuria ndaj bijve janë për burrin rruga natyrore për kuptimin dhe realizimin e atësisë së tij. Sidomos aty ku kushtet shoqërore e kulturore e nxisin lehtë babain për një mosangazhim në lidhje me familjen ose sidoqoftë për një prani më të vogël në veprën edukative, është e nevojshme të punohet që të rifitohet shoqërisht bindja se vendi dhe detyra e babait në dhe për familjen kanë një rëndësi të vetme dhe të pazëvendësueshme[72]. Ashtu siç mëson përvoja, mungesa e babait provokon çekuilibre psikologjike e morale dhe vështirësi të ndjeshme në marrëdhëniet familjare, ashtu sikurse, në rrethanat e kundërta, prania shtypëse e babait, sidomos aty ku është ende në zbatim dukuria e “mashkullizmit”, apo e epërsisë abuzive të privilegjeve mashkullore që e përulin gruan dhe pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve të shëndosha familjare.
Duke zbuluar dhe duke rijetuar në tokë vetë atësinë e Hyjit[73], burri është i thirrur të garantojë zhvillimin unitar të të gjithë anëtarëve të familjes: do ta kryejë këtë rol nëpërmjet një përgjegjësie zemërgjerë për jetën e zënë nën zemrën e nënës, një angazhimi edukativ më të kujdesshëm dhe të bashkëndarë me bashkëshorten e vet[74], një pune që nuk do e copëtojë kurrë familjen por do e promovojë atë në kompaktësinë dhe qëndrueshmërinë e saj, një dëshmie jete të krishterë të pjekur, që i fut më frytshëm fëmijët në përvojën e gjallë të Krishtit dhe të Kishës.
Të drejtat e fëmijës
- Në familjen, bashkësinë e personave, duhet t’i jepet një vëmendje shumë e veçantë fëmijës, duke zhvilluar një vlerësim të thellë për dinjitetin e tij personal, ashtu si edhe një respekt të madh dhe një shërbim zemërgjerë për të drejtat e tij. Kjo vlen për çdo fëmijë, por merr një ngutshmëri të veçantë sa më shumë që fëmija të jetë i vogël dhe nevojtar për gjithçka, i sëmurë, i vuajtur apo handikapat.
Duke nxitur e duke jetuar një përkujdesje të ëmbël dhe të fortë për çdo fëmijë që vjen në këtë botë, Kisha kryen misionin e vet themelor: në të vërtetë, ajo është e thirrur të zbulojë dhe të ripropozojë në histori shembullin dhe urdhrin e Jezu Krishtit, i cili ka dashur ta vendosë fëmijën në qendër të Mbretërisë së Hyjit: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë… sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit”[75].
Po e përsëris atë që kam thënë në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2 tetor 1979: “Dëshiroj… të shpreh gëzimin që për secilin prej nesh përbëjnë fëmijët, pranvera e jetës, paraprirja e historisë së ardhshme të secilit prej atdheve të tashëm tokësorë. Asnjë vend i botës, asnjë sistem politik nuk mund ta mendojë të ardhmen e vet përveçse nëpërmjet shëmbëlltyrës së këtyre brezave të rinj që prej prindërve të tyre do të marrin pasurinë e shumëfishtë të vlerave, të detyrave dhe të aspiratave të kombit të cilit i përkasin dhe të të gjithë familjes njerëzore. Kujdesi për fëmijën që para lindjes së tij, prej momentit të të zënit të tij dhe, më pas, në vitet e fëmijërisë e të rinisë, është verifikimi parësor dhe themelor i marrëdhënies së njeriut me njeriun. Prandaj, çfarë do të mund t’i urohej çdo kombi dhe krejt njerëzimit, të gjithë fëmijëve të botës nëse jo ajo e ardhme më e mirë në të cilën respektimi i të drejtave të njeriut të bëhet realitet i plotë në dimensionet e vitit dymijë që po afrohet?”[76].
Pranimi, dashuria, vlerësimi, shërbimi i shumëfishtë dhe unitar – material, afektiv, edukativ, shpirtëror – për çdo fëmijë që vjen në këtë botë duhet të përbëjnë gjithmonë një karakteristikë dalluese të domosdoshme të të krishterëve, veçanërisht të familjeve të krishtera: kështu fëmijët, ndërsa do të mund të rriten “në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve”[77], do të sjellin ndihmesën e tyre të çmueshme në ndërtimin e bashkësisë familjare dhe në vetë shenjtërimin e prindërve[78].
Të moshuarit në familje
- Ka kultura që shfaqin një nderim të veçantë dhe një dashuri të madhe për të moshuarin: larg të qenit i nxjerrë jashtë loje prej familjes ose prej të qenit i padobishëm, i moshuari mbetet i përfshirë në jetën familjare, vazhdon të marrë pjesë në të në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme – megjithëse duhet të respektojë autonominë e familjes së re – dhe sidomos kryen misionin e çmueshëm të dëshmitarit të së kaluarës dhe të frymëzuesit të urtisë për të rinjtë dhe për të ardhmen.
Ndërsa disa kultura të tjera, sidomos pas një zhvillimi të çrregullt industrial dhe urbanistik, i kanë çuar dhe vazhdojnë t’i çojnë të moshuarit drejt disa formave të papranueshme të mënjanimit, që janë burim i vuajtjeve të mprehta për ata vetë dhe varfërimi shpirtëror për shumë familje.
Është e nevojshme që veprimi baritor i Kishës t’i nxisë të gjithë që të zbulojnë dhe t’u japin vlerë detyrave të të moshuarve në bashkësinë civile dhe kishtare, dhe në veçanti në familje. Në të vërtetë, “jeta e të moshuarve na ndihmon të bëjmë dritë mbi shkallën e vlerave njerëzore, na bën të shohim vazhdimësinë e breznive dhe tregon në mënyrë të mrekullueshme ndërvartësinë e popullit të Hyjit. Veç kësaj, të moshuarit kanë karizmën t’i kapërcejnë pengesat mes breznive, para se këto të lindin. Sa fëmijë kanë gjetur mirëkuptim e dashuri në sytë, në fjalët e në përkëdheljet e të moshuarve! E sa persona të moshuar, me gjithë qejf, i kanë nënshkruar fjalët e frymëzuara biblike se “kurora e pleqve bijtë e të bijve” (Fu 17, 6)”[79].
II – Shërbimi ndaj jetës
1) Përçimi i jetës
Bashkëpunëtorë të dashurisë së Hyjit Krijues
- Me krijimin e burrit e të gruas në shëmbëlltyrën e përngjasimin e vet, Hyji e kurorëzon dhe e çon në përsosmëri veprën e duarve të veta: Ai i thërret për një pjesëmarrje të veçantë të dashurisë së tij dhe njëkohësisht të pushtetit të tij si Krijues e Atë, nëpërmjet bashkëpunimit të tyre të lirë e të përgjegjshëm për të përçuar dhuratën e jetës njerëzore: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë”[80].
Kështu detyra themelore e familjes është shërbimi ndaj jetës, realizimi gjatë historisë i bekimit zanafillor të Krijuesit, duke përçuar në lindjen e bijve shëmbëlltyrën hyjnore nga njeriu në njeri[81].
Pjelloria është fryti dhe shenja e dashurisë bashkëshortore, dëshmia e gjallë e dhurimit të plotë të ndërsjellë të bashkëshortëve: “Kulti i vërtetë i dashurisë bashkëshortore dhe e gjithë struktura familjare që lind prej saj, pa lënë pas dore qëllimet e tjera të martesës, drejt kësaj priren, që bashkëshortët, me forcën e shpirtit, të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me dashurisë e Krijuesit dhe të Shëlbuesit, që nëpërmjet tyre vazhdimisht e zgjeron dhe e pasuron familjen e tij”[82].
Por pjelloria e dashurisë bashkëshortore nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve, qoftë edhe e kuptuar në dimensionin e vet në mënyrë specifike njerëzor: zgjerohet dhe pasurohet me të gjithë ato fryte të jetës morale, shpirtërore dhe mbinatyrore që babai dhe nëna janë të thirrur t’u dhurojnë bijve, dhe nëpërmjet bijve, Kishës dhe botës.
Doktrina dhe norma gjithmonë të vjetra dhe gjithmonë të reja të Kishës
- Pikërisht sepse dashuria e bashkëshortëve është një pjesëmarrje e veçantë në misterin e jetës dhe të dashurisë së vetë Hyjit, Kisha e di se ka marrë misionin e veçantë ta ruajë dhe ta mbrojë dinjitetin shumë të lartë të martesës dhe përgjegjësinë shumë të madhe të përçimit të jetës njerëzore.
Kështu, në vazhdimësi me traditën e gjallë të bashkësisë kishtare gjatë historisë, Koncili II i Vatikanit dhe magjisteri i Paraardhësit tim Palit VI, i shprehur sidomos në enciklikën Humanae vitae, u kanë transmetuar kohëve tona një shpallje vërtet profetike, që ripohon dhe ripropozon me qartësi doktrinën dhe normën gjithmonë të vjetër e gjithmonë të re të Kishës mbi martesën dhe mbi përçimin e jetës njerëzore.
Prandaj, në asamblenë e tyre të fundit, Etërit Sinodalë tekstualisht kanë deklaruar: “Ky Sinod i Shenjtë, i mbledhur në njësinë e fesë me Pasardhësin e Pjetrit, vendosmërisht e mban atë që në Koncilin II të Vatikanit (krh. Gaudium et spes, 50), dhe, më pas, në enciklikën Humanae vitae propozohet, dhe në veçanti se dashuria bashkëshortore duhet të jetë plotësisht njerëzore, ekskluzive dhe e hapur ndaj jetës së re (Humanae vitae, nr. 11, dhe krh. 9 e 12)”[83].
Kisha është me jetën
- Doktrina e Kishës vendoset sot në një situatë shoqërore dhe kulturore, që e bën atë njëkohësisht më të vështirë për t’u kuptuar dhe më të ngutshme e të pazëvendësueshme për të promovuar të mirën e vërtetë të burrit e të gruas.
Në të vërtetë, përparimi shkencoro-teknik, që njeriu bashkëkohor e rrit vazhdimisht në zotërimin e tij të natyrës, nuk zhvillon vetëm shpresën për të krijuar një njerëzim të ri e më të mirë, por edhe një ankth gjithnjë e më të thellë në lidhje me të ardhmen. Disa pyesin nëse është mirë të jetojnë apo nëse do të kishte qenë më mirë të mos kishin lindur; dyshojnë, nëse është e ligjshme t’i thërrasin të tjerët në jetë, të cilët ndoshta do ta mallkojnë ekzistencën e tyre në një botë mizore, terroret e së cilës as nuk mund të parashikohen. Disa të tjerë mendojnë se janë të vetmit destinatarë të dobive të teknikës dhe i përjashtojnë të tjerët, të cilëve u imponohen mjete kontraceptive apo metoda edhe më të këqija. Të tjerë ende, robër siç janë të mendësisë konsumistike dhe me të vetmin shqetësim për një shtim të vazhdueshëm të të mirave materiale, nuk arrijnë të kuptojnë më tepër dhe prandaj nuk e pranojnë pasurinë shpirtërore të një jete të re njerëzore. Arsyeja e fundit e kësaj mendësie është mungesa, në zemrën e njerëzve, e Hyjit, vetëm dashuria e të cilit është më e fortë se të gjitha frikat e mundshme të botës dhe mund t’i mposhtë ato.
Kështu ka lindur një mendësi kundër jetës (anti-life mentality), siç del në shumë çështje aktuale: të mendojmë, për shembull, për një farë paniku që rrjedh prej studimeve të ekologëve dhe të futurologëve mbi demografinë, që nganjëherë e zmadhojnë rrezikun e shtimit demografik për cilësinë e jetës.
Por Kisha vendosmërisht beson se jeta njerëzore, edhe pse e dobët dhe e vuajtur, është gjithmonë një dhuratë e shkëlqyeshme e Hyjit të mirësisë. Kundër pesimizmit dhe egoizmit, që e errësojnë botën, Kisha është me jetën: dhe në secilën jetë njerëzore di të zbulojë shkëlqimin e asaj “Po”-je, të atij “Amen”-i, që është vetë Krishti[84]. “Jo”-së qe e pushton dhe e mundon botën, i kundërvë këtë “Po” të gjallë, duke mbrojtur në këtë mënyrë njeriun dhe botën prej atyre që e rrezikojnë dhe e shtypin jetën.
Kisha është e thirrur t’ua shfaqë të gjithëve, me një bindje më të qartë e më të vendosur, vullnetin e vet për të promovuar me çdo mjet e për të mbrojtur kundër çdo rreziku jetën njerëzore, në çfarëdo kushtesh e stadi të zhvillimit që gjendet ajo.
Prandaj Kisha i dënon si fyerje të rënda të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë të gjitha ato veprimtari të qeverive apo të autoriteteve të tjera publike, që synojnë ta kufizojnë në çfarëdo mënyre lirinë e bashkëshortëve për të vendosur për fëmijët. Si pasojë, çfarëdo dhune e ushtuar nga këto autoritete në dobi të kontracepsionit si edhe të sterilizimit e abortit të shkaktuar duhet dënuar e përbuzur me forcë. Në të njëjtën mënyrë duhet urryer si shumë i padrejtë fakti se në marrëdhëniet ndërkombëtare ndihma ekonomike e dhënë për promovimin e popujve kushtëzohet në programe kontracepsioni, sterilizimi dhe aborti të shkaktuar[85].
Që plani hyjnor të aktualizohet gjithnjë e më plotësisht
- Sigurisht, Kisha është e vetëdijshme edhe për problemet e shumta e komplekse, që sot në shumë vende i përfshijnë bashkëshortët në detyrën e tyre të përçimit në mënyrë të përgjegjshme të jetës. E njeh edhe problemin e rëndë të shtimit demografik, siç paraqitet në anë të ndryshme të botës, me implikimet morale që ai sjell me vete.
Megjithatë, ajo mendon se një konsiderim i thellë i të gjitha aspekteve të këtyre problemeve jep një konfirmim të ri e më të fortë të rëndësisë së doktrinës autentike rreth rregullimit të lindshmërisë, të ripropozuar në Koncilin II të Vatikanit dhe në Enciklikën Humanae vitae.
Prandaj, së bashku me Etërit e Sinodit, ndiej detyrën t’u drejtoj një ftesë nxitëse teologëve, me qëllim që, duke i bashkuar forcat e tyre për të bashkëpunuar me Magjisterin hierarkik, të angazhohen për të nxjerrë gjithnjë e më mirë në dritë themelet biblike, motivimet etike dhe arsyet personalistike të kësaj doktrine. Kështu do të jetë e mundur që, në kontekstin e një paraqitjeje organike, doktrina e Kishës mbi këtë kapitull vërtet të rëndësishëm të bëhet e kuptueshme për të gjithë njerëzit vullnetmirë, duke favorizuar kuptimin e saj çdo ditë e më të ndriçuar dhe të thellë: në këtë mënyrë projekti hyjnor do të mund të zbatohet gjithnjë e më thellësisht për shëlbimin e njeriut dhe për lavdinë e Krijuesit.
Në lidhje me këtë, angazhimi i njëzëshëm i teologëve, i frymëzuar nga bashkimi i bindur me Magjisterin, që është i vetmi udhërrëfyes autentik i Popullit të Hyjit, paraqet një ngutshmëri të veçantë edhe për arsye të lidhjes së brendshme që ekziston mes doktrinës katolike mbi këtë pikë dhe vizionit të njeriut që Kisha propozon: dyshimet apo gabimet në fushën martesore apo familjare sjellin një errësim të madh të së vërtetës integrale mbi njeriun në një situatë kulturore tashmë kaq shpesh të ngatërruar e kontradiktore. Kontributi i ndriçimit dhe i thellimit, që teologët janë të thirrur të japin në përmbushje të detyrës së tyre specifike, ka një vlerë të pakrahasueshme dhe përfaqëson një shërbim të veçantë, plot merita, ndaj familjes dhe njerëzimit.
Në vizionin integral të njeriut dhe të thirrjes së tij
- Në kontekstin e një kulture që e deformon rëndë ose madje edhe e humb domethënien e vërtetë të seksualitetit njerëzor, sepse e çrrënjos prej referimit të tij thelbësor në personin, Kisha e ndien më të ngutshëm dhe të pazëvendësueshëm misionin e saj të paraqitjes së seksualitetit si vlerë dhe detyrë e gjithë personit të krijuar, mashkull e femër, në shëmbëlltyrë të Hyjit.
Në këtë perspektivë Koncili II i Vatikanit ka pohuar qartë se “kur bëhet fjalë për të formuar dashurinë bashkëshortore me përçimin e përgjegjshëm të jetës, karakteri moral i sjelljes nuk varet vetëm prej synimit të sinqertë dhe prej vlerësimit të arsyeve, por duhet përcaktuar edhe prej kritereve objektive, që e kanë themelin e tyre në vetë natyrën e personit njerëzor dhe të akteve të tij dhe janë të destinuara të mbajnë në një kontekst dashurie të vërtetë kuptimin e plotë të dhurimit të ndërsjellë dhe të lindjes njerëzore; dhe gjithë kjo nuk do të jetë e mundshme nëse nuk kultivohet me shpirt të sinqertë virtyti i pastërtisë bashkëshortore”[86].
Pikërisht duke lëvizur prej “vizionit integral të njeriut dhe të thirrjes së tij, jo vetëm natyrore e tokësore, por edhe mbinatyrore e të amshuar”[87], Pali VI ka pohuar se doktrina e Kishës “është e themeluar në lidhjen e pazgjidhshme, që Hyji ka dashur dhe që njeriu nuk mund ta prishë me nismën e vet, mes dy domethënieve të aktit bashkëshortor: domethënia bashkuese dhe domethënia e lindjes së fëmijëve”[88]. Dhe ka përfunduar duke theksuar se duhet përjashtuar si shumë i pandershëm “çdo veprim që, ose në parashikim të aktit bashkëshortor, ose në kryerjen e tij, ose në zhvillimin e pasojave të tij natyrore, synon, si qëllim apo si mjet, ta bëjë të pamundshme lindjen e fëmijëve”[89].
Kur bashkëshortët, nëpërmjet përdorimit të kontracepsionit, i ndajnë këto dy domethënie që Hyji Krijues i ka vënë në qenien e burrit e të gruas dhe në dinamizmin e bashkimit të tyre seksual, sillen si “arbitra” të planit hyjnor dhe “manipulojnë” e poshtërojnë seksualitetin njerëzor, dhe me të edhe vetë personin e bashkëshortit, duke e tjetërsuar vlerën e dhurimit “të tërësishëm”. Kështu, gjuhës së plotë të bashkëshortëve, kontracepsioni i imponon një gjuhë objektivisht kontradiktore, pra atë të mosdhurimit tjetrit në tërësi: nga këtu rrjedh, jo vetëm refuzimi pozitiv ndaj hapjes së jetës, por edhe një fallsifikim i të vërtetës së brendshme të dashurisë bashkëshortore, të thirrur për t’u dhuruar në tërësinë personale.
Ndërsa kur bashkëshortët, nëpërmjet përdorimit të periudhave të pafrytshmërisë, respektojnë lidhjen e pazgjidhshme të domethënieve bashkuese e të lindjes të seksualitetit njerëzor, sillen si “mbarështues” të planit të Hyjit dhe e “përdorin” seksualitetin sipas dinamizmit zanafillor të dhurimit “të tërësishëm”, pa manipulime dhe tjetërsime[90].
Në dritën e vetë përvojës së shumë çifteve bashkëshortore dhe të të dhënave të shkencave të ndryshme njerëzore, reflektimi teologjik mund të kuptojë dhe është i thirrur të thellojë ndryshimin antropologjik dhe njëkohësisht moral, që ekziston mes kontracepsionit dhe përdorimit të ritmeve kohore: bëhet fjalë për një ndryshim shumë më të gjerë dhe më të thellë se sa mendohet zakonisht dhe përfshin në analizë të fundit dy konceptime të personit dhe të seksualitetit njerëzor mes tyre të pandashëm. Zgjedhja e ritmeve natyrore sjell me vete pranimin e kohës së personit, domethënë të gruas, dhe me këtë edhe pranimin e dialogut, të respektit të ndërsjellë, të përgjegjësisë së përbashkët, të zotërimit të vetvetes. Pastaj, të pranosh kohën dhe dialogun do të thotë të njohësh karakterin njëkohësisht shpirtëror e trupor të bashkimit bashkëshortor, ashtu si edhe të jetosh dashurinë personale në kërkesën e saj për besnikëri. Në këtë kontekst çifti bën përvojën se bashkimi bashkëshortor pasurohet me ato vlera ëmbëlsie e ndjenjash, të cilat përbëjnë shpirtin e thellë të seksualitetit njerëzor, edhe në dimensionin e tij fizik. Në këtë mënyrë seksualiteti respektohet dhe promovohet në dimensionin e tij vërtet dhe plotësisht njerëzor, dhe nuk “përdoret” kurrë si një “objekt” që, duke e shpërbërë njësinë personale të shpirtit e trupit, godet vetë krijimin e Hyjit në gërshetimin më të thellë mes natyrës dhe personit.
Kisha Mësuese dhe Nënë për bashkëshortët në vështirësi
- Edhe në fushën e moralit bashkëshortor Kisha është dhe vepron si Mësuese e Nënë.
Si Mësuese, ajo nuk lodhet së shpalluri normën morale që duhet ta udhëheqë përçimin e përgjegjshëm të jetës. Për këtë normë Kisha nuk është aspak as autore as arbitre. Në dëgjesë ndaj së vërtetës, që është Krishti, shëmbëlltyra e të cilit pasqyrohet në natyrën dhe në dinjitetin e personit njerëzor, Kisha interpreton normën morale dhe ua propozon të gjithë njerëzve vullnetmirë, pa i fshehur kërkesat e saj për rrënjësi dhe përsosmëri.
Sikurse Maria, Kisha u qëndron afër shumë çifteve të bashkëshortëve që gjenden në vështirësi në këtë pikë të rëndësishme të jetës morale: e njeh mirë situatën e tyre, shpesh shumë të guximshme dhe nganjëherë vërtet të trazuar nga vështirësi të çdo lloji, jo vetëm individuale por edhe shoqërore; e di se shumë bashkëshortë ndeshin vështirësi jo vetëm për realizimin konkret, por edhe për vetë kuptimin e vlerave që gjenden në normën morale.
Por e njëjta Kisha është dhe e vetmja që njëkohësisht është Mësuese dhe Nënë. Prandaj Kisha nuk resht kurrë së ftuari dhe nxituri, që vështirësitë e mundshme bashkëshortore të zgjidhen pa e fallsifikuar dhe komprometuar kurrë të vërtetën: në të vërtetë, ajo është e bindur se nuk mund të ketë kundërshtim të vërtetë mes ligjit hyjnor të përçimit të jetës dhe atij të favorizimit të dashurisë autentike bashkëshortore[91]. Prandaj, pedagogjia konkrete e Kishës duhet të jetë gjithmonë e lidhur dhe kurrë e ndarë prej doktrinës së saj. Për këtë arsye, përsëris me të njëjtën vendosmëri të Paraardhësit tim: “Mos zhvleftësimi në asgjë i doktrinës së shëndoshë të Krishtit është forma e shkëlqyer e dashurisë ndaj shpirtrave”[92].
Nga ana tjetër, pedagogjia e vërtetë kishtare e zbulon realizmin e vet dhe dijen e vet vetëm duke zhvilluar një angazhim këmbëngulës dhe të guximshëm në krijimin dhe mbështetjen e atyre kushteve njerëzore – psikologjike, morale e shpirtërore – që janë të domosdoshme për ta kuptuar dhe për ta jetuar vlerën dhe normën morale.
Nuk ka dyshim se mes këtyre kushteve duhen numëruar qëndrueshmëria dhe durimi, përvujtëria dhe forca e shpirtit, besimi bijësor në Hyjin dhe në hirin e tij, lutja dhe pjesëmarrja e shpeshtë në sakramentet e Eukaristisë dhe të pajtimit[93]. Të forcuar në këtë mënyrë, bashkësortët e krishterë do të mund ta mbajnë gjallë vetëdijen e ndikimit të veçantë që hiri i sakramentit të kurorës së martesës ushtron në të gjitha realitetet e jetës bashkëshortore, pra edhe në seksualitetin e tyre: dhurata e Shpirtit, e pranuar dhe e këmbyer prej bashkëshortëve, i ndihmon ta jetojnë seksualitetin njerëzor sipas planit të Hyjit dhe si shenjë të dashurisë bashkuese e të frytshme të Krishtit për Kishën e vet.
Por mes tre kushteve të nevojshme hyn edhe njohja e trupit dhe e ritmeve të tij të pjellorisë. Në këtë kuptim duhet bërë gjithçka është e mundur që një njohje e tillë të jetë e mundshme për të gjithë bashkëshortët, dhe aq më tepër për personat e rinj, nëpërmjet një informacioni dhe një edukimi të qartë, në kohën e duhur dhe seriozë, me veprën e çifteve, mjekëve dhe ekspertëve. Njohja pastaj duhet të përfundojë në edukimin për vetëkontroll: prej këtu rrjedh nevoja absolute e virtytit të pastërtisë dhe e edukimit të përhershëm në të. Sipas këndvështrimit të krishterë, pastërtia nuk do të thotë aspak as refuzim as nënvleftësim i seksualitetit njerëzor: por do të thotë energji shpirtërore, që di ta mbrojë dashurinë prej rreziqeve të egoizmit dhe të agresivitetit dhe di ta promovojë drejt realizimit të saj të plotë.
Pali VI, me një intuitë të thellë dijeje dhe dashurie, nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka dhënë zë përvojës së shumë çifteve bashkëshortësh kur ka shkruar në të njëjtën enciklikë: “Zotërimi i instinktit, nëpërmjet arsyes dhe vullnetit të lirë, imponon padyshim një askezë, me qëllim që shfaqjet e dashurisë të jetës bashkëshortore të jenë sipas rendit të drejtë dhe në veçanti për zbatimin e vetëpërmbajtjes periodike. Por kjo disiplinë, karakteristike e çiltërsisë së bashkëshortëve, pa e dëmtuar dashurinë bashkëshortore, i jep asaj një vlerë më të lartë njerëzore. Kërkon një përpjekje të vazhdueshme, por falë ndikimit të vet të mirë bashkëshortët zhvillojnë në mënyrë të tërësishme personalitetin e tyre duke u pasuruar me vlera shpirtërore: ajo i sjell jetës familjare fryte kthjelltësie e paqeje dhe e lehtëson zgjidhjen e problemeve të tjera; favorizon vëmendjen ndaj bashkëshortit tjetër, i ndihmon bashkëshortët ta largojnë egoizmin, armikun e dashurisë së vërtetë, dhe thellon kuptimin e tyre të përgjegjësisë në kryerjen e detyrave të tyre. Prindërit fitojnë bashkë me të edhe aftësinë e një ndikimi më të thellë e më të frytshëm për edukimin e bijve”[94].
Itinerari moral i bashkëshortëve
- Ka gjithmonë një rëndësi të madhe të kemi një konceptim të drejtë të rendit moral, të vlerave të tij dhe të normave të tij: rëndësia rritet kur edhe më të shumta e më të rënda bëhen vështirësitë për t’i respektuar ato.
Pikërisht sepse zbulon dhe propozon planin e Hyjit Krijues, rendi moral nuk mund të jetë diçka shtypëse për njeriun dhe diçka jo personale; përkundrazi, duke iu përgjigjur nevojave më të thella të njeriut të krijuar prej Hyjit, vihet në shërbim të njerëzimit të tij të plotë, me dashurinë delikate e angazhuese me të cilën vetë Hyji e frymëzon, e mbështet dhe e udhëheq çdo krijesë drejt lumturisë së vet.
Por njeriu i thirrur për ta jetuar në mënyrë të përgjegjshme planin e dijes e të dashurisë së Hyjit, është një qenie historike, që formohet ditë pas dite, me zgjedhjet e veta të shumta të lira: prandaj ai njeh, do dhe kryen të mirën morale sipas etapave të rritjes.
Edhe bashkëshortët, në aspektin e jetës së tyre morale, janë të thirrur në një ecje të pareshtur, të mbështetur prej dëshirës së sinqertë dhe vepruese për t’i njohur gjithnjë e më mirë vlerat që ligji hyjnor ruan dhe promovon, dhe nga vullneti i drejtë e zemërgjerë për t’i mishëruar në zgjedhjet e tyre konkrete. Megjithatë, ata nuk mund ta shohin ligjin vetëm si një ideal të pastër që duhet arritur në të ardhmen, por duhet ta konsiderojnë si një urdhërim të Krishtit Zot për të kapërcyer me angazhim vështirësitë. «Prandaj i ashtuquajturi “ligj i gradualitetit”, ose ecje graduale, nuk mund të identifikohet me “gradualitetin e ligjit”, a thua se ka shkallë të ndryshme e forma të ndryshme të rregullës në ligjin hyjnor për njerëzit dhe për situatat e ndryshme. Të gjithë bashkëshortët, sipas planit hyjnor, janë të thirrur në shenjtërinë e martesës dhe kjo thirrje e lartë realizohet pasi personi njerëzor është në gjendje t’i përgjigjet urdhrit hyjnor me shpirt të kthjellët, duke u mbështetur në hirin hyjnor dhe në vullnetin e tyre»[95]. Në po këtë drejtim, hyn në pedagogjinë e Kishës që bashkëshortët para së gjithash ta njohin qartë doktrinën e Humanae vitae si normativë për ushtrimin e seksualitetit të tyre, dhe sinqerisht të angazhohen për të krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e kësaj norme.
Kjo pedagogji, siç ka nxjerrë në pah Sinodi, përfshin gjithë jetën bashkëshortore. Prandaj detyra për të përçuar jetën duhet të integrohet në misionin global të tërë jetës së krishterë, e cila pa kryqin nuk mund të arrijë ngjalljen. Në një kontekst të ngjashëm kuptohet se si flijimi nuk mund të largohet prej jetës familjare, madje ai duhet pranuar me zemër, që dashuria bashkëshortore të thellohet e të bëhet burim i një gëzimi të brendshëm.
Kjo ecje e përbashkët kërkon reflektim, informacion, edukim të përshtatshëm të meshtarëve, të rregulltarëve e të laikëve, që janë të angazhuar në baritoren familjare: të gjithë ata do të mund t’i ndihmojnë bashkëshortët në itinerarin e tyre njerëzor e shpirtëror, që sjell vetëdijen e mëkatit, angazhimin e sinqertë për të zbatuar ligjin moral, shërbesën e pajtimit. Duhet pasur parasysh edhe se në intimitetin bashkëshortor janë të implikuar vullnetet e dy personave, që janë të thirrur për një harmoni mendësie dhe sjelljeje: kjo kërkon jo pak durim, simpati e kohë. Një rëndësi të veçantë në këtë fushë ka njësia e gjykimeve morale dhe baritore të meshtarëve: kjo njësi duhet të kërkohet e të sigurohet me kujdes, që besimtarët të mos pësojnë ankthe ndërgjegjeje[96].
Ecja e bashkëshortëve pra do të lehtësohet nëse, me vlerësim të doktrinës së Kishës dhe me besim ndaj hirit të Krishtit, të ndihmuar e të shoqëruar prej barinjve të shpirtrave dhe prej tërë bashkësisë kishtare, ata do të dinë të zbulojnë e të eksperimentojnë vlerën e lirimit e të promovimit të dashurisë së përnjëmendtë, që Ungjilli jep dhe urdhërimi i Zotit propozon.
Nxitja e bindjeve dhe dhënia e ndihmave konkrete
- Përballë problemit të një rregullimi të ndershëm të lindshmërisë, bashkësia kishtare, në kohën e sotme, duhet të marrë përsipër detyrën për të nxitur bindjet dhe për të dhënë ndihmat konkrete për ata që duan ta jetojnë atësinë dhe amësinë në mënyrë vërtet të përgjegjshme.
Në këtë fushë, ndërsa kënaqet me rezultatet e arritura prej kërkimeve shkencore për një njohje më të saktë të ritmeve të pjellorisë femërore dhe nxit një shtrirje më vendimtare e të gjerë të këtyre studimeve, Kisha nuk mund të mos nxisë me fuqi të përtërirë përgjegjësinë e atyre – mjekë, ekspertë, konsulentë bashkëshortorë, edukatorë, çifte – që mund t’i ndihmojnë efektivisht bashkëshortët ta jetojnë dashurinë e tyre në respekt ndaj strukturës dhe qëllimeve të aktit bashkëshortor që e shpreh atë. Kjo do të thotë një angazhim më i gjerë, vendimtar e sistematik për të bërë të njihen, për të vlerësuar e zbatuar metodat natyrore të rregullimit të pjellorisë[97].
Një dëshmi e çmueshme mundet dhe duhet të jepet prej atyre bashkëshortëve që, nëpërmjet angazhimit të përbashkët të vetëpërmbajtjes periodike, kanë arritur në një përgjegjshmëri më të pjekur personale përballë dashurisë dhe jetës. Siç shkruante Pali VI, “atyre Zoti u beson detyrën për t’ua bërë të dukshme njerëzve shenjtërinë dhe ëmbëlsinë e ligjit që bashkon dashurinë e ndërsjellë të bashkëshortëve me bashkëpunimin e tyre në dashurinë e Hyjit autor të jetës njerëzore”[98].
2) Edukimi
E drejta-detyrë edukuese e prindërve
- Detyra e edukimit i ka rrënjët e veta në thirrjen e hershme të bashkëshortëve për të marrë pjesë në veprën krijuese të Hyjit: duke lindur në dashuri dhe për dashuri një person të ri, që në vete ka thirrjen për rritje dhe zhvillim, prindërit marrin përsipër detyrën për ta ndihmuar me frytshmëri për të jetuar një jetë plotësisht njerëzore. Sikurse ka kujtuar Koncili II i Vatikanit: “Prindërit, meqenëse u kanë përçuar jetën bijve, kanë detyrimin e madh t’i edukojnë ata: prandaj duhen konsideruar si edukorët e parë e kryesorë të tyre. Ky funksion i tyre edukativ është aq i rëndësishëm sa, nëse mungon, mezi mund të zëvendësohet. Në të vërtetë, u takon prindërve të krijojnë në gjirin e familjes atë atmosferë të gjallëruar prej dashurisë dhe prej devotshmërisë ndaj Hyjit dhe ndaj njerëzve të tjerë, që favorizon edukimin e plotë të bijve në drejtimin personal e shoqëror. Pra, familja është shkolla e parë e virtyteve shoqërore, për të cilat, pikërisht, kanë nevojë të gjitha shoqëritë”[99].
E drejta-detyrë edukative e prindërve cilësohet si thelbësore, e lidhur siç është me përçimin e jetës njerëzore; si origjinale dhe parësore, përballë detyrës edukative të të tjerëve, për unicitetin e marrëdhënies së dashurisë që ekziston mes prindërve e fëmijëve; si e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme, dhe që prandaj nuk mund t’u delegohet tërësisht të tjerëve, e as të uzurpohet prej të tjerëve.
Përtej këtyre karakteristikave, nuk mund të harrojmë se elementi më rrënjësor, i tillë që ta cilësojë detyrën edukative të prindërve, është dashuria atërore e amnore, e cila gjen në veprën edukative plotësimin e vet në bërjen e shërbimit ndaj jetës të plotë e të përsosur; dashuria e prindërve nga burim bëhet shpirt dhe prandaj normë, që frymëzon dhe drejton gjithë veprimin edukativ konkret, duke e pasuruar me ato vlera ëmbëlsie, qëndrueshmërie, mirësie, shërbimi, mosinteresi, shpirti sakrifice, që janë fryti më i çmueshëm i dashurisë.
Edukimi për vlerat thelbësore të jetës njerëzore
- Megjithëse në mes të vështirësive të veprës edukative, sot shpesh të rënduara, prindërit duhet që me besim e guxim t’i formojnë bijtë e tyre në vlerat thelbësore të jetës njerëzore. Bijtë duhet të rriten në një liri të drejtë përballë të mirave materiale, duke marrë një stil jete të thjeshtë e modeste, të bindur se “njeriu vlen më shumë për atë që është se sa për atë që ka”[100].
Në një shoqëri të tronditur e të përçarë nga tensionet e konfliktet e shkaktuara prej përplasjes së dhunshme mes individualizmave e egoizmave të ndryshëm, bijtë duhet të pasurohen jo vetëm me ndjenjën e drejtësisë së vërtetë, e cila është e vetmja që çon në respektimin e dinjitetit personal të secilit, por edhe më shumë, me ndjenjën e dashurisë së vërtetë, si gatishmëri e sinqertë dhe shërbim i painteres ndaj të tjerëve, në veçanti ndaj më të varfërve dhe nevojtarëve. Familja është shkolla e parë dhe themelore e shoqërisë: si bashkësi dashurie, ajo gjen në dhurimin e vetes ligjin që e udhëheq dhe e bën të rritet. Dhurimi i vetes, që frymëzon dashurinë e bashkëshortëve mes tyre, paraqitet si model dhe normë e dhurimit të vetes ashtu siç duhet të zbatohet në marrëdhëniet mes vëllezërve e motrave dhe mes breznive të ndryshme që bashkëjetojnë në familje. Dhe bashkimi e pjesëmarrja e përditshme e jetuar në shtëpi, në momentet e gëzimit dhe të vështirësisë, përfaqësojnë pedagogjinë më konkrete e më efikase për hyrjen aktive, të përgjegjshme e të frytshme të bijve në horizontin më të gjerë të shoqërisë.
Edukimi në dashurinë si dhurim i vetvetes përbën edhe premisën e domosdoshme për prindërit e thirrur që t’u japin bijve të tyre një edukim seksual të qartë e delikat. Përballë një kulture që “e banalizon” në një pjesë të madhe seksualitetin njerëzor, sepse e interpreton dhe e jeton në mënyrë të kufizuar dhe të varfëruar, duke e lidhur vetëm me trupin dhe me kënaqësinë egoiste, shërbimi edukativ i prindërve duhet të mbështetet vendosmërisht në një kulturë seksuale që është vërtet dhe plotësisht personale: në të vërtetë, seksualiteti është një pasuri e gjithë personit – trup, ndjenjë dhe shpirt – dhe e shfaq domethënien e vet duke e bërë personin ta dhurojë vetveten në dashuri.
Edukimi seksual, e drejtë dhe detyrë themelore e prindërve, duhet të zbatohet gjithmonë nën drejtimin e zellshëm, qoftë në shtëpi qoftë në qendrat edukative të zgjedhura e të kontrolluara prej tyre. Në këtë kuptim Kisha e thekson ligjin e ndihmës, që shkolla e ka për detyrë ta zbatojë kur bashkëpunon në edukimin seksual, duke u vënë në të njëjtin shpirt që i frymëzon prindërit.
Në këtë kontekst është krejtësisht i domosdoshëm edukimi në pastërti, si virtyt që zhvillon pjekurinë e përnjëmendtë të personit dhe e bën atë të aftë të respektojë e promovojë “domethënien martesore” të trupit. Madje, prindërit e krishterë do të kushtojnë një vëmendje e kujdes të veçantë, duke parë shenjat e thirrjes së Hyjit, për edukimin në virgjëri, si forma më e lartë e atij dhurimi të vetvetes që përbën vetë kuptimin e seksualitetit njerëzor.
Për vetë lidhjet që ekzistojnë mes dimensionit seksual të personit dhe vlerave të tij etike, detyra edukative duhet t’i bëjë bijtë që t’i njohin e t’i vlerësojnë normat morale si garanci e nevojshme dhe e çmueshme për një rritje personale të përgjegjshme në seksualitetin njerëzor.
Prandaj Kisha i kundërvihet vendosmërisht një farë forme të informacionit seksual, të shkëputur prej parimeve morale, kaq shpesh i përhapur, i cili nuk do të ishte tjetër veçse hyrje në përvojën e kënaqësisë dhe një nxitje që të bën të humbësh kthjelltësinë – edhe në vitet e pafajësisë -, duke i hapur rrugën vesit.
Misioni edukativ dhe sakramenti i kurorës së martesës
- Për prindërit e krishterë misioni edukativ, i rrënjosur siç është thënë në pjesëmarrjen e tyre në veprën krijuese të Hyjit, ka një burim të ri e specifik në sakramentin e kurorës së martesës, që shugurohet në edukimin vërtet të krishterë të bijve, pra i thërret të marrin pjesë në vetë autoritetin dhe në vetë dashurinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit Bari, sikurse edhe në dashurinë amnore të Kishës, dhe i pasuron me urti, këshillë, forcë dhe çdo dhuratë tjetër të Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar bijtë në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë.
Prej sakramentit të martesës detyra edukative merr dinjitetin dhe thirrjen për të qenë “shërbesë” e vërtetë e Kishës në shërbim të formimit të anëtarëve të saj. Aq e madhe është madhështia dhe shkëlqimi i shërbesës edukative të prindërve të krishterë, sa shën Toma nuk ngurron për ta krahasuar me shërbesën e meshtarëve: “Disa e përhapin dhe e ruajnë jetën shpirtërore me një shërbesë vetëm shpirtërore, dhe kjo i përket sakramentit të urdhrit; të tjerët e bëjnë këtë për sa i përket jetës njëkohësisht trupore e shpirtërore dhe kjo ndodh me sakramentin e kurorës së martesës, në të cilin burri dhe gruaja bashkohen për të lindur fëmijë dhe për t’i edukuar ata në kultin e Hyjit”[101].
Ndërgjegjja e gjallë dhe syçelur e misionit të marrë me sakramentin e martesës do t’i ndihmojë prindërit e krishterë të vihen me kthjelltësi e besim të madh në shërbimin edukativ të bijve dhe, në të njëjtën kohë, me ndjenjë përgjegjësie përballë Hyjit që i thërret dhe i dërgon për të ndërtuar Kishën në bijtë. Kështu familja e të pagëzuarve, e bashkuar si kishë shtëpiake prej Fjalës dhe prej Sakramentit, bëhet njëkohësisht, sikurse Kisha e madhe, mësuese dhe nënë.
Përvoja e parë e Kishës
- Misioni i edukimit kërkon që prindërit e krishterë t’u propozojnë bijve të tyre të gjitha ato përmbajtje që janë të nevojshme për pjekurimin gradual të personalitetit të tyre nga një këndvështrim i krishterë dhe kishtar. Kështu do t’i marrin linjat edukative të përmendura më lart, me një kujdes për t’u treguar bijve se në çfarë thellësie domethëniesh dinë të çojnë feja dhe dashuria e Jezu Krishtit. Veç kësaj, vetëdija se Zoti u beson atyre rritjen e një biri të Hyjit, të një vëllai të Krishtit, të një tempulli të Shpirtit Shenjt, të një anëtari të Kishës, do t’i mbështesë prindërit e krishterë në detyrën e tyre për të përforcuar në shpirtin e bijve të tyre dhuratën e hirit hyjnor.
Koncili II i Vatikanit e saktëson kështu përmbajtjen e edukimit të krishterë: “Ai nuk sjell vetëm pjekurinë e personit njerëzor… por synon sidomos që t’i bëjë të pagëzuarit, të cilët kanë hyrë gradualisht në njohjen e misterit të shëlbimit, të ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për dhuratën e fesë që kanë marrë: të mësojnë ta adhurojnë Hyjin në shpirt e të vërtetë (krh. Gjn 4, 23), sidomos nëpërmjet veprimit liturgjik, të përgatiten për ta jetuar jetën e tyre sipas njeriut të ri në drejtësinë dhe në shenjtërinë e së vërtetës (Ef 4, 22-24), të arrijnë kështu njeriun e përsosur, masën e pjekurisë së plotë të Krishtit (krh. Ef 4, 13) dhe të japin ndihmesën e tyre në shtimin e trupit mistik. Veç kësaj, ata, të vetëdijshëm për thirrjen e tyre, duhet të mësojnë qoftë të dëshmojnë atë shpresë që është në ta (krh. 1 Pjt 3, 14), qoftë të nxisin lartësimin e botës në kuptimin e krishterë”[102].
Edhe Sinodi, duke i marrë përsëri dhe duke i zhvilluar linjat konciliare, e ka paraqitur misionin edukativ të familjes së krishterë si një shërbesë të vërtetë, nëpërmjet së cilës përçohet e rrezatohet Ungjilli, në atë pikë sa vetë jeta e familjes bëhet itinerar feje dhe në një farë mënyre fillim i krishterë dhe shkollë e ndjekjes së Krishtit. Në familjen e ndërgjegjshme për këtë dhuratë, siç ka shkruar Pali VI, “të gjithë anëtarët ungjillëzojnë dhe ungjillëzohen”[103].
Me fuqinë e shërbesës së edukimit prindërit, nëpërmjet dëshmisë së jetës, janë ambasadorët e parë të Ungjillit pranë bijve të tyre. Edhe më shumë, duke u lutur së bashku me bijtë, duke iu kushtuar së bashku me ta leximit të Fjalës së Hyjit dhe duke i futur në thellësinë e Trupit – eukaristik dhe kishtar – të Krishtit nëpërmjet fillimit të krishterë, bëhen plotësisht prindër, domethënë lindës jo vetëm të jetës trupore, por edhe të asaj që, nëpërmjet përtëritjes së Shpirtit, buron prej Kryqit dhe ngjalljes së Krishtit.
Që prindërit e krishterë të mund ta kryejnë denjësisht misionin e tyre edukativ, Etërit Sinodalë kanë shpresuar që të përgatitet një tekst i përshtatshëm katekizmi për familjet, i qartë, i shkurtër dhe i tillë që të mund të përvetësohet lehtësisht prej të gjithëve. Konferencat ipeshkvore janë ftuar ngrohtësisht të angazhohen për realizimin e këtij katekizmi.
Marrëdhëniet me forcat e tjera edukative
- Familja është e para, por jo bashkësia e vetme dhe ekskluzive edukuese: vetë dimensioni bashkësior, civil dhe kishtar i njeriut kërkon dhe çon në një vepër më të gjerë dhe të degëzuar, që është fryt i bashkëpunimit të organizuar të forcave të ndryshme edukative. Këto forca janë të gjitha të nevojshme, edhe pse secila mundet dhe duhet të ndërhyjë me një kompetencë të vetën dhe me një ndihmesë të vetën[104].
Prandaj detyra edukative e familjes së krishterë ka një vend shumë të rëndësishëm në baritoren organike: kjo përfshin një formë të re të bashkëpunimit mes prindërve dhe bashkësive të krishtera, mes grupeve të ndryshme edukative e barinjve. Në këtë drejtim përtëritja e shkollës katolike duhet t’u kushtojë një vëmendje të veçantë si prindërve të nxënësve si formimit të një bashkësie të përsosur edukuese.
Duhet të jetë absolutisht e siguruar e drejta e prindërve për zgjedhjen e një edukimi sipas besimit të tyre fetar.
Shteti dhe Kisha kanë për detyrë t’u japin familjeve të gjitha ndihmat e mundshme, me qëllim që ato të mund t’i ushtrojnë siç duhet detyrat e tyre edukative. Prandaj si Kisha ashtu edhe shteti duhet të krijojnë e të promovojnë ato institucione e veprimtari, që familjet me të drejtë i kërkojnë: dhe ndihma duhet të jetë në përpjesëtim me pamjaftueshmëritë e familjeve. Prandaj, të gjithë ata që në shoqëri janë në udhëheqje të shkollave nuk duhet të harrojnë kurrë se prindërit janë vendosur prej vetë Hyjit si edukatorët e parë e kryesorë të bijve, dhe se e drejta e tyre është krejtësisht e patjetërsueshme.
Por pas të drejtës, vendoset detyra e madhe e prindërve për t’u angazhuar themelisht në një marrëdhënie të përzemërt dhe konkrete me mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave.
Nëse në shkolla mësohen ideologji kundër fesë së krishterë, familja së bashku me familje të tjera, mundësisht nëpërmjet formave asociative familjare, me të gjitha forcat dhe me dituri duhet t’i ndihmojnë të rinjtë që të mos largohen prej fesë. Në këtë rast familja ka nevojë për ndihma të veçanta nga ana e barinjve të shpirtrave, të cilët nuk duhet të harrojnë se prindërit kanë detyrën e padhunueshme t’ia besojnë bijtë e tyre bashkësisë kishtare.
Një shërbim i shumëfishtë ndaj jetës
- Dashuria e frytshme bashkëshortore shprehet në një shërbim ndaj jetës me forma të shumëfishta, ndër të cilat lindja dhe edukimi i fëmijëve janë ato më të drejtpërdrejtat, karakteristiket dhe të pazëvendësueshmet. Në të vërtetë, çdo akt dashurie të vërtetë ndaj njeriut dëshmon dhe përsos frytshmërinë shpirtërore të familjes, sepse është dëgjesë ndaj dinamizmit të brendshëm të thellë të dashurisë si dhurim i vetvetes të tjerëve.
Në këtë perspektivë, për të gjithë e pasur me vlerë dhe angazhim, do të dinë të frymëzohen në veçanti ata bashkëshortë që bëjnë përvojën e sterilitetit fizik.
Familjet e krishtera që në fe i njohin të gjithë njerëzit si bij të Atit të përbashkët qiellor, do t’i ndihmojnë zemërgjerësisht bijtë e familjeve të tjera, duke i mbështetur e duke i dashur, jo si të huaj, por si anëtarë të së vetmes familje të bijve të Hyjit. Prindërit e krishterë kështu do të mund ta zgjerojnë dashurinë e tyre përtej lidhjeve të mishit e të gjakut, duke ushqyer lidhjet që i kanë rrënjët në shpirt dhe zhvillohen në shërbimin konkret ndaj bijve të familjeve të tjera, shpesh nevojtarë madje edhe për gjërat më të nevojshme.
Familjet e krishtera do të dinë të jetojnë një gatishmëri më të madhe ndaj adoptimit dhe besimit të atyre bijve që janë pa prindër ose janë braktisur prej tyre: ndërsa këta fëmijë, duke e rigjetur ngrohtësinë afektive të një familjeje, mund të bëjnë përvojën e atësisë së dashur e të kujdesshme të Hyjit, të dëshmuar prej prindërve të krishterë, dhe kështu të rriten me kthjelltësi e besim në jetën, e tërë familja do të pasurohet prej vlerave shpirtërore të një vëllazërimi më të gjerë.
Frytshmëria e familjeve duhet të njohë një “krijimtari” të vetën të pareshtur, fryt i mrekullueshëm i Shpirtit të Hyjit që i hap sytë e zemrës për të zbuluar nevojat dhe vuajtjet e reja të shoqërisë sonë, dhe që ngjall guxim për t’i marrë përsipër e për t’u dhënë përgjigje. Në këtë kuadër u paraqitet familjeve një fushë shumë e gjerë veprimi: në të vërtetë, edhe më shqetësuese se braktisja e fëmijëve sot është dukuria e mënjanimit shoqëror e kulturor, që i godet rëndë të moshuarit, të sëmurët, handikapatët, të droguarit, ish të burgosurit, etj.
Në këtë mënyrë zgjerohet së tepërmi horizonti i atësisë dhe i amësisë së familjeve të krishtera: dashuria e tyre shpirtërore e frytshme sfidohet nga këto dhe nga shumë nevoja të tjera të kohës sonë. Me familjet dhe nëpërmjet tyre, Zoti Jezus vazhdon të ketë “mëshirë” për turmat.
III – Pjesëmarrja në zhvillimin e shoqërisë
Familja qelizë e parë dhe jetësore e shoqërisë
- “Meqenëse Krijuesi i të gjitha gjërave e ka zgjedhur martesën si parim dhe themel të shoqërisë njerëzore”, familja është bërë “qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë”[105].
Familja ka lidhje jetësore e organike me shoqërinë, sepse përbën themelin dhe ushqimin e saj të vazhdueshëm nëpërmjet detyrës së saj të shërbimit ndaj jetës: në të vërtetë, prej familjes lindin qytetarët dhe në familje ata gjejnë shkollën e parë të atyre virtyteve shoqërore, që janë shpirti i jetës dhe i zhvillimit të vetë shoqërisë.
Kështu, me forcën e natyrës dhe të thirrjes së vet, pa u mbyllur në vetvete, familja u hapet familjeve të tjera dhe shoqërisë, duke marrë përsipër detyrën e vet shoqërore.
Jeta familjare si përvojë e bashkimit dhe e pjesëmarrjes
- Vetë përvoja e bashkimit dhe e pjesëmarrjes, që duhet të karakterizojë jetën e përditshme të familjes, përfaqëson ndihmesën e parë e themelore ndaj shoqërisë.
Marrëdhëniet mes anëtarëve të bashkësisë familjare janë të frymëzuara dhe të drejtuara prej ligjit të “të dhënit falas” që, duke respektuar e favorizuar në të gjithë dhe në secilin dinjitetin personal si të vetmin titull vlere, bëhet pranim i përzemërt, takim dhe dialog, gatishmëri pa interes, shërbim zemërgjerë, solidaritet i thellë.
Kështu promovimi i një bashkimi të përnjëmendtë dhe të pjekur personash në familje bëhet shkolla e parë dhe e pazëvendësueshme e socialitetit, shembull dhe nxitje për marrëdhëniet më të gjera bashkësiore nën shenjën e respektit, të drejtësisë, të dialogut, të dashurisë.
Në këtë mënyrë, siç kanë kujtuar Etërit Sinodalë, familja përbën vendin natyror dhe mjetin më të frytshëm të humanizimit dhe të personalizimit të shoqërisë: ajo bashkëpunon në një mënyrë origjinale dhe të thellë në ndërtimin e botës, duke e bërë të mundshme një jetë vërtet njerëzore, në veçanti duke ruajtur dhe përçuar virtytet dhe “vlerat”. Siç shkruan Koncili II i Vatikanit, në familje “breznitë e ndryshme takojnë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën për të arritur një urti njerëzore më të plotë dhe për të bashkuar të drejtat e personave me nevojat e tjera të jetës shoqërore”[106].
Si pasojë, përballë një shoqërie që rrezikon të jetë gjithnjë e më e spersonalizuar dhe e masifikuar, pra edhe çnjerëzore e çnjerëzuese, me rezultatet negative të shumë formave të “largimit” – siç janë, për shembull, alkoolizmi, droga dhe vetë terrorizmi -, familja ka dhe çliron ende edhe sot energji të mrekullueshme të afta për ta shkëputur njeriun prej anonimatit, për ta mbajtur të vetëdijshëm për dinjitetin e tij personal, për ta pasuruar me një humanitet të thellë dhe për ta përfshirë në mënyrë aktive me unicitetin dhe papërsëritshmërinë e vet në jetën e shoqërisë.
Detyra shoqërore dhe politike
- Detyra shoqërore e familjes sigurisht nuk mund të ndalet në veprën e lindjes dhe edukimit, edhe pse në të gjen formën e vet të parë dhe të pazëvendësueshme të shprehjes.
Prandaj familjet, si veçmas, si të bashkuara, mund dhe duhet t’u kushtohen veprave të shumëfishta të shërbimit shoqëror, sidomos në dobi të të varfërve, dhe sidoqoftë të të gjithë atyre personave e situatave që organizimi sigurues dhe asistencial i autoriteteve publike nuk mund t’i arrijë.
Kontributi shoqëror i familjes ka një origjinalitet të vetin, që kërkon të njihet më mirë dhe të favorizohet më vendosmërisht, sidomos ndërsa fëmijët rriten, duke i përfshirë faktikisht sa më shumë të jetë e mundur të gjithë anëtarët[107].
Në veçanti duhet theksuar rëndësia gjithnjë e më e madhe që në shoqërinë tonë merr mikpritja, në të gjitha format e saj, prej hapjes së derës së shtëpisë e, edhe më shumë të zemrës, ndaj kërkesave të vëllezërve, deri në angazhimin konkret për t’i siguruar çdo familjeje shtëpinë e saj, si mjedis natyror që e ruan dhe e bën atë të rritet. Sidomos familja e krishterë është e thirrur të dëgjojë porosinë e apostullit: “… ushtroni mikpritjen”[108], dhe pra të vërë në jetë, duke imituar shembullin dhe duke bashkëndarë dashurinë e Krishtit, pranimin e vëllait nevojtar: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi”[109].
Detyra shoqërore e familjeve është e thirrur të shprehet edhe në formën e ndërhyrjes politike: pra, familjet duhet të parat të kujdesen që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes. Në këtë drejtim familjet duhet të rriten në vetëdijen se janë “protagoniste” të së ashtuquajturës “politikë familjare” dhe të marrin përsipër përgjegjësinë për ta shndërruar shoqërinë: përndryshe familjet do të jenë viktimat e para të atyre të këqijave, të cilat janë kufizuar duke i vërejtur me mospërfillje. Prandaj thirrja e Koncilit II të Vatikanit për të kapërcyer etikën individualistike ka vlerë edhe për familjen si e tillë[110].
Shoqëria në shërbim të familjes
- Lidhja e brendshme mes familjes dhe shoqërisë, siç kërkon hapja dhe pjesëmarrja e familjes në shoqëri dhe në zhvillimin e vet, kërkon që shoqëria të mos e lërë kurrë pas dore detyrën e vet themelore të respektimit dhe të promovimit të vetë familjes.
Sigurisht familja dhe shoqëria kanë një funksion përplotësues në mbrojtjen dhe në promovimin e së mirës së të gjithë njerëzve dhe të çdo njeriu. Por shoqëria, dhe në mënyrë më specifike shteti, duhet të pranojnë se familja është “një shoqëri që gëzon një të drejtë të vetën dhe zanafillore”[111] dhe pra në marrëdhëniet e tyre me familjen janë të detyruar t’i përmbahen parimit të ndihmës së ndërsjellë.
Për arsye të këtij parimi shteti nuk mundet dhe as nuk duhet t’ua heqë familjeve ato detyra që ato njësoj mund t’i kryejnë mirë edhe vetë ose të bashkuara lirisht, por t’i favorizojë pozitivisht e të nxisë në maksimum nismën e përgjegjshme të familjeve. Të bindura se e mira e familjes përbën një vlerë të domosdoshme dhe të paprekshme të bashkësisë civile, autoritetet publike duhet të bëjnë gjithçka është e mundur për t’u siguruar familjeve të gjitha ato ndihma – ekonomike, shoqërore, edukative, politike, kulturore – për të cilat kanë nevojë që t’u bëjnë ballë në mënyrë njerëzore të gjitha përgjegjësive të tyre.
Karta e të drejtave të familjes
- Ideali i një veprimi të ndërsjellë mbështetjeje dhe zhvillimi mes familjes e shoqërisë, shpesh dhe në terme shumë të rënda, ndeshet me realitetin e një ndarjeje të tyre, madje të një kundërvënieje të tyre.
Në fakt, siç ka paditur vazhdimisht Sinodi, situata që shumë familje në vende të ndryshme ndeshin është shumë problematike, nëse jo vendosmërisht negative: institucionet e ligjet mohojnë padrejtësisht të drejtat e pamohueshme të familjes dhe të vetë personit njerëzor, dhe shoqëria, në vend që të vihet në shërbim të familjes, e sulmon atë dhunshëm në vlerat dhe në kërkesat e saj themelore. Dhe kështu familja që, sipas planit të Hyjit, është qeliza bazë e shoqërisë, subjekt të drejtash dhe detyrash para shtetit dhe çfarëdo bashkësie tjetër, gjendet viktimë e shoqërisë, e vonesave dhe e ngadalësive të ndërhyrjeve të saj dhe, edhe më shumë, e padrejtësive të saj të dukshme.
Prandaj Kisha mbron haptas dhe fort të drejtat e familjes prej uzurpimeve të patolerueshme të shoqërisë e të shtetit. Në veçanti, Etërit Sinodalë, ndër të tjera, kanë kujtuar të drejtat e familjes siç vijojnë:
- të jetë dhe të përparojë si familje, domethënë të drejtën e çdo njeriu, sidomos nëse është i varfër, të formojë një familje dhe të ketë mjetet e përshtatshme për ta mbajtur atë;
- të ushtrojë përgjegjësinë e vet në drejtim të përçimit të jetës dhe të edukimit të fëmijëve;
- të intimitetit të jetës bashkëshortore e familjare;
- të qëndrueshmërisë së lidhjes dhe të institucionit martesor;
- të besojë dhe të dëshmojë fenë e vet, dhe ta përhapë atë;
- të edukojë fëmijët sipas traditave e vlerave të veta fetare e kulturore, me mjetet, mënyrat dhe institucionet e nevojshme;
- të fitojë sigurinë fizike, shoqërore, politike, ekonomike, sidomos të të varfërve dhe të të sëmurëve;
- të drejtën për banesë të përshtatshme ku jeta familjare zhvillohet në mënyrën e duhur;
- të shprehjes dhe të përfaqësimit pranë autoriteteve publike ekonomike, shoqërore e kulturore dhe pranë atyre më të ulëta, si drejtpërdrejt, si nëpërmjet shoqatave;
- të krijojë shoqata me familje e institucione të tjera, për të zhvilluar në mënyrë të përshtatshme e të kujdesshme detyrën e vet;
- të mbrojë të miturit nëpërmjet institucioneve e legjislacioneve të përshtatshme nga ilaçet e dëmshme, nga pornografia, nga alkoolizmi, etj.;
- të një argëtimi të ndershëm që favorizon edhe vlerat e familjes;
- të drejtën e të moshuarve për një jetë të denjë dhe për një vdekje dinjitoze;
- të drejtën të emigrojë si familje për të kërkuar një jetë më të mirë[112].
Selia e Shenjtë, duke mirëpritur kërkesën e shprehur të Sinodit, do të ketë kujdes për t’i thelluar këto sugjerime, duke përpunuar një “kartë të të drejtave të familjes” që duhet t’u propozohet mjediseve dhe autoriteteve të interesuara.
Hiri dhe përgjegjësia e familjes së krishterë
- Detyra shoqërore e çdo familjeje, me një titull të ri dhe origjinal, i përket familjes së krishterë, të themeluar në sakramentin e kurorës së martesës. Duke marrë përsipër realitetin njerëzor të dashurisë bashkëshortore në të gjitha implikimet, sakramenti i aftëson dhe i angazhon bashkëshortët dhe prindërit e krishterë që ta jetojnë thirrjen e tyre si laikë, dhe prandaj edhe “të kërkojnë mbretërinë e Hyjit duke trajtuar gjërat tokësore e duke i rregulluar ato sipas Hyjit”[113].
Detyra shoqërore e politike hyn në atë mision mbretëror apo të shërbimit, në të cilin bashkëshortët e krishterë marrin pjesë me fuqinë e sakramentit të kurorës së martesës, duke marrë njëkohësisht një urdhërim të cilit nuk mund t’i shmangen dhe një hir që i mbështet dhe i nxit.
Në këtë mënyrë familja e krishterë është e thirrur t’u japë të gjithëve dëshminë e një përkushtimi zemërgjerë dhe pa interes ndaj problemeve shoqërore, nëpërmjet “zgjedhjes parapëlqyese” të të varfërve dhe të të mënjanuarve. Prandaj ajo, duke përparuar në ndjekjen e Zotit nëpërmjet një dashurie ndaj të gjithë të varfërve, duhet të ketë përzemër sidomos të uriturit, të mjerët, të moshuarit, të sëmurët, të droguarit, ata që janë pa familje.
Për një rend të ri ndërkombëtar
- Përballë dimensionit botëror që sot karakterizon problemet e ndryshme shoqërore, familja sheh të zgjerohet në mënyrë krejtësisht të re detyra e saj ndaj zhvillimit të shoqërisë: bëhet fjalë për të bashkëvepruar edhe në një rend të ri ndërkombëtar, sepse vetëm në solidaritetin botëror mund të përballen e zgjidhen problemet shumë të mëdha e dramatike të drejtësisë së botës, të lirisë së popujve, të paqes së njerëzimit.
Bashkimi shpirtëror i familjeve të krishtera, të rrënjosura në fenë dhe në shpresën e përbashkët e të gjallëruara nga dashuria, përbën një energji të brendshme që lind, përhap dhe zhvillon drejtësi, pajtim, vëllazëri dhe paqe mes njerëzve. Si “Kishë e vogël”, familja e krishterë, në përngjasim të “Kishës së madhe”, është e thirrur të jetë shenjë njësie për botën dhe të ushtrojë në këtë mënyrë rolin e vet profetik duke dëshmuar Mbretërinë dhe paqen e Krishtit, drejt të cilave e tërë bota është ne ecje.
Familjet e krishtera do të mund ta bëjnë këtë si nëpërmjet veprës së tyre edukative, pra duke u dhënë bijve një model jete të bazuar në vlerat e së vërtetës, të lirisë, të drejtësisë e të dashurisë, si me një angazhim aktiv e të përgjegjshëm për rritjen përnjëmend njerëzore të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, si me mbështetjen në mënyra të ndryshme të shoqatave të kushtuara në mënyrë specifike problemeve të rendit ndërkombëtar.
IV – Pjesëmarrja në jetën dhe në misionin e Kishës
Familja në misterin e Kishës
- Mes detyrave themelore të familjes së krishterë radhitet detyra kishtare: pra, ajo është e vënë në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit në histori, nëpërmjet pjesëmarrjes në jetën dhe në misionin e Kishës.
Për t’i kuptuar më mirë themelet, përmbajtjet dhe karakteristikat e kësaj pjesëmarrjeje, duhen shqyrtuar lidhjet e shumëfishta dhe të thella që i bashkojnë mes tyre Kishën dhe familjen e krishterë, dhe e organizojnë këtë të fundit si “një Kishë në miniaturë” (Ecclesia domestica)[114], duke bërë që ajo, në mënyrën e vet, të jetë shëmbëlltyrë e gjallë dhe riparaqitje historike e vetë misterit të Kishës.
Është para së gjithash Kisha ajo që e lind, e edukon, e ndërton familjen e krishterë, duke vënë në vepër për të misionin e shëlbimit që ka marrë prej Zotit të vet. Me shpalljen e Fjalës së Hyjit, Kisha i zbulon familjes së krishterë identitetin e saj të vërtetë, atë që ajo është dhe duhet të jetë sipas planit të Zotit; me kremtimin e sakramenteve, Kisha e pasuron dhe e forcon familjen e krishterë me hirin e Krishtit me qëllim (in ordine alla) shenjtërimin e saj për lavdinë e Atit; me shpalljen e përtërirë të urdhërimit të ri të dashurisë, Kisha e frymëzon dhe e udhëheq familjen e krishterë në shërbimin e dashurisë, në mënyrë që të imitojë dhe të rijetojë të njëjtën dashuri dhurimi e flijimi, që Zoti Jezus ushqen për tërë njerëzimin.
Nga ana e saj, familja e krishterë është aq e përfshirë në misterin e Kishës sa, në mënyrën e vet, bëhet pjesëmarrëse e misionit të shëlbimit që është karakteristikë e saj: bashkëshortët dhe prindërit e krishterë, për virtyt të sakramentit, “në gjendjen e tyre të jetës dhe në funksionin e tyre, kanë dhuratën e vet në mes të popullit të Hyjit”[115]. Prandaj, jo vetëm “marrin” dashurinë e Krishtit duke u bërë bashkësi “e shëlbuar”, por edhe janë të thirrur “t’u përçojnë” vëllezërve të njëjtën dashuri të Krishtit, duke u bërë kështu bashkësi “shëlbuese”. Në këtë mënyrë, ndërsa është fryt dhe shenjë e frytshmërisë mbinatyrore të Kishës, familja e krishterë është bërë simbol, dëshmi, pjesëmarrje e amësisë së Kishës[116].
Një detyrë kishtare karakteristike dhe origjinale
- Familja e krishterë është e thirrur të marrë pjesë gjallërisht dhe në mënyrë të përgjegjshme në misionin e Kishës në mënyrën e vet karakteristike dhe origjinale, pra duke vënë në shërbim të Kishës dhe të shoqërisë vetveten në të qenit dhe në të vepruarit e vet, si bashkësi e brendshme jete e dashurie.
Nëse familja e krishterë është bashkësi, lidhjet e së cilës përtërihen prej Krishtit nëpërmjet fesë e sakramenteve, pjesëmarrja e saj në misionin e Kishës duhet të ndodhë sipas një modaliteti bashkësior: pra, së bashku bashkëshortët si çift, prindërit e bijtë si familje, duhet ta jetojnë shërbimin e tyre ndaj Kishës dhe ndaj botës. Duhet të jenë në fe “një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm”[117], nëpërmjet shpirtit të përbashkët apostolik që i frymëzon dhe bashkëpunimit që i angazhon në veprat e shërbimit ndaj bashkësisë kishtare e civile.
Pastaj, familja e krishterë ndërton Mbretërinë e Hyjit në histori nëpërmjet vetë atyre realiteteve të përditshme që i përkasin dhe e dallojnë gjendjen e saj të jetës: kështu, në dashurinë bashkëshortore e familjare – të jetuar në pasurinë e saj të jashtëzakonshme të vlerave dhe nevojave për plotësi, besnikëri e frytshmëri[118] – shprehet dhe realizohet pjesëmarrja e familjes së krishterë në misionin profetik, meshtarak dhe mbretëror të Jezu Krishtit dhe të Kishës së tij: prandaj dashuria dhe jeta përbëjnë bërthamën e misionin shëlbues të familjes së krishterë në Kishë dhe për Kishën.
Këtë na e kujton Koncili II i Vatikanit kur shkruan: “Familja do t’i bashkëndajë bujarisht me familjet e tjera pasuritë e veta shpirtërore. Prandaj familja e krishterë që lind prej martesës, si shëmbëlltyrë dhe pjesëmarrje në marrëveshjen e dashurisë së Krishtit dhe të Kishës, do ta bëjë të dukshme për të gjithë praninë e gjallë të Shëlbuesit të botës dhe natyrën e thjeshtë të Kishës, si me dashurinë, frytshmërinë zemërgjerë, njësinë dhe besnikërinë e bashkëshortëve, po ashtu edhe me bashkëpunimin e dashur të të gjithë anëtarëve të saj”[119].
Pasi është parashtruar kështu themeli i pjesëmarrjes së familjes së krishterë në misionin kishtar, duhet ilustruar përmbajtja e tij në referimin e trefishtë dhe unitar në Jezu Krishtin Profet, Meshtar e Mbret, duke e paraqitur për këtë arsye familjen e krishterë si 1) bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese, 2) bashkësi në bashkëbisedim me Hyjin, 3) bashkësi në shërbim të njeriut.
1) Familja e krishterë, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese
Feja, zbulim dhe soditje e planit të Hyjit mbi familjen
- Pjesëmarrëse në jetën dhe në misionin e Kishës, e cila qëndron në një dëgjim fetar të Fjalës së Hyjit dhe e shpall atë me besim të palëkundur[120], familja e krishterë e jeton detyrën e vet profetike duke e pranuar e duke e shpallur Fjalën e Hyjit: kështu, çdo ditë e më tepër bëhet bashkësi besimtare e ungjillëzuese.
Edhe bashkëshortëve dhe prindërve të krishterë u kërkohet dëgjesa e fesë[121]: janë të thirrur ta pranojnë Fjalën e Zotit, që atyre u zbulon risinë e mrekullueshme – Lajmin e Mirë – të jetës së tyre bashkëshortore e familjare, të cilën Krishti e ka bërë të shenjtë e shenjtëruese. Në të vërtetë, vetëm në fe ata mund të zbulojnë e të sodisin me një mirënjohje të gëzueshme se në çfarë dinjiteti Hyji ka dashur ta lartësojë martesën e familjen, duke i bërë shenjë dhe vend të besëlidhjes së dashurisë mes Hyjit dhe njerëzve, mes Jezu Krishtit dhe Kishës nuses së vet.
Edhe vetë përgatitja për martesën e krishterë cilësohet si itinerar feje: në të vërtetë, parashtrohet si rast i privilegjuar që të fejuarit të rizbulojnë e ta thellojnë fenë e marrë me Pagëzim dhe të ushqyer me edukimin e krishterë. Në këtë mënyrë njohin dhe pranojnë lirisht thirrjen për ta jetuar ndjekjen e Krishtit dhe shërbimin e Mbretërisë së Hyjit në gjendjen martesore.
Momenti themelor i fesë së bashkëshortëve është kremtimi i sakramentit të kurorës së martesës, që në natyrën e vet të thellë është shpallja, në Kishë, e Lajmit të Mirë mbi dashurinë bashkëshortore: ai është Fjala e Hyjit që “zbulon” dhe “përmbush” planin e dijshëm dhe të dashur që Hyji ka mbi bashkëshortët, të përfshirë në pjesëmarrjen misterioze e reale në vetë dashurinë e Hyjit për njerëzimin. Nëse në vetvete kremtimi sakramental i martesës është shpallje e Fjalës së Hyjit, tek ata që janë me titull të ndryshëm protagonistë dhe kremtues duhet të jetë një “dëshmi feje” e bërë brenda Kishës dhe me Kishën, bashkësinë e besimtarëve.
Kjo dëshmi feje kërkon të zgjatet në rrjedhën e jetës së jetuar të bashkëshortëve dhe të familjes: në të vërtetë, Hyji, që i ka thirrur bashkëshortët “për” (“al”) martesë, vazhdon t’i thërrasë “në” (“nel”) martesë[122]. Brenda dhe nëpërmjet fakteve, problemeve, vështirësive, ngjarjeve të ekzistencës së përditshme, Hyji u vjen atyre duke zbuluar e duke propozuar “kërkesat” konkrete të pjesëmarrjes së tyre në dashurinë e Krishtit për Kishën në marrëdhënie me situatën e veçantë – familjare, shoqërore dhe kishtare – në të cilën gjenden.
Zbulimi dhe dëgjesa ndaj planit të Hyjit duhet të bëhen “së bashku” prej bashkësisë bashkëshortore e familjare, nëpërmjet vetë përvojës njerëzore të dashurisë të jetuar në Shpirtin e Krishtit mes bashkëshortëve, mes prindërve e bijve.
Prandaj, sikurse Kisha e madhe, po ashtu edhe Kisha e vogël shtëpiake ka nevojë të ungjillëzohet vazhdimisht dhe thellësisht: prej këtu rrjedh detyra e edukimit të përhershëm në fe.
Shërbesa e ungjillëzimit të familjes së krishterë
- Në masën në të cilën familja e krishterë e pranon Ungjillin dhe piqet në fe, bëhet bashkësi ungjillëzuese. Ta ridëgjojmë Palin VI: “Familja, sikurse Kisha, duhet të jetë një hapësirë në të cilën Ungjilli përçohet dhe prej së cilës Ungjilli rrezatohet. Pra, në brendësinë e një familjeje të ndërgjegjshme për këtë mision të gjithë anëtarët ungjillëzojnë dhe ungjillëzohen. Prindërit jo vetëm u komunikojnë bijve të tyre Ungjillin, por edhe mund ta marrin prej tyre të njëjtin Ungjill thellësisht të jetuar. Dhe një familje e tillë bëhet ungjillëzuese e shumë familjeve të tjera dhe e mjedisit në të cilin është e vendosur”[123].
Siç ka përsëritur Sinodi, duke rimarrë thirrjen time të bërë në Puebla, ungjillëzimi i ardhshëm varet në një pjesë të madhe prej Kishës shtëpiake[124]. Ky mision apostolik i familjes është i rrënjosur në pagëzim dhe merr prej hirit sakramental të kurorës së martesës një forcë të re për ta përçuar fenë, për ta shenjtëruar e për të përçuar shoqërinë aktuale sipas planit të Hyjit.
Familja e krishterë, sidomos sot, ka një thirrje të veçantë për të qenë dëshmitare e besëlidhjes pashkvore të Krishtit, nëpërmjet rrezatimit të vazhdueshëm të gëzimit të dashurisë e të sigurisë së shpresës, të cilën duhet ta arsyetojë: “Familja e krishterë shpall me zë të lartë si virtytet e tashme të Mbretërisë së Hyjit ashtu edhe shpresën e jetës së lume”[125].
Nevoja absolute e katekezës familjare del me një forcë të veçantë në situata të caktuara, që Kisha mjerisht i regjistron në vende të ndryshme: “Aty ku legjislacioni antifetar pretendon madje edhe ta pengojë edukimin në fe, aty ku një mosbesim apo një shekullarizëm i përhapur e bëjnë praktikisht të pamundur rritjen e vërtetë fetare, ajo që mund të quhet “Kishë shtëpiake” mbetet i vetmi mjedis, në të cilin fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin një katekezë të përnjëmendtë”[126].
Një shërbim kishtar
- Shërbesa e ungjillëzimit të prindërve të krishterë është origjinale dhe e pazëvendësueshme: merr karakteristikat tipike të jetës familjare, të gërshetuar siç duhet të jetë me dashuri, thjeshtësi, konkretesë dhe dëshmi të përditshme[127].
Familja duhet t’i formojë fëmijët për jetë, në mënyrë që secili ta kryejë plotësisht detyrën e vet sipas thirrjes së marrë prej Hyjit. Në të vërtetë, familja që është e hapur ndaj vlerave transhendente, që u shërben vëllezërve me gëzim, që i kryen me besnikëri zemërgjerë detyrat e veta dhe është e vetëdijshme për pjesëmarrjen e saj të përditshme në misterin e Kryqit të lavdishëm të Krishtit, bëhet seminari i parë dhe më i mirë i thirrjes për jetën e kushtimit Mbretërisë së Hyjit.
Shërbesa e ungjillëzimit dhe e katekezës e prindërve duhet ta shoqërojë jetën e bijve edhe në vitet e adoleshencës dhe rinisë së tyre, kur këta, siç ndodh shpesh, e kundërshtojnë ose edhe e refuzojnë fenë e krishterë të marrë në vitet e para të jetës së tyre. Ashtu sikurse në Kishë vepra e ungjillëzimit nuk ndahet kurrë prej vuajtjes së apostullit, edhe në familjen e krishterë prindërit duhet të përballojnë me guxim dhe kthjelltësi të madhe shpirtërore vështirësitë, që shërbesa e tyre e ungjillëzimit ndesh nganjëherë në vetë bijtë e tyre.
Nuk duhet të harrojmë se shërbimi i bërë prej bashkëshortëve dhe prej prindërve të krishterë në dobi të Ungjillit, është thelbësisht një shërbim kishtar, pra hyn në kontekstin e mbarë Kishës si bashkësi e ungjillëzuar dhe ungjillëzuese. Meqenëse është e rrënjosur dhe rrjedh prej të vetmit mision të Kishës dhe meqenëse ka për qëllim ndërtimin e të vetmit Trup të Krishtit[128], shërbesa e ungjillëzimit dhe e katekezës së Kishës shtëpiake duhet të mbetet në një bashkim të thellë dhe duhet të harmonizohet në mënyrë të përgjegjshme me të gjitha shërbimet e tjera të ungjillëzimit e të katekezës, të pranishme dhe vepruese në bashkësinë kishtare, si dioqezane ashtu edhe famullitare.
Predikimi i Ungjillit çdo krijese
- Universaliteti pa kufij është horizonti i ungjillëzimit, i frymëzuar nga brenda prej hovit misionar: në të vërtetë, është përgjigjja ndaj urdhrit të qartë dhe të pangatërrueshëm të Krishtit: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve”[129].
Edhe feja dhe misioni ungjillëzues i familjes së krishterë e kanë këtë frymëmarrje misionare katolike. Sakramenti i martesës, që e rimerr dhe e ripropozon detyrën, të rrënjosur në pagëzim dhe në krezmim, të mbrojtjes dhe të përhapjes së fesë[130], i bën bashkëshortët dhe prindërit e krishterë dëshmitarë të Krishtit “gjer në skajin e botës”[131], “misionarë” të vërtetë të dashurisë dhe të jetës.
Një farë forme e veprimtarisë misionare mund të kryhet edhe brenda familjes. Kjo ndodh kur ndonjë anëtar i saj nuk ka fe ose nuk e praktikon atë me koherencë. Në këtë rast familjarët duhet t’i japin një dëshmi të jetuar të jetës së tyre, që ta nxisë dhe ta mbështesë në ecjen drejt bashkimit të plotë me Krishtin Shëlbues[132].
E frymëzuar prej shpirtit misionar në brendësinë e vet, Kisha shtëpiake është e thirrur të jetë një shenjë e ndritshme e pranisë së Krishtit dhe e dashurisë së tij edhe për “të largëtit”, për familjet që nuk besojnë ende dhe për vetë familjet e krishtera që nuk jetojnë më në koherencë me fenë e marrë: është e thirrur që “me shembullin e vet dhe me dëshminë e vet” t’i ndriçojë “ata që kërkojnë të vërtetën”[133].
Sikurse në agimet e krishterimit Akuila e Prishila paraqiteshin si çift misionar[134], po ashtu edhe sot, Kisha e dëshmon risinë e saj të pareshtur dhe lulëzimin e saj me praninë e bashkëshortëve dhe të familjeve të krishtera që, të paktën për një farë periudhe kohe, shkojnë në tokat e misionit për të shpallur Ungjillin, duke i shërbyer njeriut me dashurinë e Jezu Krishtit.
Familjet e krishtera i japin një ndihmesë të veçantë çështjes misionare të Kishës duke kultivuar thirrjet misionare në mes të bijve e bijave të tyre[135] dhe, më përgjithësisht, me një vepër edukative që “i përgatit bijtë e vet, që prej rinisë, të pranojnë dashurinë e Hyjit ndaj të gjithë njerëzve”[136].
2) Familja e krishterë bashkësi në dialog me Hyjin
Shenjtërorja shtëpiake e Kishës
- Shpallja e Ungjillit dhe pranimi i tij në fe arrijnë plotësinë e tyre në kremtimin sakramental. Kisha, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese, është edhe popull meshtarak, pra i veshur me dinjitetin dhe pjesëmarrës në pushtetin e Krishtit Kryemeshtar i Besëlidhjes së Re dhe të Amshuar[137].
Edhe familja e krishterë është e përfshirë në Kishën, popullin meshtarak: nëpërmjet sakramentit të kurorës së martesës, në të cilin është e rrënjosur dhe prej të cilit ushqehet, ajo gjallërohet vazhdimisht prej Zotit Jezus, dhe prej Tij thirret e angazhohet në dialogun me Hyjin nëpërmjet jetës sakramentale, dhurimit të ekzistencës dhe lutjes së vet.
Kjo është detyra meshtarake që familja e krishterë mundet dhe duhet të ushtrojë në bashkim të brendshëm me gjithë Kishën, nëpërmjet realiteteve të përditshme të jetës bashkëshortore e familjare: në këtë mënyrë familja e krishterë është e thirrur të shenjtërohet dhe të shenjtërojë bashkësinë kishtare dhe botën.
Martesa, sakrament i shenjtërimit të ndërsjellë dhe akt kulti
- Burim i veti dhe mjet origjinal i shenjtërimit për bashkëshortët dhe për familjen e krishterë është sakramenti i kurorës së martesës, që vazhdon dhe specifikon hirin shenjtërues të pagëzimit. Në virtyt të misterit të vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, brenda të cilit martesa e krishterë përfshin përsëri, dashuria bashkëshortore pastrohet e shenjtërohet: “Zoti është denjuar ta shërojë e ta lartësojë këtë dashuri me një dhuratë të veçantë hiri dhe dashurie”[138].
Dhurata e Jezu Krishtit nuk kufizohet në kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës, por i shoqëron bashkëshortët gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Këtë e kujton qartë Koncili II i Vatikanit, kur thotë se Jezu Krishti “mbetet me ta në mënyrë që, sikurse Ai vetë e ka dashur Kishën dhe është flijuar për të, edhe bashkëshortët të mund ta duan njëri-tjetrin besnikërisht, gjithmonë, me përkushtim të ndërsjellë… Për këtë arsye bashkëshortët e krishterë përforcohen dhe shugurohen nga një sakrament i veçantë për detyrat dhe dinjitetin e gjendjes së tyre. Dhe ata, duke e kryer me forcën e këtij sakramenti detyrën e tyre bashkëshortore dhe familjare, të depërtuar prej Shpirtit të Krishtit, nëpërmjet të cilit e gjithë jeta e tyre mbushet me fe, shpresë e dashuri, priren ta arrijnë gjithnjë e më tepër përsosmërinë e tyre dhe shenjtërimin e ndërsjellë, dhe prandaj marrin pjesë në lavdërimin e Hyjit”[139].
Thirrja e gjithmbarshme në shenjtëri u drejtohet edhe bashkëshortëve dhe prindërve të krishterë: për ta specifikohet prej sakramentit të kremtuar dhe përkthehet konkretisht në realitetet e ekzistencës bashkëshortore e familjare[140]. Prej këtu rrjedhin hiri dhe nevoja e një përshpirtërie bashkëshortore e familjare të përnjëmendtë e të thellë, që duhet të frymëzohet në arsyet e krijimit, të besëlidhjes, të Kryqit, të ngjalljes dhe të shenjës, mbi të cilët disa herë është ndalur Sinodi.
Kurora e martesës së krishterë, sikurse të gjithë sakramentet që “janë për shenjtërimin e njerëzve, për ndërtimin e Trupit të Krishtit dhe, së fundit, për t’i drejtuar kultin Hyjit”[141], është në vetvete një akt liturgjik i lavdërimit të Hyjit në Jezu Krishtin dhe në Kishën: duke e kremtuar atë, bashkëshortët e krishterë dëshmojnë mirënjohjen e tyre ndaj Hyjit për dhuratën e madhe që u jepet atyre që të mund ta rijetojnë në ekzistencën e tyre bashkëshortore e familjare vetë dashurinë e Hyjit për njerëzit dhe të Jezu Krishtit për Kishën nusen e vet.
Dhe sikurse prej sakramentit rrjedhin për bashkëshortët dhurata dhe detyrimi për ta jetuar përditë shenjtërimin e marrë, po ashtu, prej të njëjtit sakrament vjen edhe hiri e angazhimi moral për ta shndërruar gjithë jetën e tyre në një “fli shpirtërore”[142] të vazhdueshme. Edhe për bashkëshortët dhe prindërit e krishterë, në veçanti për ato realitete tokësore e kohore që i karakterizojnë, vlejnë fjalët e Koncilit: “Kështu edhe laikët, si adhurues që veprojnë kudo shenjtërisht, ia kushtojnë Hyjit vetë botën”[143].
Martesa dhe Eukaristia
- Detyra e shenjtërimit të familjes së krishterë e ka rrënjën e vet të parë në pagëzim dhe shprehjen e vet më të lartë në Eukaristi, me të cilën është e lidhur thellësisht martesa e krishterë. Koncili II i Vatikanit ka dëshiruar të kujtojë marrëdhënien e veçantë që ekziston mes Eukaristisë dhe martesës, duke kërkuar që ajo “në rrugë të zakonshme të kremtohet në Meshë”[144]: rizbulimi dhe thellimi i një marrëdhënieje të tillë është krejtësisht i nevojshëm, nëse dëshirojmë që të kuptohen dhe të jetohen me një intensitet më të madh hiret dhe përgjegjësitë e martesës dhe të familjes së krishterë.
Eukaristia është vetë burimi i martesës së krishterë. Në të vërtetë, flija eukaristike riparaqet besëlidhjen e dashurisë së Krishtit me Kishën, pasi është e vulosur me gjakun e Kryqit të tij[145]. Në këtë fli të Besëlidhjes së Re dhe të Amshuar bashkëshortët e krishterë gjejnë rrënjën prej së cilës buron, dhe formohet brendësisht e gjallërohet vazhdimisht besëlidhja e tyre bashkëshortore. Në këtë riparaqitje të flisë së dashurisë së Krishtit për Kishën, Eukaristia është burim dashurie. Dhe në dhuratën eukaristike të dashurisë familja e krishterë gjen themelin dhe shpirtin e “bashkimit” të vet dhe të “misionit” të vet: Buka eukaristike i bën anëtarët e ndryshëm të bashkësisë familjare një trup të vetëm, zbulim dhe pjesëmarrje në njësinë më të gjerë të Kishën pjesëmarrje pastaj në Trupin “e flijuar” dhe Gjakun “e derdhur” të Krishtit bëhet burim i pashtershëm i dinamizmit misionar dhe apostolik i familjes së krishterë.
Sakramenti i kthimit dhe i pajtimit
- Pjesë thelbësore dhe e përhershme e detyrës së shenjtërimit të familjes së krishterë është pranimi i thirrjes ungjillore për kthim i drejtuar të gjithë të krishterëve, që jo gjithmonë i qëndrojnë besnikë “risisë” së atij pagëzimi që i ka bërë “të shenjtë”. Edhe familja e krishterë nuk është gjithmonë koherente me ligjin e hirit dhe të shenjtërisë pagëzimore, të shpallur përsëri prej sakramentit të kurorës së martesës.
Pendimi dhe falja e ndërsjellë në gjirin e familjes së krishterë, që kanë një pjesë të madhe në jetën e përditshme, gjejnë momentin sakramental specifik në pendesën e krishterë. Në lidhje me bashkëshortët Pali VI në Enciklikën Humanae vitae shkruante kështu: “Nëse mëkati vazhdon të jetë i pranishëm mes tyre, të mos e humbin guximin, por t’i drejtohen me një qëndresë të përvuajtur mëshirës së Hyjit, që u jepet me begati në sakramentin e pendesës”[146].
Kremtimi i këtij sakramenti merr një domethënie të veçantë për jetën familjare: ndërsa në fe zbulojnë se si mëkati e kundërshton jo vetëm besëlidhjen me Hyjin por edhe besëlidhjen e bashkëshortëve e bashkimin e familjes, bashkëshortët dhe të gjithë anëtarët e familjes janë të drejtuar nga takimi me Hyjin “e pasur me mëshirë”[147], i cili, duke dhuruar dashurinë që është më e fuqishme se mëkati[148], rindërton dhe përsos besëlidhjen bashkëshortore e bashkimin familjar.
Lutja familjare
- Kisha lutet për familjen e krishterë dhe e edukon për të jetuar në një koherencë zemërgjerë me dhuratën e detyrën meshtarake, të marra prej Krishtit Kryemeshtar. Në të vërtetë, meshtaria pagëzimore e besimtare, e jetuar në martesën-sakrament, për bashkëshortët dhe për familjen përbën themelin e një thirrjeje e të një misioni meshtarak, prej të cilëve jeta e tyre e përditshme shndërrohet në “fli shpirtërore që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin”[149]: kjo ndodh jo vetëm me kremtimin e Sakramentit të Eukaristisë dhe të sakramenteve të tjera e me flijimin e vetvetes lavdisë së Hyjit, por edhe me jetën e lutjes, me dialogun lutës me Atin nëpër Jezu Krishtin në Shpirtin Shenjt.
Lutja familjare ka karakteristikat e veta. Është një lutje e bërë bashkarisht, burrë e grua së bashku, prindër e bij së bashku. Bashkimi në lutje është njëkohësisht fryt dhe kërkesë e atij bashkimi që dhurohet prej sakramenteve të pagëzimit dhe të kurorës së martesës. Për anëtarët e familjes së krishterë mund të vlejnë në mënyrë të veçantë fjalët me të cilat Zoti Jezus premton praninë e tij. “Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”[150].
Kjo lutje ka si përmbajtje origjinale vetë jetën e familjes, që në të gjitha rrethanat e saj interpretohet si thirrje e Hyjit dhe aktualizohet si përgjigje bijësore ndaj thirrjes së tij: gëzimet dhe dhimbjet, shpresat dhe trishtimet, lindjet dhe ditëlindjet, përvjetorët e martesës së prindërve, nisjet, largësitë dhe kthimet, zgjedhjet e rëndësishme e vendimtare, vdekja e personave të dashur, etj. shënojnë ndërhyrjen e dashurisë së Hyjit në historinë e familjes, ashtu si duhet të shënojnë momentin e favorshëm për falënderimin, për lutjen, për braktisjen plot besim të familjes në duart e Atit të përbashkët që është në qiell. Pastaj, dinjiteti dhe përgjegjësia e familjes së krishterë si Kishë shtëpiake mund të jetohen vetëm me ndihmën e pareshtur të Hyjit, që do të jepet në mënyrë të pashmangshme, nëse do të kërkohet me përvujtëri e besim në lutje.
Edukatorë lutjeje
- Me anë të dinjitetit e misionit të tyre, prindërit e krishterë kanë detyrën specifike t’i edukojnë bijtë e tyre në lutje, t’i fusin në zbulimin progresiv të misterit të Hyjit dhe në bashkëbisedimin personal me të: “Sidomos në familjen e krishterë, të pasuruar me hirin dhe misionin e martesës-sakrament, bijtë që prej moshës së vogël duhet të mësojnë të perceptojnë ndjenjën e Hyjit dhe ta nderojnë e ta duan të afërmin sipas fesë që kanë marrë në pagëzim”[151].
Element themelor dhe i pazëvendësueshëm i edukimit në lutje është shembulli konkret, dëshmia e gjallë e prindërve: vetëm duke u lutur së bashku me bijtë, babai dhe nëna, ndërsa çojnë në plotësi meshtarinë e tyre mbretërore, zbresin në thellësinë e zemrës së bijve të tyre, duke lënë gjurmë që ngjarjet e ardhshme të jetës nuk do të mund t’i fshijnë. Ta dëgjojmë përsëri thirrjen që Pali VI u ka drejtuar prindërve: “Nëna, a ua mësoni fëmijëve tuaj lutjet e të krishterit? A i përgatitni, në harmoni me Meshtarët, bijtë tuaj për sakramentet e moshës së re: rrëfim, kungim, krezmim? A i mësoni, nëse janë të sëmurë, të mendojnë për Krishtin e munduar? Të kërkojnë ndihmën e Zojës dhe të Shenjtërve? A e thoni Rruzaren në familje? Po ju, baballarë, a dini të luteni bashkë me bijtë tuaj, me gjithë bashkësinë familjare, të paktën ndonjë herë? Shembulli juaj, në drejtësinë e mendimit e të veprimit, i mbështetur nga ndonjë lutje e përbashkët, vlen si mësim jete, vlen si një kult me meritë të veçantë; çojeni kështu paqen brenda mureve të shtëpisë: “Pax huic domui!”. Mos harroni: kështu ndërtoni Kishën!”[152].
Lutja liturgjike dhe private
- Mes lutjes së Kishës dhe asaj të secilit besimtar ka një marrëdhënie të thellë e jetësore, siç ka pohuar qartë Koncili II i Vatikanit[153]. Një synim i rëndësishëm i lutjes së Kishës shtëpiake është që të përbëjë për bijtë, hyrjen e natyrshme në lutjen liturgjike të tërë Kishës, në kuptimin si të përgatitjes për të, ashtu edhe të shtrirjes së saj në fushën e jetës personale, familjare e shoqërore. Prej këtu rrjedh nevoja e një pjesëmarrjeje gjithnjë në rritje e të gjithë anëtarëve të familjes së krishterë në Eukaristi, sidomos ditën e diel dhe të festës së urdhëruar, dhe në sakramentet e tjera, në veçanti në ata të fillimit të krishterë të bijve. Udhëzimet konciliare i kanë hapur një mundësi të re familjes së krishterë, që është numëruar ndër grupet të cilëve u porositet kremtimi i përbashkët i Uficit hyjnor[154]. Gjithashtu, do të jetë në kujdesin e familjes së krishterë të kremtojë, edhe në shtëpi e në formën e përshtatshme për anëtarët e saj, kohët dhe kremtet e vitit liturgjik.
Për të përgatitur e zgjatur në shtëpi kultin e kremtuar në Kishë, familja e krishterë bën lutjen private, që paraqet një larmi të madhe formash: kjo larmi, ndërsa dëshmon pasurinë e jashtëzakonshme, u vjen në ndihmë kërkesave e situatave të ndryshme të jetës së atyre që i drejtohen Zotit. Përveç lutjes së mëngjesit dhe të mbrëmjes, duhen këshilluar shprehimisht, duke ndjekur edhe udhëzimet e Etërve Sinodalë: leximi dhe meditimi i Fjalës së Hyjit, përgatitja për sakramentet, devocioni dhe kushtimi Zemrës së Jezusit, format e ndryshme të kultit ndaj Virgjërës së Shenjtë, bekimi i bukës, zbatimi i përshpirtërisë popullore.
Në respekt të lirisë së bijve të Hyjit, Kisha u ka propozuar dhe vazhdon t’u propozojë besimtarëve disa praktika përshpirtërie me një vëmendje e këmbëngulje të veçantë. Ndër këto duhet kujtuar thënia e Rruzares: “Tani, në vazhdimësi me Paraardhësit tanë, duam të porosisim gjallërisht thënien e Rruzares së shenjtë në familje… Nuk ka dyshim se Rruzarja e së Lumes Virgjër Mari duhet mbajtur si njëra prej lutjeve të përbashkëta më të shkëlqyera e të frytshme, që familja e krishterë është e ftuar të thotë. Ne, në të vërtetë, dëshirojmë të mendojmë dhe urojmë që, kur takimi familjar bëhet kohë lutjeje, Rruzarja të jetë shprehja e shpeshtë dhe e pëlqyeshme e saj”[155]. Kështu devocioni i përnjëmendtë ndaj Marisë, që shprehet në lidhjen e sinqertë dhe në ndjekjen zemërgjerë të qëndrimeve shpirtërore të Virgjërës së Shenjtë, përbën një mjet të privilegjuar për të ushqyer bashkimin e dashurisë së familjes dhe për të zhvilluar përshpirtërinë bashkëshortore e familjare. Ajo, Nëna e Krishtit dhe e Kishës, në të vërtetë, është në mënyrë të veçantë edhe Nëna e familjeve të krishtera, të Kishave familjare.
Lutja dhe jeta
- Nuk duhet të harrojmë kurrë se lutja është pjesë përbërëse thelbësore e jetës së krishterë, e marrë në tërësinë dhe qendërsinë e saj, madje i përket vetë “njerëzimit” tonë: është “shprehja e parë e të vërtetës së brendshme të njeriut, kushti i parë i lirisë së përnjëmendtë të shpirtit”[156].
Prandaj lutja nuk përfaqëson aspak një largim prej angazhimit të përditshëm, por përbën shtytjen më të fortë që familja e krishterë të marrë përsipër dhe të kryejë plotësisht të gjitha përgjegjësitë e veta si qelizë e parë dhe themelore e shoqërisë njerëzore. Në këtë kuptim, pjesëmarrja efektive në jetën dhe misionin e Kishës në botë është në përpjesëtim me besnikërinë dhe me dendësinë e lutjes me të cilën familja e krishterë bashkohet me Hardhinë e frytshme, që është Krishti Zot[157].
Prej bashkimit jetësor me Krishtin, të ushqyer prej Liturgjisë, prej dhurimit të vetvetes dhe prej lutjes, rrjedh edhe frytshmëria e familjes së krishterë në shërbimin e saj specifik të promovimit njerëzor që në vetvete nuk mund të mos çojë në shndërrimin e botës[158].
3) Familja e krishterë, bashkësi në shërbim të njeriut
Urdhri i ri i dashurisë
- Kisha, popull profetik-meshtarak-mbretëror, ka misionin t’i bëjë të gjithë njerëzit ta pranojnë në fe Fjalën e Hyjit, dhe ta kremtojë e ta dëshmojë atë në sakramente e në lutje, dhe së fundi ta shfaqë në konkretësinë e jetës sipas dhuratës dhe urdhërimit të ri të dashurisë.
Jeta e krishterë e gjen ligjin e vet jo në një kod të shkruar, por në veprimin personal të Shpirtit Shenjt që frymëzon e udhëheq të krishterin, domethënë në “Ligji i Shpirtit Shenjt që më jep jetën në Jezu Krishtin”[159]: “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua”[160].
Kjo ka vlerë edhe për çiftin dhe për familjen e krishterë: udhërrëfyesi dhe norma e tyre është Shpirti i Jezusit, i zbritur në zemrat me kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës. Në vazhdimësi me pagëzimin në ujë dhe në Shpirt, kurora e martesës ripropozon ligjin ungjillor të dashurisë dhe me dhuratën e Shpirtin e gdhend më thellë në zemrën e bashkëshortëve të krishterë: dashuria e tyre e pastruar dhe e shëlbuar, është fryt i Shpirtit, që vepron në zemrën e besimtarëve, dhe në të njëjtën kohë, vendoset si urdhërim themelor i jetës morale që i kërkohet lirisë së tyre të përgjegjshme.
Familja e krishterë kështu frymëzohet e udhëhiqet me ligjin e ri të Shpirtit Shenjt dhe në bashkim me Kishën, popullin mbretëror, është e thirrur ta jetojë “shërbimin” e vet të dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj vëllezërve. Ashtu sikurse Krishti e ushtron pushtetin e tij mbretëror duke u vënë në shërbim të njerëzve[161], po kështu i krishteri e gjen kuptimin e përnjëmendtë të pjesëmarrjes së tij në mbretërimin e Zotit të vet në bashkëndarjen e shpirtit dhe të sjelljes së shërbimit në lidhje me njeriun: «Këtë pushtet Ai (Krishti) ua ka komunikuar nxënësve, që edhe ata të vendosen në lirinë mbretërore dhe me mohimin e vetes e me jetën e shenjtë ta mundin në vetvete mbretërinë e mëkatit (krh. Rom 6, 12), madje, duke i shërbyer Krishtit në të tjerët, me përvujtëri dhe durim t’i drejtojnë vëllezërit e vet nga Mbreti, t’i shërbesh të cilit do të thotë të mbretërosh. Në të vërtetë, Zoti dëshiron ta zgjerojë mbretërinë e tij edhe nëpërmjet besimtarëve laikë, domethënë mbretërinë “e së vërtetës dhe të jetës, mbretërinë e shenjtërisë dhe të hirit”; dhe në këtë mbretëri edhe vetë krijesat do të lirohen prej skllavërisë së shkatërrimit për të marrë pjesë në lirinë e lavdishme të bijve të Hyjit (krh. Rom 8, 21)»[162].
Të zbulosh në çdo vëlla shëmbëlltyrën e Hyjit
- E frymëzuar dhe e mbështetur prej urdhrit të ri të dashurisë, familja e krishterë jeton pranimin, respektin, shërbimin ndaj çdo njeriu, konsideruar gjithmonë në dinjitetin e vet si person dhe si bir i Hyjit.
Kjo duhet të ndodhë, para së gjithash, brenda dhe në dobi të çiftit e të familjes, nëpërmjet angazhimit të përditshëm për të promovuar një bashkësi të përnjëmendtë personash, të bazuar e të ushqyer prej bashkimit të brendshëm të dashurisë. Kjo pastaj duhet të zhvillohet brenda rrethit më të gjerë të bashkësisë kishtare, brenda së cilës familja e krishterë është e përfshirë: falë dashurisë së familjes, Kisha mundet dhe duhet të marrë një dimension më shtëpiak, domethënë më familjar, duke adoptuar një stil më njerëzor e vëllazëror marrëdhëniesh.
Dashuria shkon përtej vëllezërve në fe, sepse “çdo njeri është vëllai im”; në secilin, sidomos nëse është i varfër, i dobët, i vuajtur dhe i trajtuar padrejtësisht, dashuria di të zbulojë fytyrën e Krishtit dhe një vëlla që duhet ta dua dhe të cilit duhet t’i shërbej.
Që shërbimi ndaj njeriut të jetohet prej familjes sipas stilit ungjillor, do të duhet të vihet në jetë me kujdes ajo që shkruan Koncili II i Vatikanit: “Me qëllim që ky shërbim dashurie të mund të jetë mbi çdo dyshim dhe të shfaqet si i tillë, të konsiderohet në të afërmin shëmbëlltyra e Hyjit sipas së cilës është krijuar, dhe Krishti Zot të cilit vërtet i dhurohet ajo që i dhurohet nevojtarit”[163].
Familja e krishterë, ndërsa në dashuri ndërton Kishën, vihet në shërbim të njeriut dhe të botës, duke aktualizuar vërtet atë “promovim njerëzor”, përmbajtja e të cilit është sintetizuar në Mesazhin e Sinodit drejtuar familjeve: “Një detyrë tjetër e familjes është ajo e formimit të njerëzve në dashuri dhe e praktikimit të dashurisë në çdo marrëdhënie me të tjerët, kështu që ajo të mos mbyllet në vetvete, por të mbetet e hapur ndaj bashkësisë, duke qenë e nxitur prej ndjenjës së drejtësisë dhe prej kujdesit ndaj të tjerëve, si dhe prej detyrës së përgjegjësisë së vet ndaj tërë shoqërisë”[164].
Pjesa e katërt
BARITORJA FAMILJARE:
KOHËT, STRUKTURAT, VEPRUESIT DHE SITUATAT
I – Kohët e baritores familjare
Kisha e shoqëron familjen e krishterë në ecjen e saj
- Si çdo realitet i gjallë, edhe familja është e thirrur të zhvillohet e të rritet. Pas përgatitjes së fejesës dhe kremtimit sakramental të kurorës së martesës, çifti fillon ecjen e përditshme drejt aktualizimit progresiv të vlerave dhe të detyrave të vetë martesës.
Në dritën e fesë dhe në virtytin e shpresës, edhe familja e krishterë, në bashkim me Kishën, merr pjesë në përvojën e shtegtimit tokësor drejt zbulimit dhe realizimit të plotë të Mbretërisë së Hyjit.
Prandaj duhet theksuar edhe një herë ngutshmëria e ndërhyrjes baritore të Kishës në mbështetje të familjes. Duhet bërë çdo përpjekje që baritorja e familjes të afirmohet e të zhvillohet, duke iu kushtuar një sektori vërtet parësor, me sigurinë se ungjillëzimi, në të ardhmen, varet në një pjesë të madhe prej Kishës shtëpiake[165].
Kujdesi baritor i Kishës nuk do të kufizohet vetëm në familjet e krishtera më të afërta, por, duke i zgjeruar horizontet e veta sipas masës së Zemrës së Krishtit, do të tregohet edhe më i gjallë për tërësinë e familjeve në përgjithësi, dhe, në veçanti, për ato që gjenden në situata të vështira apo të parregullta. Për të gjitha këto Kisha do të ketë një fjalë të vërtete, mirësie, kuptimi, shprese, pjesëmarrjeje të gjallë në vështirësitë e tyre nganjëherë dramatike; të gjithave do t’u japë ndihmën e vet pa interes me qëllim që të mund t’i afrohen modelit të familjes, që Krijuesi ka dashur që prej “fillimit” dhe që Krishti ka përtërirë me hirin e vet shpërblyes.
Veprimi baritor i Kishës duhet të jetë progresiv, edhe në kuptimin se duhet të ndjekë familjen, duke e shoqëruar hap pas hapi në etapat e ndryshme të formimit të vet dhe të zhvillimit të vet.
Përgatitja
- Në ditët tona është më e nevojshme se kurrë përgatitja e të rinjve për martesë dhe për jetë familjare. Në disa vende janë edhe vetë familjet që, sipas zakoneve të hershme, kujdesen për t’u përçuar të rinjve vlerat që i përkasin jetës martesore e familjare, nëpërmjet një vepre progresive edukimi apo fillimi. Por ndryshimet e ndodhura në gjirin e gati të gjitha shoqërive moderne kërkojnë që jo vetëm familja, por edhe shoqëria e Kisha të jenë të angazhuara në përpjekjen për t’i përgatitur siç duhet të rinjtë për përgjegjësitë e të nesërmes së tyre. Shumë dukuri negative që shfaqen sot në jetën familjare rrjedhin prej faktit se, në situatat e reja, të rinjtë jo vetëm e humbin sysh hierarkinë e vlerave, por, duke mos pasur më kritere të sigurta sjelljeje, nuk dinë si t’i përballojnë e t’i zgjidhin vështirësitë e reja. Por përvoja mëson se të rinjtë e përgatitur mirë për jetën familjare, në përgjithësi kanë më sukses se të tjerët.
Kjo vlen edhe më shumë për martesën e krishterë, ndikimi i së cilës shtrihet mbi shenjtërinë e shumë burrave e grave. Prandaj Kisha duhet të promovojë programe më të mira e më intensive përgatitjeje për martesë, për të shmangur, sa më shumë që të jetë e mundur, vështirësitë në të cilat bien shumë çifte, e edhe më shumë për të favorizuar pozitivisht lindjen dhe pjekurimin e martesave të suksesshme.
Përgatitja për martesë duhet parë e zbatuar si një proces gradual dhe i vazhdueshëm. Në të vërtetë, ajo përmban tri momente kryesore: një përgatitje të hershme, një të afërt e një të drejtpërdrejtë.
Përgatitja e hershme fillon që prej fëmijërisë, në atë pedagogji të urtë familjare, që i orienton fëmijët për të zbuluar vetveten si qenie të pajisura me një psikologji të pasur e komplekse dhe me një personalitet të veçantë me forcat dhe dobësitë e veta. Është periudha në të cilën ndikohet vlerësimi për çdo vlerë të përnjëmendtë njerëzore, qoftë në marrëdhëniet ndërpersonale, qoftë në ato shoqërore, me atë që do të thotë kjo për formimin e karakterit, për zotërimin dhe përdorimin e drejtë të prirjeve personale, për mënyrën e të konsideruarit dhe të të takuarit të personave të gjinisë tjetër, e kështu me radhë. Veç kësaj, veçanërisht për të krishterët, kërkohet një formim i qëndrueshëm shpirtëror e kateketik, që di të tregojë në martesën një thirrje e mision të veçantë, pa përjashtuar mundësinë e dhurimit të plotë të vetes Hyjit në thirrjen për jetë meshtarake apo rregulltare.
Më pas, mbi këtë bazë do të vendoset gjerësisht, përgatitja e afërt, e cila – prej moshës së përshtatshme dhe me katekezën e duhur, si në një ecje katekumenale – përmban një përgatitje më specifike për sakramentet, pothuajse një rizbulim të tyre. Kjo katekezë e përtërirë e atyre që përgatiten për martesën e krishterë është shumë e nevojshme, me qëllim që sakramenti të kremtohet e të jetohet me dispozitat e duhura morale e shpirtërore. Formimi fetar i të rinjve duhet të integrohet, në momentin e përshtatshëm dhe sipas nevojave të ndryshme konkrete, nga një përgatitje për jetën në çift që, duke e paraqitur martesën si një marrëdhënie ndërpersonale të burrit e të gruas që duhet të zhvillohet vazhdimisht, të nxisë për të shqyrtuar problemet e seksualitetit bashkëshortor dhe të atësisë së përgjegjshme, me njohjet mjeko-biologjike thelbësore që janë të lidhura me të, dhe të orientojë drejt familjaritetit me metodat e drejta të edukimit të fëmijëve, duke favorizuar arritjen e elementeve bazë për një drejtim të rregullt të familjes (puna e qëndrueshme, mjetet e mjaftueshme financiare, administrimi i urtë, nocionet e ekonomisë shtëpiake, etj.).
Së fundi, nuk duhet lënë pas dore përgatitja për apostullatin familjar, për vëllazërinë e bashkëpunimin me familjet e tjera, për përfshirjen aktive në grupe, shoqata, lëvizje e nisma që kanë për qëllim të mirën njerëzore e të krishterë të familjes.
Përgatitja e drejtpërdrejtë për të kremtuar sakramentin e kurorës së martesës duhet të bëhet në muajt dhe javët e fundit që i paraprijnë dasmës për t’i dhënë një domethënie të re, një përmbajtje të re e një formë të re të ashtuquajturit shqyrtim paramartesor të kërkuar prej të drejtës kanonike. Gjithmonë e rëndësishme në çdo rast, kjo përgatitje imponohet me një nxitje më të madhe për ata të fejuar që paraqesin ende mangësi e vështirësi në doktrinën dhe në praktikën e krishterë.
Mes elementeve që duhen komunikuar në këtë ecje feje, analoge me katekumenatin, duhet të jetë edhe një njohje e thelluar e misterit të Krishtit dhe të Kishës, të domethënieve të hirit e të përgjegjësisë së martesës së krishterë, si dhe përgatitja për të marrë pjesë në mënyrë aktive e të përgjegjshme në ritet e liturgjisë së kurorës së martesës.
Në fazat e ndryshme të përgatitjes për martesë – që i kemi përshkruar vetëm në linja të mëdha treguese – duhet të ndihen të angazhuara familja e krishterë dhe e gjithë bashkësia kishtare. Është e dëshirueshme që konferencat ipeshkvore, siç janë të interesuara për nismat e përshtatshme për të ndihmuar bashkëshortët e ardhshëm që të jenë më të vetëdijshëm për seriozitetin e zgjedhjes së tyre dhe barinjtë e shpirtrave që të sigurohen për gatishmërinë e tyre të duhur, po ashtu të kujdesen që të botohet një Direktorium për baritoren e familjes. Në të do të duhet të caktohen, para së gjithash, elementet minimalë të përmbajtjes, të kohëzgjatjes dhe të metodës së “Kurseve të përgatitjes”, duke i ekuilibruar mes tyre aspektet e ndryshme – doktrinale, pedagogjike, ligjore e mjekësore – që kanë lidhje me martesën, dhe duke i strukturuar në mënyrë që ata që përgatiten për martesë, përveç një shqyrtim intelektual, të ndihen të shtytur për t’u përfshirë gjallërisht në bashkësinë kishtare. Meqenëse karakteri i nevojës dhe i detyrueshmërisë së përgatitjes së drejtpërdrejtë për martesë nuk duhet nënvleftësuar – ajo që do të ndodhte nëse do të jepej lehtë leja – përgatitja duhet të propozohet e të zbatohet gjithmonë në mënyrë që lënia pas dore e mundshme e saj të mos jetë pengesë për kremtimin e kurorës së martesës.
Kremtimi
- Martesa e krishterë kërkon normalisht një kremtim liturgjik, që të shprehë në formë shoqërore e bashkësiore natyrën thelbësisht kishtare e sakramentale të besëlidhjes bashkëshortore mes të pagëzuarve.
Si gjest sakramental shenjtërimi, kremtimi i kurorës së martesës – i përfshirë në liturgjinë, kulmin e gjithë veprimit të Kishës dhe burimin e forcës së saj shenjtëruese[166] – duhet të jetë në vetvete i vlefshëm, i denjë dhe i frytshëm. Këtu hapet një fushë e gjerë për kujdesin baritor, me qëllim që të plotësohen krejtësisht kërkesat që rrjedhin prej natyrës së besëlidhjes bashkëshortore të lartësuar në sakrament, dhe gjithashtu të zbatohet besnikërisht disiplina e Kishës për sa i përket pranimit të lirë, pengesave, formës kanonike dhe vetë ritit të kremtimit. Ky i fundit duhet të jetë i thjeshtë dhe dinjitoz, sipas normave të autoriteteve kompetente të Kishës, të cilave u takon – sipas rrethanave konkrete të kohës dhe të vendit dhe në përputhje me normat e caktuara prej Selisë së Shenjtë[167] – të përdorin eventualisht në kremtimin liturgjik ato elemente karakteristike të secilës kulturë, që vlejnë më mirë për të shprehur domethënien e thellë njerëzore e fetare të besëlidhjes bashkëshortore, mjafton që të mos përmbajnë asgjë jo të përshtatshme për fenë dhe moralin e krishterë.
Si shenjë, kremtimi liturgjik duhet të kryhet në mënyrë që të përbëjë, edhe në realitetin e vet të jashtëm, një shpallje të Fjalës së Hyjit dhe një dëshmi feje të bashkësisë së besimtarëve. Angazhimi baritor do të shprehet këtu me shërbesën e mençur dhe të zellshme të “Liturgjisë së Fjalës” dhe me edukimin në fe të pjesëmarrësve në kremtim dhe, në rend të parë, të kandidatëve për martesë.
Si gjest sakramental i Kishës, kremtimi liturgjik i kurorës së martesës duhet të përfshijë bashkësinë e krishterë, me pjesëmarrjen e plotë, aktive e të përgjegjshme të të gjithë të pranishëmve, sipas vendit dhe detyrës së secilit: bashkëshortët, meshtari, dëshmitarët, të afërmit, miqtë, besimtarët e tjerë, të gjithë anëtarët e një asambleje që shfaq dhe jeton misterin e Krishtit dhe të Kishës së tij.
Për kremtimin e martesës së krishterë në mjedisin e kulturave apo traditave të hershme, të ndiqen parimet e lartpërmendura.
Kremtimi i kurorës së martesës dhe ungjillëzimi i të pagëzuarve jo besimtarë
- Pikërisht sepse në kremtimin e sakramentit një vëmendje krejt e veçantë u kushtohet dispozitave morale e shpirtërore të kandidatëve për martesë, në veçanti fesë së tyre, këtu duhet të përballohet një vështirësi jo e rrallë, në të cilën mund të gjenden barinjtë e Kishës në kontekstin e shoqërisë sonë të shekullarizuar.
Në të vërtetë, feja e atij që i kërkon Kishës të martohet mund të ekzistojë në shkallë të ndryshme dhe është detyrë parësore e barinjve t’i bëjnë ta rizbulojnë, ta ushqejnë dhe ta bëjnë të pjekur. Por ata duhet edhe t’i kuptojnë arsyet që e këshillojnë Kishën të pranojë në kremtim edhe ata që janë të gatshëm për këtë në mënyrë të papërsosur.
Sakramenti i martesës ka këtë të veçantë mes të gjithë të tjerëve: është sakramenti i një realiteti që ekziston qysh në ekonominë e krijimit, është e njëjta besëlidhje bashkëshortore e themeluar prej Krijuesit “në fillim”. Pra vendimi i burrit dhe i gruas për t’u martuar sipas këtij plani hyjnor, domethënë vendimi për ta angazhuar në pranimin e pakthyeshëm bashkëshortor gjithë jetën e tyre në një dashuri të pazgjidhshme dhe në një besnikëri të pakushtëzuar, realisht implikon, edhe pse jo në mënyrë plotësisht të vetëdijshme, një qëndrim dëgjese të thellë ndaj vullnetit të Hyjit, që nuk mund të jepet pa hirin e tij. Prandaj, ata tashmë janë të përfshirë në një ecje të vërtetë shëlbimi, që kremtimi i sakramentit dhe përgatitja e drejtpërdrejtë për të mund ta plotësojnë dhe ta përfundojnë, duke pasur parasysh sinqeritetin e qëllimit të tyre.
Nga ana tjetër, është e vërtetë se, në disa territore, arsye me karakter më shoqëror dhe jo përnjëmend fetare i nxisin të fejuarit të kërkojnë të martohen në kishë. Kjo gjë nuk na çudit. Në të vërtetë, martesa nuk është ngjarje që u përket vetëm atyre që martohen. Ajo, për vetë natyrën e saj, është një fakt edhe shoqëror, që i angazhon bashkëshortët para shoqërisë. Dhe gjithmonë kremtimi i saj ka qenë një festë, që bashkon familjet dhe miqtë. Pra, kuptohet se, së bashku me arsyet personale hyjnë edhe ato shoqërore në kërkesën për t’u martuar në kishë. Megjithatë, nuk duhet harruar se këta të fejuar, për arsye të pagëzimit të tyre, janë realisht të përfshirë në Besëlidhjen martesore të Krishtit me Kishën dhe se, prej qëllimit të tyre të sinqertë, kanë pranuar planin e Hyjit mbi martesën dhe, pra, të paktën në mënyrë të nënkuptuar, e pranojnë edhe atë që Kisha ka qëllim të bëjë kur kremton kurorën e martesës. Pra, vetëm fakti se në këtë kërkesë hyjnë edhe motive me karakter shoqëror nuk e arsyeton një refuzim të mundshëm nga ana e barinjve. Në fund të fundit, siç ka mësuar Koncili II i Vatikanit, sakramentet me fjalët dhe elementet rituale e ushqejnë dhe e forcojnë fenë[168]: atë fe drejt së cilës të fejuarit tashmë janë nisur nëpërmjet sinqeritetit të qëllimit të tyre, që hiri i Krishtit nuk e lë pa favorizuar e mbështetur.
Dëshira për të caktuar kritere të mëtejshme të pranimit në kremtimin kishtar të kurorës së martesës, që do të duhej t’i përkisnin shkallës së fesë së kandidatëve për martesë, sjell përveç të tjerave edhe rreziqe të mëdha. Para së gjithash atë të dhënies së gjykimeve të pabazuara dhe diskriminuese; pastaj, rrezikun për të ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e martesave të kremtuara, me një dëm të rëndë për bashkësitë e krishtera, dhe të shqetësimeve të tjera të pajustifikuara për ndërgjegjen e bashkëshortëve; do të bihej në rrezikun e kundërshtimit apo vënies në dyshim të sakramentalitetit të shumë martesave të vëllezërve të ndarë prej bashkimit të plotë me Kishën katolike, duke e kundërshtuar kështu traditën kishtare.
Përkundrazi, kur pavarësisht prej çdo përpjekjeje të bërë, kandidatët për martesë tregojnë se e refuzojnë në mënyrë të hapur e formale atë që Kisha ka ndërmend të kryejë kur kremtohet kurora e martesës së të pagëzuarve, bariu i shpirtrave nuk mund t’i pranojë në kremtim. Edhe pse me keqardhje, ai ka për detyrë të marrë parasysh situatën dhe t’i bëjë të kuptojnë të interesuarit se, meqë gjërat janë ashtu, nuk është Kisha, por janë vetë ata që e pengojnë atë kremtim të cilin megjithatë e kërkojnë.
Edhe një herë shfaqet në gjithë ngutshmërinë e vet nevoja e një ungjillëzimi dhe katekeze para dhe pas-martesore, të vëna në jetë nga e gjithë bashkësia e krishterë, që çdo burrë e çdo grua që martohen, ta kremtojnë sakramentin e kurorës së martesës jo vetëm në mënyrë të vlefshme por edhe në mënyrë të frytshme.
Baritorja pas-martesore
- Kujdesi baritor për familjen e formuar në mënyrë të rregullt, konkretisht do të thotë angazhim i të gjithë përbërësve të bashkësisë kishtare lokale për ta ndihmuar çiftin që të zbulojë e të jetojë thirrjen dhe misionin e vet të ri. Që familja të bëhet gjithnjë e më shumë bashkësi e vërtetë dashurie, është e nevojshme që të gjithë anëtarët e saj të ndihmohen e formohen në përgjegjësitë e tyre përballë problemeve të reja që paraqiten, në shërbimin e ndërsjellë, në bashkëpjesëmarrjen aktive në jetën e familjes.
Kjo vlen sidomos për familjet e reja, të cilat, duke u gjendur në një kontekst vlerash të reja dhe përgjegjësish të reja, sidomos në vitet e para të martesës, përballen me vështirësi të mundshme, si ato të krijuara prej përshtatjes me jetën e përbashkët apo prej lindjes së fëmijëve. Bashkëshortët e rinj duhet të dinë ta pranojnë përzemërsisht dhe ta vlerësojnë me mençuri ndihmën e drejtë, delikate e zemërgjerë të çifteve të tjera, që tashmë prej kohësh janë duke bërë përvojën e martesës dhe të familjes. Kështu në gjirin e bashkësisë kishtare – familje e madhe e formuar prej familjeve të krishtera – do të vihet në jetë një këmbim i ndërsjellë pranie dhe ndihme mes të gjitha familjeve, secila duke vënë në shërbim të tjetrës përvojën e vet njerëzore, sikurse edhe dhuratat e fesë e të hirit. E ndihmuar prej shpirtit apostolik, kjo ndihmë mes familjeve do të përbëjë njërën prej mënyrave më të thjeshta, më të frytshme dhe të mundshme për të gjithë që t’i përhapin në mënyrë kapilare ato vlera të krishtera, që janë pikënisja dhe pikarritja e çdo kujdesi baritor. Në këtë mënyrë familjet e reja nuk do të kufizohen vetëm duke marrë, por nga ana e tyre, të ndihmuara kështu, do të bëhen burim i pasurimit për familjet e tjera, të formuara prej kohësh, me dëshminë e tyre të jetës dhe ndihmesën e tyre të frytshme.
Pastaj, në veprimin baritor ndaj familjeve të reja, Kisha duhet t’u kushtojë atyre një vëmendje specifike për t’i edukuar që ta jetojnë në mënyrë të përgjegjshme dashurinë bashkëshortore në marrëdhënie me kërkesat e saj të bashkimit dhe të shërbimit ndaj jetës, sikurse edhe të pajtojnë intimitetin e jetës së shtëpisë me veprën e vet të përbashkët e zemërgjerë për të ndërtuar Kishën dhe shoqërinë njerëzore. Kur, me mbërritjen e fëmijëve, çifti bëhet në kuptimin e plotë dhe specifik familje, Kisha do të jetë ende afër prindërve që t’i pranojnë bijtë e tyre dhe t’i duan si dhuratë e marrë prej Zotit të jetës, duke marrë përsipër me gëzim mundimin për t’u shërbyer në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë.
II – Strukturat e baritores familjare
Veprimi baritor është gjithmonë shprehje dinamike e realitetit të Kishës, e angazhuar në misionin e saj të shëlbimit. Edhe baritorja familjare – formë e veçantë dhe specifike e baritores – ka si parim të vetin veprues dhe si protagoniste përgjegjëse vetë Kishën, nëpërmjet strukturave të saj dhe vepruesve të saj.
Bashkësia kishtare dhe në veçanti famullia
- Bashkësi njëkohësisht e shëlbuar dhe shëlbuese, Kisha duhet të konsiderohet këtu në dimensionin e vet të dyfishtë, të gjithmbarshëm dhe të veçantë: kjo shprehet dhe zbatohet në bashkësinë dioqezane, e ndarë në mënyrë baritore në bashkësi më të vogla ndër të cilat, për rëndësinë e vet të veçantë, dallohet famullia.
Bashkimi me Kishën e gjithmbarshme nuk e zhduk, por e garanton dhe e promovon qëndrueshmërinë dhe origjinalitetin e Kishave të ndryshme të veçanta; këto të fundit mbeten subjekti veprues më i drejtpërdrejtë dhe më i frytshëm për aktualizimin e baritores familjare. Në këtë kuptim çdo Kishë lokale dhe, në terme më të veçanta, çdo bashkësi famullitare duhet të ndërgjegjësohet gjallërisht për hirin dhe për përgjegjësinë që merr prej Zotit për të promovuar baritoren e familjes. Çdo plan i baritores organike, në çdo nivel, nuk duhet të lërë kurrë mënjanë marrjen në konsideratë të baritores së familjes.
Në dritën e kësaj përgjegjësie duhet kuptuar edhe rëndësia e një përgatitjeje të përshtatshme nga ana e atyre që do të angazhohen në mënyrë më specifike në këtë lloj apostullati. Meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, që prej kohës së formimit të tyre, orientohen e formohen në mënyrë progresive dhe të përshtatshme për detyrat përkatëse. Ndër nismat e tjera më pëlqen të theksoj krijimin kohët e fundit në Romë, pranë Universitetit Papnor Lateranas, të një Instituti të Lartë të kushtuar studimit të problemeve të familjes. Edhe në disa dioqeza janë themeluar Institute të këtij lloji; Ipeshkvinjtë të angazhohen që një numër sa më i madh meshtarësh, para se të marrin përsipër përgjegjësi famullitare, të frekuentojnë në to kurse të specializuara. Në vendet e tjera, kurset e formimit të mbahen periodikisht pranë Instituteve të Larta të studimeve teologjike e baritore. Këto nisma duhen nxitur, mbështetur, shumuar dhe hapur, natyrisht, edhe për laikët që do të ofrojnë veprën e tyre profesionale (mjekësore, ligjore, psikologjike, shoqërore, edukative) në ndihmë të familjeve.
Familja
- Por sidomos duhet të pranohet vendi i veçantë që, në këtë fushë, i takon misionit të bashkëshortëve dhe të familjeve të krishtera, me fuqinë e hirit të marrë në sakrament. Ky mision duhet të vihet në shërbim të ndërtimit të Kishës, të ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit në histori. Kjo kërkohet si akt bindjeje të dëgjueshme ndaj Krishtit Zot. Në të vërtetë, Ai, nëpërmjet martesës së të pagëzuarve të lartësuar në sakrament, u jep bashkëshortëve të krishterë një mision karakteristik apostujsh, duke i dërguar si punëtorë në vreshtën e vet, dhe në mënyrë krejt të veçantë, në këtë fushë të familjes.
Në këtë veprimtari ata veprojnë në bashkim e bashkëpunim me anëtarët e tjerë të Kishës, që gjithashtu angazhohen në dobi të familjes, duke i bërë të frytshme dhuratat e shërbesat e tyre. Ky apostullat do të kryhet para së gjithash në gjirin e familjes së secilit, me dëshminë e jetës të jetuar në përputhje me ligjin hyjnor në të gjitha aspektet e saj, me formimin e krishterë të bijve, me ndihmën e dhënë në pjekurimin e tyre në fe, me edukimin në pastërti, me përgatitjen për jetë, me syçeltësinë për t’i ruajtur prej rreziqeve ideologjike e morale prej të cilave kërcënohen shpesh, me përfshirjen e tyre graduale e të përgjegjshme në bashkësinë kishtare e në atë civile, me asistencën dhe këshillën në zgjedhjen e thirrjes, me ndihmën e ndërsjellë mes anëtarëve të familjes për rritjen e përbashkët njerëzore e të krishterë, e kështu me radhë. Apostullati i familjes, pastaj, do të rrezatohet me veprat e dashurisë shpirtërore e materiale ndaj familjeve të tjera, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë e mbështetje, ndaj të varfërve, të sëmurëve, të moshuarve, handikapatëve, jetimëve, të vejave, bashkëshortëve të braktisur, nënave beqare dhe atyre që, në situata të vështira, janë të tunduara ta heqin qafe frytin e gjirit të tyre, etj.
Shoqatat e familjeve për familjet
- Gjithmonë në mjedisin e Kishës, subjekt përgjegjës i baritores familjare, duhen kujtuar grupimet e ndryshme të besimtarëve, në të cilat shfaqet dhe jetohet në njëfarë mase misteri i Kishës së Krishtit. Prandaj duhet të pranohen e vlerësohen – secila në marrëdhënie me karakteristikat, qëllimet, peshat dhe metodat e veta – bashkësitë e ndryshme kishtare, grupet e ndryshme dhe lëvizjet e shumta të angazhuara në mënyra të ndryshme, me titull të ndryshëm dhe me nivel të ndryshëm, në baritoren familjare.
Për këtë arsye Sinodi e ka pranuar shprehimisht ndihmën e dobishme të këtyre shoqatave të përshpirtërisë, formimit dhe apostullatit. Do të jetë detyrë e tyre të nxisin në besimtarët një ndjenjë të gjallë të solidaritetit, të favorizojnë një sjellje jete të frymëzuar në Ungjillin dhe në fenë e Kishës, të formojnë ndërgjegjet sipas vlerave të krishtera dhe jo sipas parametrave të opinionit publik, të nxisin për vepra dashurie të ndërsjellë dhe ndaj të tjerëve me një shpirt hapjeje, që i bën familjet e krishtera një burim të vërtetë drite dhe një tharm të shëndoshë për të tjerat.
Njësoj është e dëshirueshme që, me një ndjenjë të gjallë për të mirën e përbashkët, familjet e krishtera të angazhohen aktivisht në çdo nivel edhe në shoqata të tjera jo kishtare. Disa prej këtyre shoqatave kanë për qëllim ruajtjen, përçimin dhe mbikëqyrjen e vlerave të shëndosha etike e kulturore të popujve përkatës, zhvillimin e personit njerëzor, mbrojtjen mjekësore, juridike e shoqërore të amësisë dhe të fëmijërië, promovimin e drejtë të gruas dhe luftën ndaj gjithçkaje që shtyp dinjitetin, shtimin e solidaritetit të ndërsjellë, njohjen e problemeve të lidhura me rregullimin e përgjegjshëm të lindshmërisë sipas metodave natyrore në përputhje me dinjitetin njerëzor dhe me doktrinën e Kishës. Të tjera synojnë ndërtimin e një bote më të drejtë e më njerëzore, promovimin e ligjeve të drejta që favorizojnë rendin e drejtë shoqëror në respekt të plotë ndaj dinjitetit dhe çdo lirie të ligjshme të individit e të familjes, në nivel qoftë kombëtar qoftë ndërkombëtar, në bashkëpunimin me shkollën dhe me institucionet e tjera që plotësojnë edukimin e bijve, e kështu me radhë.
III – Vepruesit e baritores familjare
Përveç familjes – objekt, por para së gjithash subjekt, edhe ajo vetë, i baritores familjare – duhen kujtuar edhe vepruesit e tjerë kryesorë në këtë sektor të veçantë.
Ipeshkvinjtë dhe presbiterët
- Përgjegjësi i parë i baritores familjare në dioqezë është ipeshkvi. Si Atë dhe Bari ai duhet të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj këtij sektori, padyshim parësor, të baritores. Atij duhet t’i kushtojë interesimin, përkujdesjen, kohën, personelin, burimet; por, sidomos mbështetjen personale ndaj familjeve dhe ndaj atyre që, në strukturat e ndryshme dioqezane, e ndihmojnë në baritoren e familjes. Do të ketë për zemër veçanërisht qëllimin që dioqeza e tij të jetë gjithnjë e më shumë një “familje dioqezane” e vërtetë, model dhe burim i shpresës për shumë familje që bëjnë pjesë në të. Krijimi i Këshillit Papnor për Familjen duhet parë në këtë kontekst: të jetë një shenjë e rëndësisë që i jap baritores së familjes në botë, dhe në të njëjtën kohë, një mjet i frytshëm për të ndihmuar promovimin e saj në çdo nivel.
Ipeshkvinjtë shërbehen në mënyrë të veçantë me presbiterët, detyra e të cilëve – siç e ka theksuar shprehimisht Sinodi – përbën një pjesë thelbësore të shërbesës së Kishës ndaj martesës dhe familjes. E njëjta gjë të thuhet edhe për ata diakonë, të cilëve eventualisht u besohet kujdesi për këtë sektor baritor.
Përgjegjësia e tyre shtrihet jo vetëm në problemet morale e liturgjike, por edhe në ato të karakterit personal e shoqëror. Ata duhet ta mbështesin familjen në vështirësitë dhe vuajtjet e saj, duke u qëndruar pranë anëtarëve të saj, duke i ndihmuar për ta parë jetën e tyre në dritën e Ungjillit. Nuk është e kotë të vihet në dukje se prej këtij misioni, nëse ushtrohet me gjykimin e duhur dhe me një shpirt të vërtetë apostolik, mbarështuesi i Kishës merr nxitje të reja dhe energji shpirtërore edhe për thirrjen e vet dhe për vetë ushtrimin e shërbesës.
Të përgatitur në kohë dhe seriozisht për këtë apostullat, meshtari apo diakoni duhet të sillen vazhdimisht, në lidhje me familjet, si atë, vëlla, bari e mësues, duke i ndihmuar me mbështetjen e hirit dhe duke i ndriçuar me dritën e së vërtetës. Mësimi i tyre dhe këshillat e tyre, pra, duhet të jenë në përputhje të plotë me Magjisterin e përnjëmendtë të Kishës, në mënyrë që ta ndihmojnë Popullin e Hyjit të formojë një kuptim të drejtë të fesë, për ta zbatuar pastaj në jetën konkrete. Kjo besnikëri ndaj Magjisterit do t’i lejojë meshtarët të kujdesen me çdo angazhim për njësi në gjykimet e tyre, për t’ua shmangur besimtarëve ankthet e ndërgjegjes.
Barinjtë dhe laikët, në Kishë, marrin pjesë në misionin profetik të Krishtit: laikët, duke dëshmuar fenë me fjalët dhe me jetën e tyre të krishterë; barinjtë, duke dalluar në këtë dëshmi atë që është shprehja e fesë së thjeshtë nga ajo që është më pak e përshtatshme në dritën e fesë: familja, si bashkësi e krishterë, me pjesëmarrjen e saj të veçantë dhe dëshminë e fesë. Nis kështu një dialog edhe mes barinjve e familjeve. Teologët dhe ekspertët e problemeve familjare mund të ndihmojnë shumë në këtë dialog, duke shpjeguar saktësisht mësimin e Magjisterit të Kishës dhe atë të përvojës së jetës së familjes. Në këtë mënyrë mësimi i Magjisterit kuptohet më mirë dhe sheshohet rruga për zhvillimin e tij progresiv. Megjithatë, vlen të kujtojmë se norma e afërt dhe e detyrueshme në doktrinën e fesë – edhe rreth problemeve të familjes – i përket Magjisterit hierarkik. Marrëdhëniet e qarta mes teologëve, ekspertëve të problemeve familjare dhe Magjisterit i vlejnë jo pak inteligjencës së fesë dhe nxitjes – brenda kufijve të saj – të pluralizmit të ligjshëm.
Rregulltarët e rregulltaret
- Ndihmesa që rregulltarët e rregulltaret, dhe shpirtrat e kushtuar në përgjithësi, mund t’i japin apostullatit të familjes e gjen shprehjen e vet të parë, themelore e origjinale pikërisht në kushtimin e tyre Hyjit, që i bën “para të gjithë besimtarëve … shenjë të asaj martese të mrekullueshme të bërë prej Hyjit dhe që do të shfaqet plotësisht në jetën e amshuar, nëpërmjet së cilës Kisha e ka Krishtin dhëndrin e vet të vetëm”[169], dhe dëshmitarë të asaj dashurie universale që, nëpërmjet pastërtisë së përqafuar për Mbretërinë e qiellit, i bën gjithnjë e më të gatshëm për t’iu kushtuar zemërgjerësisht shërbimit hyjnor dhe veprave të apostullatit.
Prej këtu rrjedh mundësia që rregulltarët e rregulltaret, anëtarët e Instituteve shekullore dhe të Instituteve të tjera të përsosmërisë, veçmas apo të bashkuar, të zhvillojnë një shërbim të tyre ndaj familjeve, me një kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, sidomos nëse janë të braktisur, të padëshiruar, jetimë, të varfër apo handikapatë; duke vizituar familjet dhe duke u kujdesur për të sëmurët; duke kultivuar marrëdhënie respekti dhe dashurie me familjet jo të plota, në vështirësi apo të ndara; duke ofruar veprën e vet të mësimit dhe të këshillimit në përgatitjen e të rinjve për martesë dhe në ndihmën ndaj çifteve për një lindje vërtet të përgjegjshme; duke ia hapur shtëpitë e tyre mikpritjes së thjeshtë e të përzemërt, që familjet të mund të gjejnë aty kuptimin e Hyjit, shijen për lutje dhe për përqendrim, shembullin konkret të një jete të jetuar në dashuri e hare vëllazërore si anëtarë të familjes më të madhe të Hyjit.
Do të doja të shtoja nxitjen më të fortë për përgjegjësit e Instituteve të jetës së kushtuar, që ta konsiderojnë – gjithmonë në respektin thelbësor ndaj karizmës së tyre origjinale – apostullatin e drejtuar familjeve si njërën prej detyrave parësore, që janë bërë më të ngutshme prej gjendjes së sotme të gjërave.
Laikët e specializuar
- Jo pak dobi mund t’u sjellin familjeve ata laikë të specializuar (mjekë, njerëz ligji, psikologë, asistentë shoqërorë, këshilltarë, etj.) që qoftë individualisht, qoftë të angazhuar në shoqata e nisma të ndryshme, ofrojnë punën e tyre të ndriçimit, këshillimit, orientimit, mbështetjes. Atyre mund t’u përshtaten mirë ato nxitje që pata rast t’ia drejtoja Konfederatës së Këshilltarëve familjarë me frymëzim të krishterë: “I juaji është një angazhim, që meriton cilësimin e misionit, aq fisnike janë qëllimet që ka, dhe aq vendimtare janë rezultatet që rrjedhin prej tij, për të mirën e shoqërisë dhe të vetë bashkësisë së krishterë… Gjithë ajo që do të arrini të bëni në mbështetje të familjes është e destinuar të ketë një frytshmëri që, duke kapërcyer mjedisin e vet të veçantë, arrin edhe persona të tjerë dhe ndikon mbi shoqërinë. E ardhmja e botës dhe e Kishës kalon nëpërmjet familjes”[170].
Marrësit dhe vepruesit e Komunikimit shoqëror
- Një fjalë veçmas i duhet rezervuar kësaj kategorie kaq të rëndësishme në jetën moderne. Dihet se mjetet e komunikimit shoqëror “ndikojnë, dhe shpesh thellësisht, si në aspektin afektiv dhe intelektual, ashtu edhe në aspektin moral dhe fetar, në mjedisin atyre që i përdorin”, sidomos nëse janë të rinj[171]. Prandaj, ata mund të ushtrojnë një ndikim të mirë në jetën dhe në zakonet e familjes dhe në edukimin e fëmijëve, por në të njëjtën kohë fshehin edhe “kurthe dhe rreziqe jo të vogla”[172], dhe mund të bëhen mjet – nganjëherë i manovruar zotësisht dhe sistematikisht, siç ndodh mjerisht në vende të ndryshme të botës – të ideologjive përçarëse dhe të këndvështrimeve të deformuara të jetës, të familjes, të besimit, të moralitetit, të cilat nuk e respektojnë dinjitetin e vërtetë dhe fatin e njeriut.
Ky rrezik është edhe më real, pasi “mënyra e sotme e të jetuarit – sidomos në kombet më të industrializuara – i bën shumë shpesh familjet që të heqin dorë prej përgjegjësive të veta edukative, duke gjetur në lehtësinë e shmangies (të paraqitur në shtëpi sidomos prej televizionit dhe prej disa botimeve), mënyrën për ta zënë kohën dhe veprimtarinë e fëmijëve dhe të të rinjve”[173]. Prej këtu rrjedh «detyra… për t’i mbrojtur sidomos fëmijët dhe të rinjtë prej “sulmeve” që pësojnë prej mas-mediave», duke bërë që përdorimi i këtyre në familje të rregullohet me kujdes. Po kështu, familja duhet ta mundohet të kërkojë për bijtë e vet edhe zbavitje të tjera më të shëndetshme, më të dobishme e formuese fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht, “për të fuqizuar dhe për të përsosur kohën e lirë të fëmijëve dhe për të drejtuar energjitë e tyre”[174].
Pastaj, meqenëse mjetet e komunikimit shoqëror – njësoj si shkolla dhe mjedisi – ndikojnë shpesh edhe në masë të ndjeshme në formimin e fëmijëve, prindërit, si marrës, duhet të marrin pjesë aktivisht në përdorimin e frenuar, kritik, syçelët dhe të matur të tyre, duke zbuluar se çfarë ndikimi ushtrojnë tek fëmijët, dhe në ndërmjetësimin orientues që lejon “të edukohet ndërgjegjja e fëmijëve për të shprehur gjykime të kthjellëta e objektive, që pastaj do ta udhëheqin në zgjedhjen dhe në refuzimin e programeve të propozuara”[175].
Me të njëjtin angazhim prindërit do të mundohen të ndikojnë në zgjedhjen dhe përgatitjen e vetë programeve, duke qëndruar në kontakt – nëpërmjet nismave të përshtatshme – me përgjegjësit e momenteve të ndryshme të prodhimit dhe të transmetimit, për t’u siguruar që të mos lihen pas dore në mënyrë abuzive apo të shkelen shprehimisht ato vlera njerëzore thelbësore që bëjnë pjesë në të mirën e vërtetë të përbashkët të shoqërisë, por, përkundrazi, të jepen programe të afta që të paraqesin, në dritën e tyre të duhur, problemet e familjes dhe zgjidhjen e tyre të përshtatshme. Në lidhje me këtë, paraardhësi im, Pali VI, shkruante: “Prodhuesit duhet t’i njohin dhe t’i respektojnë kërkesat e familjes, dhe kjo nganjëherë supozon guxim të vërtetë në ta, dhe gjithmonë një ndjenjë të lartë përgjegjësie. Në të vërtetë, ata janë të detyruar të shmangin gjithçka që mund ta dëmtojë familjen në vetë ekzistencën e saj, në qëndrueshmërinë e saj, në ekuilibrin e saj, në lumturinë e saj. Çdo shkelje e vlerave themelore të familjes – kur bëhet fjalë për erotizëm apo për dhunë, për apologji të divorcit apo për qëndrime antishoqërore të të rinjve – është një sheklje e të mirës së vërtetë të njeriut”[176].
Dhe unë vetë, në një rast analog, vija në dukje se familjet “duhet që të mund të mbështeten në një masë jo të vogël në vullnetin e mirë, në drejtësinë dhe në ndjenjën e përgjegjësisë së profesionistëve të mediave: botuesve, shkrimtarëve, prodhuesve, drejtorëve dramaturgëve, informatorëve, komentuesve dhe aktorëve”[177]. Prandaj duhet që edhe nga ana e Kishës të vazhdohet t’u kushtohet çdo përkujdesje këtyre kategorive të operatorëve, duke nxitur e mbështetur, në të njëjtën kohë, ata katolikë që ndihen të thirrur dhe kanë dhanti për këtë, të angazhohen në këta sektorë delikatë.
IV – Baritorja familjare në rastet e vështira
Rrethanat e veçanta
- Një angazhim baritor edhe më zemërgjerë, inteligjent e i matur, sipas shembullit të Bariut të Mirë, kërkohet në lidhje me ato familje që – shpesh pavarësisht prej vullnetit të tyre apo të shtyra nga kërkesa të tjera me natyrë të ndryshme – gjenden përballë situatave objektivisht të vështira.
Në lidhje me këtë është e nevojshme të tërheqim vëmendjen mbi disa kategori të veçanta, që më së shumti kanë nevojë jo vetëm për asistencë, por edhe për një veprim më të fortë mbi opinionin publik dhe sidomos mbi strukturat kulturore, ekonomike e juridike, me qëllim që të zhduken në maksimum shkaqet e thella të problemeve të tyre.
Të tilla janë, për shembull, familjet e emigrantëve për arsye pune; familjet e atyre që janë të detyruar të largohen për një kohë të gjatë, si për shembull, ushtarakët, detarët, itinerantët e çdo lloji; familjet e të burgosurve, të të arratisurve dhe të të mërguarve; familjet që në qytetet e mëdha jetojnë praktikisht të mënjanuara; ato që nuk kanë shtëpi; ato të paplota apo me një prind; familjet me fëmijë handikapatë apo të droguar; familjet e të alkoolizuarve; ato të çrrënjosura prej mjedisit të tyre kulturor e shoqëror apo në rrezik për ta humbur atë; ato të diskriminuara për shkaqe politike apo për arsye të tjera; familjet ideologjikisht të ndara; ato që nuk arrijnë të kenë lehtë një kontakt me famullinë, ato që pësojnë dhunë apo trajtime të padrejta për shkak të fesë së tyre; ato të përbëra nga bashkëshortë të mitur; pleqtë, të detyruar jo rrallë që të jetojnë në vetmi dhe pa mjetet e duhura për jetesë.
Familjet e migrantëve, sidomos kur bëhet fjalë për punëtorë e fshatarë, duhet të mund të gjejnë kudo, në Kishë, atdheun e tyre. Kjo është një detyrë tipike e Kishës, e cila është shenjë njësie në ndryshueshmëri. Për sa është e mundur të asistohen prej meshtarëve të të njëjtit rit, kulturë dhe gjuhë të tyre. Gjithashtu, Kishës i përket t’i bëjë thirrje ndërgjegjes publike dhe atyre që kanë autoritet në jetën shoqërore, ekonomike e politike, që punëtorët të gjejnë punë në krahinën dhe atdheun e tyre, të shpërblehen me pagën e drejtë, familjet të ribashkohen sa më shpejt, të merren në konsideratë në identitetin e tyre kulturor, të trajtohen njësoj me të tjerat, dhe fëmijëve të tyre t’u jepet mundësia e formimit profesional dhe e ushtrimit të profesionit, ashtu si edhe e pasjes së tokës së nevojshme për të punuar e për të jetuar.
Një problem i vështirë është ai i familjeve ideologjikisht të ndara. Në këto raste kërkohet një kujdes i veçantë baritor. Para së gjithash, me kujdes, duhet të mbahet një kontakt personal me këto familje. Besimtarët duhet të forcohen në fe dhe të mbështeten në jetën e krishterë. Edhe pse pala besnike ndaj katolicizmit nuk mund të lëshojë pe, megjithatë, gjithmonë duhet të mbahet një dialog i gjallë me palën tjetër. Duhet të shumohen shfaqjet e dashurisë e të respektit, në shpresën e patundur të mbajtjes fort të njësisë. Shumë varet edhe prej marrëdhënieve mes prindërve e bijve. Ideologjitë e ndryshme nga feja, në fund të fundit, mund t’i nxisin anëtarët besimtarë të familjes të rriten në fe dhe në dëshminë e dashurisë.
Momente të tjera të vështira, në të cilët familja ka nevojë për ndihmën e bashkësisë kishtare dhe të barinjve të saj, mund të jenë: adoleshenca e trazuar kundërshtuese dhe nganjëherë e stuhishme e bijve; martesa e tyre, që i shkëput prej familjes së origjinës; moskuptimi apo mungesa e dashurisë nga ana e personave më të dashur; braktisja nga ana e bashkëshortit apo humbja e tij, që hap përvojën e dhimbshme të vejnisë, të vdekjes së një personi të familjes që e cungon dhe e shndërron në thellësi bërthamën zanafillore të familjes.
Njësoj nuk mund të lihet pas dore prej Kishës momenti i moshës së shtyrë, me të gjitha përmbajtjet e saj pozitive e negative: të thellimit të mundur të dashurisë bashkëshortore gjithnjë e më të pastruar e të fisnikëruar prej besnikërisë së gjatë e të pandërprerë; të gatishmërisë për të vënë në shërbim të të tjerëve, në një formë të re, mirësinë e urtinë e grumbulluar dhe energjitë e mbetura; të vetmisë së rëndë, më shpesh psikologjike e afektive se sa fizike; të braktisjes së mundshme apo të vëmendjes së pamjaftueshme nga ana e bijve dhe e të afërmve; të vuajtjes prej sëmundjes, të rënies progresive të forcave, të përuljes se duhet të varen nga të tjerët, të hidhërimit se ndihen ndoshta si peshë për njerëzit e tyre të dashur, të afrimit të momenteve të fundit të jetës. Këto janë rastet në të cilat – siç kanë thënë Etërit Sinodalë – mund të kuptohen e jetohen më lehtë ato aspekte të larta të përshpirtërisë martesore e familjare, që frymëzohen në vlerën e Kryqit dhe ngjalljen e Krishtit, burim shenjtërimi dhe hareje të thellë në jetën e përditshme, në pritje të realiteteve të mëdha eskatologjike të jetës së amshuar.
Në të gjitha këto situata të ndryshme të mos lihet kurrë pas dore lutja, burimi i dritës dhe i forcës dhe ushqimi i shpresës së krishterë.
Martesat e përziera
- Numri në rritje i martesave mes katolikëve dhe të pagëzuarve të tjerë kërkon edhe një vëmendje të veçantë baritore në dritën e orientimeve dhe të normave, që gjenden në dokumentet më të fundit të Selisë së Shenjtë dhe në ato të përpunuar prej Konferencave ipeshkvore, për të lejuar zbatimin konkret të tyre në situatat e ndryshme.
Çiftet që jetojnë në martesë të përzier paraqesin kërkesa të veçanta, të cilat mund të kufizohen në tri pika kryesore.
Para së gjithash, duhet të mbahen parasysh detyrimet e palës katolike që rrjedhin prej fesë, për sa i përket ushtrimit të lirë të saj dhe detyrimit si pasojë për të paraparë, sipas forcave të veta, për pagëzimin dhe edukimin e bijve në fenë katolike[178].
Duhet të mbahen parasysh vështirësitë e veçanta të lidhura me marrëdhëniet mes burrit e gruas, për sa i përket respektimit të lirisë fetare: ky mund të shkelet si nëpërmjet presioneve të padrejta për të arritur ndryshimin e bindjeve fetare të palës tjetër, si nëpërmjet pengesave që i bëhen shfaqjeve të lira të tyre në praktikimin fetar.
Për sa i përket formës liturgjike dhe kanonike të martesës, Ordinarët mund ta përdorin gjerësisht pushtetin e tyre për nevoja të ndryshme.
Në trajtimin e këtyre kërkesave të veçanta duhet të mbahen parasysh pikat që vijojnë:
- në përgatitjen e përshtatshme për këtë lloj martese, duhet të bëhet çdo përpjekje e arsyeshme që të kuptohet mirë doktrina katolike mbi cilësitë dhe kërkesat e martesës, ashtu si edhe për t’u siguruar që në të ardhmen të mos verifikohen presionet dhe pengesat, për të cilat u fol më lart;
- ka shumë rëndësi që, me mbështetjen e bashkësisë, pala katolike të forcohet në fenë e vet dhe të ndihmohet pozitivisht që të piqet në kuptimin dhe në praktikimin e saj, në mënyrë që të bëhet dëshmitare e vërtetë e besueshme në gjirin e familjes, nëpërmjet vetë jetës dhe cilësisë së dashurisë së shfaqur ndaj bashkëshortit tjetër dhe ndaj fëmijëve.
Martesat mes katolikëve dhe të pagëzuarve të tjerë, megjithëse në fizionominë e tyre të veçantë, paraqesin elemente të shumta që është mirë të përmirësohen dhe të zhvillohen, si për vlerën e tyre të brendshme, ashtu edhe për ndihmesën që mund t’i japin lëvizjes ekumenike. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur të dy bashkëshortët janë besnikë ndaj angazhimeve të tyre fetare. Pagëzimi i përbashkët dhe dinamizmi i hirit, në këto martesa, u japin bashkëshortëve bazën dhe motivimin për të shprehur njësinë e tyre në sferën e vlerave morale e shpirtërore.
Për këtë qëllim, edhe për të vënë në dukje rëndësinë ekumenike të një martese të tillë të përzier, të jetuar plotësisht në fe të të dy bashkëshortëve të krishterë, duhet kërkuar – edhe pse jo gjithmonë është e lehtë – një bashkëpunim i përzemërt mes mbarështuesit katolik dhe atij jo katolik, që prej kohës së përgatitjes për martesë dhe të dasmës.
Për sa i përket pjesëmarrjes së bashkëshortit jo katolik në kungimin eukaristik, të ndiqen normat e dhëna prej Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve[179].
Në anë të ndryshme të botës, sot, regjistrohet një numër në rritje i martesave mes katolikëve dhe jo të pagëzuarve. Në shumë prej tyre bashkëshorti jo i pagëzuar ushtron një besim tjetër dhe bindjet e tij duhet të trajtohen me respekt, sipas parimeve të Deklaratës Nostra aetate e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit rreth marrëdhënieve me besimet jo të krishtera; por jo në pak martesa të tjera, veçanërisht në shoqëritë e shekullarizuara, personi jo i pagëzuar nuk dëshmon asnjë besim. Për këto martesa është e nevojshme që konferencat ipeshkvore dhe secili ipeshkëv të marrin masa baritore të përshtatshme, që synojnë të garantojnë mbrojtjen e fesë së bashkëshortit katolik dhe tutelimin e ushtrimit të lirë të saj, sidomos për sa i përket detyrës për të bërë gjithçka është në dorën e tij që fëmijët të pagëzohen dhe të edukohen si katolikë. Bashkëshorti katolik, gjithashtu, duhet të mbështetet me çdo mënyrë në angazhimin për të dhënë brenda familjes një dëshmi të pastër feje dhe jete katolike.
Veprimi baritor përballë disa situatave të parregullta
- Në kujdesin e vet për të tuteluar familjen në çdo dimension të sajin, jo vetëm në atë fetar, Sinodi i Ipeshkvinjve nuk ka lënë pa marrë në një konsideratë të vëmendshme disa situata të parregullta nga ana fetare dhe shpesh edhe shoqërore, që – në ndryshimet e sotme të shpejta të kulturave, mjerisht janë duke u përhapur edhe mes katolikëve, me një dëm jo të vogël të vetë institucionit familjar dhe të shoqërisë, qelizën themelore të së cilës e përbën ajo.
- a) Martesa për eksperiment
- Një situatë e parë e parregullt është ajo që e quajnë “martesë për eksperiment”, që shumë njerëz sot dëshirojnë ta arsyetojnë, duke i dhënë asaj një farë vlere. Vetë arsyeja njerëzore të bën ta kuptosh papranueshmërinë e saj, duke treguar se sa pak bindëse është të bësh “eksperiment” në lidhje me personat njerëzorë, dinjiteti i të cilëve kërkon që ata të jenë gjithmonë dhe vetëm qëllim i dashurisë së dhurimit pa asnjë kufi as kohe as të një rrethane tjetër.
Nga ana e vet, Kisha nuk mund të lejojë një lloj të tillë bashkimi për arsye të mëtejshme origjinale që rrjedhin prej fesë. Në të vërtetë, nga njëra anë dhurimi i trupit në marrëdhënien seksuale është simboli real i dhurimit të të gjithë personit: një dhurim i tillë, ndërkaq, në ekonominë aktuale nuk mund të zbatohet me një vërtetësi të plotë pa bashkëpunimin e dashurisë (dell’amore di carita’), të dhënë prej Krishtit. Pastaj, nga ana tjetër, martesa mes dy të pagëzuarve është simboli real i bashkimit të Krishtit me Kishën, një bashkim jo i përkohshëm apo “në eksperiment”, por përjetësisht besnik; prandaj mes dy të pagëzuarve nuk mund të ekzistojë tjetër veçse një martesë e pazgjidhshme.
Kjo situatë zakonisht nuk mund të kapërcehet nëse personi njerëzor, që prej fëmijërisë, nuk është edukuar me ndihmën e hirit të Krishtit dhe pa druajtje, për ta zotëruar lakminë fillestare dhe të vendosë me të tjerët marrëdhënie dashurie të pastër. Kjo nuk arrihet pa një edukim të vërtetë në dashurinë e përnjëmendtë dhe në përdorimin e drejtë të seksualitetit, të tillë që ta udhëheqë personin njerëzor sipas çdo dimensioni të tij, dhe prandaj edhe në atë që i përket trupit të tij, në plotësinë e misterit të Krishtit.
Do të jetë shumë e dobishme të hetohen shkaqet e kësaj dukurie, edhe në aspektin e saj psikologjik e sociologjik, në mënyrë që të arrihet të gjendet një terapi e përshtatshme.
- b) Bashkimet e lira faktikisht
- Bëhet fjalë për bashkime pa asnjë lidhje institucionale publikisht të njohur, as civile as fetare. Kjo dukuri – gjithashtu gjithnjë e më e shpeshtë – nuk mund të mos e tërheqë vëmendjen e barinjve të shpirtrave, edhe sepse në bazë të saj mund të jenë elementë shumë të ndryshëm mes tyre, që duke vepruar mbi ta ndoshta do të jetë e mundur të kufizohen pasojat e tyre.
Në të vërtetë, disa njerëz ndihen gati të detyruar t’i bëjnë këto bashkime prej situatave të vështira – ekonomike, kulturore e fetare – pasi, duke bërë një martesë të rregullt, do të pësonin një dëmtim, një humbje dobish ekonomike, një diskriminim, etj. Ndërsa te të tjerët takohet një qëndrim përbuzjeje, kundërshtimi apo neverie të shoqërisë, të institucionit familjar, të rendit socio-politik, ose vetëm një qëndrim kërkimi të kënaqësisë. Së fundi, disa njerëz të tjerë janë të shtyrë prej padijes e varfërisë së skajshme, nganjëherë prej kushtëzimeve të shkaktuara prej situatave të padrejtësisë së vërtetë, ose edhe prej një farë papjekurie psikologjike, që i bën të pasigurt e të druajtur për të bërë një lidhje të qëndrueshme e përfundimtare. Në disa vende doket tradicionale e parashohin martesën e vërtetë vetëm pas një periudhe bashkëjetese dhe pas lindjes së fëmijës së parë.
Secili prej këtyre elementëve i shtron Kishës probleme të guximshme baritore, për shkak të pasojave të rënda që rrjedhin prej tyre, si fetare e morale (humbja e ndjenjës fetare të martesës, e parë në dritën e Besëlidhjes së Hyjit me popullin e vet; privimi i hirit të sakramentit; skandali i rëndë), ashtu edhe shoqërore (shkatërrim i konceptit të familjes; dobësim i ndjenjës së besnikërisë edhe ndaj shoqërisë; trauma të mundshme psikologjike tek bijtë; afirmimi i egoizmit).
Do të jetë detyrë e barinjve dhe e bashkësisë kishtare t’i njohin këto situata dhe shkaqet e tyre konkrete, rast për rast; t’u afrohen bashkëjetuesve me maturi e respekt; të punojnë me një veprim ndriçimi të durueshëm, ndreqjeje të mëshirshme, dëshmie familjare të krishterë, që mund t’ua sheshojë atyre rrugën drejt rregullimit të situatës. Por sidomos, duhet vepruar për parandalimin e tyre, duke kultivuar ndjenjën e besnikërisë në të gjithë edukimin moral e fetar të të rinjve, duke i udhëzuar mbi kushtet dhe strukturat që e favorizojnë këtë besnikëri, pa të cilën nuk jepet liri e vërtetë, duke i ndihmuar të piqen shpirtërisht, duke i bërë të kuptojnë realitetin e pasur njerëzor dhe mbinatyror të martesës-sakrament.
Populli i Hyjit të veprojë edhe pranë autoriteteve publike me qëllim që, duke u bërë ballë këtyre prirjeve përçarëse të vetë shoqërisë dhe të dëmshme për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e secilit shtetas, të punojnë që opinioni publik të mos nxitet për ta nënvleftësuar rëndësinë institucionale të martesës dhe të familjes. Dhe meqenëse në shumë anë të botës, nga varfëria e skajshme që rrjedh prej strukturave socio-ekonomike të padrejta apo të papërshtatshme, të rinjtë nuk janë në gjendje të martohen siç duhet, shoqëria dhe autoritetet publike të favorizojnë martesën e ligjshme nëpërmjet një serie ndërhyrjesh shoqërore e politike, duke garantuar pagën familjare, duke shpallur dispozita për një banesë të përshtatshme për jetën familjare, duke krijuar mundësi të përshtatshme pune e jete.
- c) Katolikët e bashkuar vetëm me martesë civile
- 82. Është gjithnjë e më i shpeshtë rasti i katolikëve që, për arsye ideologjike e praktike, parapëlqejnë të bëjnë vetëm martesën civile, duke refuzuar ose të paktën duke e shtyrë atë fetare. Situata e tyre nuk mund të barazohet patjetër me atë të bashkëjetuesve të thjeshtë pa asnjë lidhje, pasi tek ata ka të paktën një angazhim për një gjendje të saktë dhe ndoshta të qëndrueshme jete, edhe pse shpesh nuk është larg këtij hapi perspektiva e një divorci të mundshëm. Duke kërkuar njohjen publike të lidhjes nga ana e shtetit, këta çifte tregojnë se, së bashku me dobitë, janë të gatshëm të marrin përsipër edhe detyrimet. Pavarësisht prej kësaj, as kjo situatë nuk është e pranueshme nga ana e Kishës.
Veprimi baritor do të punojë për të bërë që të kuptohet nevoja e koherencës mes zgjedhjes së jetës dhe të fesë që njeriu dëshmon, dhe do të përpiqet të bëjë gjithçka është e mundur për t’i bërë këta persona ta rregullojnë situatën e tyre në dritën e parimeve të krishtera. Megjithëse duke i trajtuar me dashuri të madhe, dhe duke i shtyrë drejt jetës së bashkësive përkatëse, barinjtë e Kishës mjerisht nuk do të mund t’i pranojnë në sakramente.
- d) Të ndarët e të divorcuarit jo të rimartuar
- Arsye të ndryshme, sikurse moskuptimet e ndërsjella, paaftësia për t’iu hapur marrëdhënieve ndërpersonale, etj., mjerisht mund ta çojnë martesën në një thyerje shpesh të pandreqshme. Natyrisht ndarja duhet të konsiderohet si zgjidhja e skajshme, pasi çdo përpjekje tjetër e arsyeshme është treguar e kotë.
Vetmia dhe vështirësitë e tjera janë shpesh trashëgimia e bashkëshortit të ndarë, sidomos nëse është i pafajshëm. Në këtë rast bashkësia kishtare duhet më shumë se kurrë ta mbështesë, t’i japë vlerësim, solidaritet, mirëkuptim dhe ndihmë konkrete në mënyrë që ai ta ketë të mundur ta ruajë besnikërinë edhe në situatën e vështirë në të cilën gjendet; ta ndihmojë për të kultivuar nevojën e faljes së dashurisë së krishterë dhe gatishmërinë për rifillimin e mundshëm të jetës bashkëshortore të mëparshme.
Analog është rasti i bashkëshortit që ka pësuar divorcin, por që – duke e njohur pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore të vlefshme – nuk e lë veten të përfshihet në një bashkim të ri, duke u angazhuar vetëm në plotësimin e detyrave të veta familjare dhe të përgjegjësive të jetës së krishterë. Në këtë rast shembulli i tij i besnikërisë dhe i koherencës së krishterë merr një vlerë të veçantë dëshmie përballë botës dhe Kishës, duke e bërë edhe më të nevojshëm, nga ana e saj, një veprim të vazhdueshëm dashurie dhe ndihme, pa pasur asnjë pengesë për pranimin në sakramente.
- d) Të divorcuarit e rimartuar
- Përvoja e përditshme, mjerisht, tregon se ai që ka kërkuar divorcin, në më të shumtën ka për qëllim kalimin në një bashkim tjetër, natyrisht jo me ritin fetar katolik. Meqenëse bëhet fjalë për një plagë që, njësoj me të tjerat, është duke goditur gjithnjë e më shumë edhe mjediset katolike, ky problem duhet të përballohet me një kujdes të detyrueshëm. Etërit Sinodalë e kanë studiuar shprehimisht. Në të vërtetë, Kisha, e themeluar për shëlbimin e të gjithë njerëzve dhe sidomos të të pagëzuarve, nuk mund t’i braktisë në duart e vetvetes ata që – tashmë të bashkuar me lidhjen martesore sakramentale – kanë kërkuar të kalojnë në një martesë të re. Prandaj, pa u lodhur do të përpiqet të vërë në dispozicion të tyre mjetet e saj të shëlbimit.
Ta dinë barinjtë se, për hir të së vërtetës, janë të detyruar t’i dallojnë mirë situatat. Në të vërtetë, ka ndryshim mes atyre që sinqerisht janë përpjekur ta shpëtojnë martesën e parë dhe janë braktisur krejtësisht me të padrejtë, dhe atyre që për fajin e tyre të madh kanë shkatërruar një martesë kanonikisht të vlefshme. Në fund, janë edhe ata që kanë bërë një bashkim të dytë me qëllim edukimin e fëmijëve, dhe nganjëherë janë subjektivisht të sigurt në ndërgjegje se martesa e mëparshme, e shkatërruar në mënyrë të pandreqshme, nuk ka qenë kurrë e vlefshme.
Së bashku me Sinodin, i nxis ngrohtësisht barinjtë dhe tërë bashkësinë e besimtarëve që t’i ndihmojnë të divorcuarit duke u kujdesur me dashuri që të mos e konsiderojnë veten të ndarë prej Kishës, meqenëse munden e madje duhet, si të pagëzuar, të marrin pjesë në jetën e saj. Të nxiten që të dëgjojnë Fjalën e Hyjit, të frekuentojnë Flinë e Meshës, të jenë të qëndrueshëm në lutje, të shtojnë veprat e mëshirshme dhe nismat e bashkësisë në favor të drejtësisë, të edukojnë bijtë në fenë e krishterë, të kultivojnë shpirtin dhe veprat e pendesës për të kërkuar kështu, ditë pas dite, hirin e Hyjit. Kisha të lutet për ta, t’i nxisë, të tregohet nënë e mëshirshme dhe t’i mbështesë kështu në fe dhe në shpresë.
Megjithatë, Kisha thekson praktikën e saj, të bazuar në Shkrimin e Shenjtë, se nuk i pranon në kungimin eukaristik të divorcuarit e rimartuar. Ata nuk mund të pranohen në të, prej momentit që gjendja e tyre dhe kushtet e tyre të jetës e kundërshtojnë objektivisht atë bashkim dashurie mes Krishtit dhe Kishës, që shfaqet dhe zbatohet prej Eukaristisë. Përveç kësaj, ka edhe një arsye të veçantë baritore; nëse do të pranoheshin këta persona në Eukaristi, besimtarët do të nxiteshin në gabim dhe konfuzion rreth doktrinës së Kishës mbi pazgjidhshmërinë e martesës.
Pajtimi në sakramentin e pendesës – që do t’i hapte rrugën sakramentit eukaristik – mund t’u jepet vetëm atyre që, të penduar se e kanë shkelur shenjën e Besëlidhjes dhe të besnikërisë ndaj Krishtit, janë sinqerisht të gatshëm për një formë jete jo më në kundërshtim me pazgjidhshmërinë e martesës. Kjo konkretisht bën që kur burri dhe gruaja, për arsye serioze – si për shembull, edukimi i fëmijëve – nuk mund ta plotësojnë detyrimin e ndarjes, “marrin përsipër angazhimin të jetojnë në një vetëpërmbajtje të plotë, pra të heqin dorë prej akteve karakteristike të bashkëshortëve”[180].
Gjithashtu, respekti i duhur qoftë ndaj sakramentit të martesës, qoftë ndaj vetë bashkëshortëve e familjarëve të tyre, qoftë edhe ndaj bashkësisë së besimtarëve, ia ndalon çdo bariu, për çfarëdo arsyeje apo preteksti edhe baritor, të zbatojë, në dobi të të divorcuarve që rimartohen, ceremoni të çfarëdo lloji. Në të vërtetë, këto do të jepnin përshtypjen e kremtimit të martesës së re sakramentale të vlefshme dhe si pasojë do të shpienin në gabim në lidhje me pazgjidhshmërinë e martesës së lidhur në mënyrë të vlefshme.
Duke vepruar në këtë mënyrë, Kisha dëshmon besnikërinë e vet ndaj Krishtit dhe ndaj së vërtetës së tij; në të njëjtën kohë sillet me shpirt amnor ndaj këtyre bijve të saj, sidomos ndaj atyre që, pa faj të tyre, janë braktisur prej bashkëshortit të tyre të ligjshëm.
Me besim të patundur ajo beson se, edhe ata që janë larguar prej urdhërimit të Zotit dhe në këtë gjendje jetojnë ende, do të mund të marrin prej Hyjit hirin e kthimit dhe të shëlbimit, nëse do të kenë qenë të qëndrueshëm në lutje, në pendesë e në dashuri.
Njerëzit pa familje
- Edhe një fjalë dëshiroj të shtoj për një kategori njerëzish që, prej kushteve konkrete në të cilat jetojnë – dhe shpesh jo me vullnetin e tyre të lirë – unë i konsideroj veçanërisht të afërt për Zemrën e Krishtit dhe të denjë për dashurinë e përkujdesjen e dobishme të Kishës dhe të barinjve.
Ekzistojnë në botë shumë njerëz të cilët, fatkeqësisht, nuk mund t’i referohen në asnjë mënyrë asaj që mund të përcaktohet në kuptimin e vet si familje. Pjesë të mëdha të njerëzimit jetojnë në gjendje varfërie shumë të madhe, në të cilën përzierja, mungesa e banesave, parregullsia dhe paqëndrueshmëria e marrëdhënieve, mungesa e skajshme e kulturës nuk lejojnë praktikisht që të mund të flitet për familje të vërtetë. Ka edhe persona të tjerë që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur të vetëm në botë. Megjithatë, për të gjithë ata ekziston një “lajm i mirë i familjes”.
Në dobi të atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, kam folur edhe më parë për nevojën e ngutshme për të punuar me guxim që të gjenden zgjidhje, edhe në nivelin politik, të cilat lejojnë të ndihmohen për ta kapërcyer këtë gjendje çnjerëzore poshtëruese. Është një detyrë që i përket, solidarisht, gjithë shoqërisë, por në mënyrë të veçantë autoriteteve për arsye të detyrës së tyre dhe përgjegjësive që vijnë si pasojë, si edhe familjeve, që duhet të tregojnë mirëkuptim të madh dhe vullnet për ndihmë.
Atyre që nuk kanë një familje natyrore duhet t’u hapen edhe më tepër dyert e familjes së madhe të Kishës, e cila konkretizohet nga ana e saj në familjen dioqezane e famullitare, në bashkësitë kishtare bazë apo në lëvizjet apostolike. Askush nuk është pa familje në këtë botë: Kisha është shtëpi dhe familje për të gjithë, sidomos për ata që janë “të lodhur e të shtypur”[181].
Përfundim
- Ju bashkëshortë, ju etër e nëna familjesh;
ju, të rinj e vajza, që jeni e ardhmja dhe shpresa e Kishës dhe e botës, dhe do të jeni bërthama mbështetëse dhe dinamike e familjes në mijëvjeçarin e tretë që po afrohet;
ju, të nderuar e të dashur Vëllezër në episkopat e në meshtari, të dashur bij rregulltarë e rregulltare, shpirtra të kushtuar Zotit, që bashkëshortëve u dëshmoni realitetin e fundit të dashurisë së Hyjit;
ju, njerëz me ndjenja të drejta (tutti di retto sentire), që me çfarëdo titulli mendoni për fatet e familjes, me zell të dridhshëm i drejtohet shpirti im në përfundim të kësaj Nxitjeje Apostolike.
E ardhmja e njerëzimit kalon nëpërmjet familjes!
Pra, është e domosdoshme dhe e ngutshme që çdo njeri vullnetmirë të angazhohet për t’i shpëtuar e për t’i promovuar vlerat dhe kërkesat e familjes.
Një përpjekje të veçantë në lidhje me këtë ndiej se duhet t’u kërkoj bijve të Kishës. Ata, që në fenë e tyre e njohin plotësisht planin e mrekullueshëm të Hyjit, kanë një arsye më shumë për ta pasur përzemër realitetin e familjes në këtë kohë tonën prove dhe hiri.
Ata duhet ta duan në mënyrë të veçantë familjen. Kjo është një detyrë konkrete dhe kërkuese.
Ta duash familjen do të thotë të dish t’i çmosh vlerat e mundësitë e saj, duke i promovuar ato gjithmonë. Ta duash familjen do të thotë të zbulosh rreziqet dhe të këqijat që e kërcënojnë, që të mund t’i kapërcesh. Ta duash familjen do të thotë të punosh për t’i krijuar asaj një mjedis që ndihmon zhvillimin e saj. Dhe përsëri, është formë e shkëlqyer dashurie t’i rijapësh familjes së krishterë të sotme, shpesh të tunduar prej dëshpërimit dhe në ankth prej vështirësive të zmadhuara, arsye të besimit në vetvete, në pasuritë e veta natyrore dhe të hirit në misionin që Hyji i ka besuar. “Duhet që familjet e kohës sonë të rimarrin vlerë! Duhet që të ndjekin Krishtin!”[182].
Gjithashtu, u përket të krishterëve detyra për ta shpallur me hare e bindje lajmin “e mirë” mbi familjen, e cila ka një nevojë absolute për t’i dëgjuar përsëri dhe për t’i kuptuar gjithnjë e më thellë fjalët e vërteta që i zbulojnë identitetin e saj, burimet e saj të brendshme, rëndësinë e misionit të saj në Qytetin e njerëzve dhe në atë të Hyjit.
Kisha e njeh rrugën nëpërmjet së cilës familja mund të arrijë në zemrën e së vërtetës së vet të thellë. Këtë rrugë, që Kisha e ka mësuar në shkollën e Krishtit dhe në atë të historisë, të interpretuar në dritën e Shpirtit, ajo nuk e imponon, por ndien në vetvete nevojën e vet të pamposhtur për t’ua propozuar të gjithëve pa druajtje, madje me besim e shpresë të madhe, megjithëse duke e ditur se “lajmi i mirë” njeh gjuhën e Kryqit. Por nëpërmjet Kryqit familja mund të arrijë në plotësinë e qenies së vet dhe në përsosjen e dashurisë së vet.
Së fundi, dëshiroj t’i ftoj të gjithë të krishterët të bashkëpunojnë, përzemërsisht dhe me guxim, me të gjithë njerëzit vullnetmirë, që e jetojnë përgjegjësinë e tyre në shërbim të familjes. Ata që i kushtohen të mirës së saj në gjirin e Kishës, në emrin e saj dhe të frymëzuar prej saj, qofshin individë apo grupe, lëvizje apo shoqata, gjejnë shpesh pranë tyre persona dhe institucione të ndryshme që veprojnë për të njëjtin ideal. Në besnikëri ndaj vlerave të Ungjillit dhe të njeriut dhe në respekimin e një pluralizmi të ligjshëm nismash, ky bashkëpunim do të mund të favorizojë një promovim më të shpejtë dhe të plotë të familjes.
Dhe tani, duke e përfunduar këtë mesazh baritor, që synon të nxisë vëmendjen e të gjithëve mbi detyrat e rënda por tërheqëse të familjes së krishterë, dëshiroj të thërras mbrojtjen e shenjtes Familje të Nazaretit.
Prej një plani të mistershëm të Hyjit, në të ka jetuar i fshehur për shumë vjet Biri i Hyjit: pra ajo është prototipi dhe shembulli i të gjitha familjeve të krishtera. Dhe ajo Familje, e vetmja në botë, që ka kaluar një ekzistencë anonime dhe të heshtur në një qytezë të vogël të Palestinës; që ka qenë e provuar prej varfërisë, prej përndjekjes, prej mërgimit; që e ka lavdëruar Hyjin në mënyrë pakrahasueshmërisht të lartë e të pastër, nuk do të lërë pa i ndihmuar familjet e krishtera, madje të gjitha familjet e botës, në besnikërinë ndaj detyrave të tyre të përditshme, në durimin e anktheve dhe vështirësive të jetës, në hapjen zemërgjerë ndaj nevojave të të tjerëve, në përmbushjen e hareshme të planit të Hyjit në lidhje me ta.
Shën Jozefi “njeri i drejtë”, punëtor i palodhshëm, rojtar shumë i ndershëm i pengjeve të besuar atij, i ruajtë, i mbrojtë, i ndriçoftë gjithmonë.
Virgjëra Mari, ashtu siç është Nënë e Kishës, qoftë edhe Nëna e “Kishës shtëpiake”, dhe, falë ndihmës së saj amnore, çdo familje e krishterë u bëftë vërtet një “Kishë e vogël”, në të cilën të pasqyrohet e të rijetojë misteri i Kishës së Krishtit. Ajo, Shërbëtorja e Zotit, qoftë shembulli i pranimit të përvuajtur e zemërgjerë të vullnetit të Hyjit; Ajo, Nëna e Dhimbshme në këmbët e Kryqit, i ngushëlloftë vuajtjet dhe i fshiftë lotët e atyre që vuajnë prej vështirësisë së familjeve të tyre.
Dhe Krishti Zot, Mbret i gjithësisë, Mbret i familjeve, qoftë i pranishëm, sikurse në Kanë, në çdo vatër të krishterë për të dhuruar dritë, gëzim, kthjelltësi, forcë. Atij, në ditën e kushtuar Mbretërimit të tij, i kërkoj që çdo familje të dijë t’i sjellë bujarisht ndihmesën e vet origjinale ardhjes në botë të Mbretërisë së tij, “Mbretëri e së vërtetës dhe e jetës, e shenjtërisë dhe e hirit, e drejtësisë, e dashurisë dhe e paqes”[183], drejt së cilës ecën historia.
Atij, Marisë, Jozefit ia besoj çdo familje. Duarve të tyre dhe zemrave të tyre ua paraqes këtë nxitje: Ata jua shtrifshin Juve, të nderuar Vëllezër e të dashur bij, dhe i hapshin zemrat tuaja ndaj dritës që Ungjilli rrezaton mbi çdo familje.
Të gjithëve dhe secilit, duke i siguruar lutjen time të vazhdueshme, i jap nga zemra Bekimin Apostolik, në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 22 nëntor, Solemniteti i Z.T. Jezu Krishtit Mbret i gjithësisë, i vitit 1981, i katërti i Pontifikatit.
Joannes Paulus II
Tregues
Hyrje
Kisha në shërbim të familjes
Sinodi i vitit 1980 në vazhdimësi me Sinodet e mëparshëm
E mira e çmuar e martesës dhe e familjes
Pjesa e parë
Dritat dhe errësirat e familjes, sot
Nevoja për të njohur situatën
Njohja (discernimento) ungjillore
Situata e familjes në botën e sotme
Ndikimi i situatës në ndërgjegjen e besimtarëve
Epoka jonë ka nevojë për urti
Gradualiteti dhe kthimi
Inkulturimi
Pjesa e dytë
Plani i Hyjit mbi martesën dhe mbi familjen
Njeriu shëmbëlltyrë e Hyjit Dashuri
Martesa dhe bashkimi mes Hyjit e njerëzve
Jezu Krishti, dhëndri i Kishës, dhe sakramenti i martesës
Bijtë, dhuratë shumë e çmueshme e martesës
Familja, bashkim personash
Martesa dhe virgjëria
Pjesa e tretë
Detyrat e familjes së krishterë
Familja bëhet ajo që je!
I – Formimi i një bashkësie personash
Dashuria, fillimi dhe forca e bashkimit
Njësia e pandashme e bashkimit bashkëshortor
Një bashkim i pazgjidhshëm
Bashkimi më i gjerë i familjes
Të drejtat dhe detyrat e gruas
Gruaja dhe shoqëria
Fyerjet ndaj dinjitetit të gruas
Burri bashkëshort e baba
Të drejtat e fëmijës
Të moshuarit në familje
II – Në shërbim ndaj jetës
1) Përçimi i jetës
Bashkëpunëtorë të dashurisë së Hyjit Krijues
Doktrina dhe norma gjithmonë të vjetra e gjithmonë të reja të Kishës
Kisha është me jetën
Që plani hyjnor të zbatohet gjithnjë e më plotësisht
Në vizionin integral të njeriut dhe të thirrjes së tij
Kisha Mësuese dhe Nënë për bashkëshortët në vështirësi
Itinerari moral i bashkëshortëve
Nxitja e bindjeve dhe dhënia e ndihmave konkrete
2) Edukimi
E drejta-detyrë edukuese e prindërve
Edukimi për vlerat thelbësore të jetës njerëzore
Misioni edukativ dhe sakramenti i kurorës së martesës
Përvoja e parë e Kishës
Marrëdhëniet me forcat e tjera edukative
Një shërbim i shumëfishtë ndaj jetës
III – Pjesëmarrja në zhvillimin e shoqërisë
Familja qelizë e parë dhe jetësore e shoqërisë
Jeta familjare si përvojë e bashkimit dhe e pjesëmarrjes
Detyra shoqërore e politike
Shoqëria në shërbim të familjes
Karta e të drejtave të familjes
Hiri dhe përgjegjësia e familjes së krishterë
Për një rend të ri ndërkombëtar
IV – Pjesëmarrja në jetën dhe në misionin e Kishës
Familja në misterin e Kishës
Një detyrë kishtare karakteristike dhe origjinale
1) Familja e krishterë, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese
Feja, zbulim dhe admirim i planit të Hyjit mbi familjen
Shërbesa e ungjillëzimit të familjes së krishterë
Një shërbim kishtar
Predikimi i Ungjillit çdo krijese
2) Familja e krishterë, bashkësi në dialog me Hyjin
Shenjtërorja shtëpiake e Kishës
Martesa, sakrament i shenjtërimit të ndërsjellë dhe akt kulti
Martesa dhe Eukaristia
Sakramenti i kthimit dhe i pajtimit
Lutja familjare
Edukatorë lutjeje
Lutja liturgjike e private
Lutja dhe jeta
3) Familja e krishterë, bashkësi në shërbim të njeriut
Urdhri i ri i dashurisë
Të zbulosh në çdo vëlla shëmbëlltyrën e Hyjit
Pjesa e katërt
Baritorja familjare: kohët, strukturat, vepruesit dhe situatat
I – Kohët e baritores familjare
Kisha e shoqëron familjen e krishterë në ecjen e saj
Përgatitja
Kremtimi
Kremtimi i martesës dhe ungjillëzimi i të pagëzuarve jo besimtarë
Baritorja pas-martesore
II – Strukturat e baritores familjare
Bashkësia kishtare dhe në veçanti famullia
Familja
Shoqatat e familjeve për familjet
III – Vepruesit e baritores familjare
Ipeshkvinjtë dhe presbiterët
Rregulltarët e rregulltaret
Laikët e specializuar
Marrësit dhe vepruesit e Komunikimit shoqëror
IV – Baritorja familjare në rastet e vështira
Rrethanat e veçanta
Martesat e përziera
Veprimi baritor përballë disa situatave të parregullta
- Martesa për eksperiment
- Bashkimet e lira faktikisht
- Katolikët e bashkuar vetëm me martesën civile
- Të ndarët dhe të divorcuarit jo të rimartuar
- Të divorcuarit e rimartuar
Njerëzit pa familje
Përfundim
[1] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 52.
[2] Krh. Gjon Pali II, Homelia për hapjen e Sinodit IV të Ipeshkvinjve, 2 (26 shtator 1980): AAS 72 (1980), 1008.
[3] Krh. Zan 1-2.
[4] Krh. Ef 5.
[5] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 47; Gjon Pali II, Letra Appropinquat iam, 1 (15 gusht 1980): AAS 72 (1980), 791.
[6] Krh. Mt 19, 4.
[7] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 47.
[8] Krh. Gjon Pali II, Fjalimi në Këshillin e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvinjve (23 shkurt 1980): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 1 (1980), 472-476.
[9] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 4.
[10] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12.
[11] Krh. 1 Gjn 2, 20.
[12] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 35.
[13] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12; Kongregata e Shenjtë për Doktrinën e Fesë, Dekl. Mysterium Ecclesiae, 2: AAS 65 (1973), 398-400.
[14] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12; Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin Hyjnor Dei Verbum, 10.
[15] Krh. Gjon Pali II, Homelia për hapjen e Sinodit VI të Ipeshkvinjve, 3 (26 shtator 1980): AAS 72 (1980), 1008.
[16] Krh. shën Agustini, De Civitate Dei, XIV, 28: CSEL 40, II, 56-57.
[17] Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 15.
[18] Krh. Ef. 3, 8; Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 44; Dekr. mbi veprimtarinë misionare të Kishës Ad gentes, 15 e 22.
[19] Krh. Mt 19, 4 v.
[20] Krh. Zan 1, 26-27.
[21] 1 Gjn 4, 8.
[22] Krh. Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 12.
[23] Krh. ibid., 48.
[24] Krh. p.sh. Oz 2, 21; Jer 3, 6-13; Is 54.
[25] Krh. Ez 16, 25.
[26] Krh. Oz 3.
[27] Krh. Zan 2, 24; Mt 19, 5.
[28] Krh. Ef 5, 32-33.
[29] Tertuliani, Ad uxorem, II, 8, 6-8: CCL I, 393.
[30] Krh. Konc. Ekum. i Trident., seksioni XXIV, kan. 1: I. D. Mansi, Sacrorum Conciliorum Nova et Amplissima Collectio, 33, 149-150.
[31] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48.
[32] Gjon Pali II, Fjalimi drejtuar Delegatëve të “Centre de Liaison des Equipes de Recherche”, 3 (3 nëntor 1979): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, II, 2 (1979), 1032.
[33] Ibid., 4: l.c., fq. 1032.
[34] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 50.
[35] Krh. Zan 2, 24.
[36] Ef 3, 15.
[37] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 78.
[38] Shën Gjon Gojarti, La verginita’, X: PG 48, 540.
[39] Krh. Mt 22, 30.
[40] Krh. 1 Kor 7, 32-35.
[41] Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi përtëritjen e jetës rregulltare Perfectae caritatis, 12.
[42] Krh. Piu XII, Let. Enc. Sacra virginitas, II: AAS 46 (1954), 174 v.
[43] Krh. Gjon Pali II, Letra Novo incipiente, 9 (8 prill 1979): AAS 71 (1979), 410-411.
[44] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48.
[45] Gjon Pali II, Let. Enc. Redemptor hominis, 10: AAS 71 (1979), 274.
[46] Mt 19, 6; krh. Zan 2, 24.
[47] Krh. Gjon Pali II, Fjalim drejtuar Bashkëshortëve, 4 (Kinshasa, 3 maj 1980): AAS 72 (1980), 426-427.
[48] Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 49; krh. Gjon Pali II, Fjalim drejtuar Bashkëshortëve, 4 (Kinshasa, 3 maj 1980); l.c.
[49] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48.
[50] Krh. Ef 5, 25.
[51] Mt 19, 8.
[52] Zb 3, 14.
[53] Krh. 2 Kor 1, 20.
[54] Krh. Gjn 13, 1.
[55] Mt 19, 6.
[56] Rom 8, 29.
[57] Shën Toma i Akuinit, Summa Theologiae, IIa-ae, 14, 2, në 4.
[58] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën, Lumen gentium, 11; krh. Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 11.
[59] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 52.
[60] Krh. Ef 6, 1-4; Kol 3, 20-21.
[61] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48.
[62] Gjn 17, 21.
[63] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 24.
[64] Zan 1, 27.
[65] Gal 3, 26.28.
[66] Krh. Gjon Pali II, Let. Enc. Laborem exercens., 19: AAS 73 (1981) 625.
[67] Zan 2, 18.
[68] Ibid., 2, 23.
[69] Shën Ambrozi, Exameron V, 7, 19: CSEL 32, I, 154.
[70] Pali VI, Let. Enc. Humanae vitae, 9: AAS 60 (1968) 486.
[71] Krh. Ef 5, 25.
[72] Krh. Gjon Pali II, Homelia drejtuar besimtarëve të Ternit, 3-5 (19 mars 1981): AAS 73 (1981), 268-271.
[73] Krh. Ef 3, 15.
[74] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 52.
[75] Lk 18, 16; Mt 19, 14; Mk 10, 14.
[76] Gjon Pali II, Fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 21 (2 tetor 1979): AAS 71 (1979), 1159.
[77] Lk 2, 52.
[78] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48.
[79] Gjon Pali II, Fjalim drejtuar pjesëmarrësve në “International Forum on Active Aging”, 5 (5 shtator 1980): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 2 (1980), 539.
[80] Zan 1, 28.
[81] Krh. ibid., 5, 1 vv.
[82] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 50.
[83] Propositio 22. Përfundimi i nr. 11 të Enc. Humanae vitae pohon kështu: “Duke u bërë thirrje njerëzve për zbatimin e normave të ligjit natyror të interpretuar prej doktrinës së përhershme, Kisha mëson se çfarëdo akti martesor duhet të mbetet i hapur ndaj përçimit të jetës (ut quilibet matrimonii usus ad vitam humanam procreandam per se destinatus permaneat)”: AAS 60 (1968), 488.
[84] Krh. 2 Kor 1, 19; Zb 3, 14.
[85] Krh. Mesazhi i Sinodit VI të Ipeshkvinjve drejtuar Familjeve të krishtera në botën bashkëkohore, 5 (24 tetor 1980).
[86] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 51.
[87] Let. Enc. Humanae vitae, 7: AAS 60 (1968), 485.
[88] Ibid., 12: l.c., 488-489.
[89] Ibid., 14: l.c., 490.
[90] Ibid., 13: l.c., 489.
[91] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 51.
[92] Pali VI, Let. Enc. Humanae vitae, 29: AAS 60 (1968), 501.
[93] Krh. ibid., 25: l.c., 498-499.
[94] Ibid., 21: l.c., 496.
[95] Gjon Pali II, Homelia për përfundimin e Sinodit VI të Ipeshkvinjve, 8 (25 tetor 1980): AAS 72 (1980), 1083.
[96] Krh. Pali VI, Let. Enc. Humanae vitae, 28: AAS 60 (1980).
[97] Krh. Gjon Pali II, Fjalim drejtuar Delegatëve të “Centre de Liaison des Equipes de Recherche”, 9 (3 nëntor 1979): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, II 2 (1979), 1035; krh. edhe Fjalimin drejtuar Pjesëmarrësve në Kongresin e parë për Familjet e Afrikës dhe të Europës (15 janar 1981): L’Osservatore Romano (16 janar 1981).
[98] Let. Enc. Humanae vitae, 25: AAS 60 (1968), 499.
[99] Deklarata mbi Edukimin e krishterë Gravissimum educationis, 3.
[100] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 35.
[101] Shën Toma i Akuinit, Summa contra Gentiles, IV, 58.
[102] Dekl. mbi Edukimin e krishterë Gravissimum educationis, 2.
[103] Nxit. Ap. Evangelii nuntiandi, 71: AAS 68 (1976) 60-61.
[104] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekl. mbi Edukimin e krishterë Gravissimum educationis, 3.
[105] Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 11.
[106] Kusht. baritore mbi kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 52.
[107] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 11.
[108] Rom 12, 13.
[109] Mt 10, 42.
[110] Krh. Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 30.
[111] Konc. II Ekum. i Vat., Dekl. mbi lirinë fetare Dignitatis humanae, 5.
[112] Krh. Propositio, 42.
[113] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 31.
[114] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 11; Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 11; Gjon Pali II, Homelia për hapjen e Sinodit VI të Ipeshkvinjve, 3 (26 shtator, 1980): AAS 72 (1980), 1008.
[115] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 11.
[116] Krh. Ibid., 41.
[117] Vap 4, 32.
[118] Krh. Pali VI, Let. Enc. Humanae vitae, 9: AAS 60 (1968), 486-487.
[119] Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 48
[120] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Zbulimin Hyjnor Dei Verbum, 1.
[121] Krh. Rom 16, 26.
[122] Krh. Pali VI, Let. Enc. Humanae vitae, 25: AAS 60 (1968), 498.
[123] Nxit. Ap. Evangelii nuntiandi, 71: AAS 68 (1976), 60-61.
[124] Krh. Fjalimi në Asamblenë III të Përgjithshme të Ipeshkvinjve të Amerikës Latine, IV, a (28 janar 1979): AAS 71 (1979), 204.
[125] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 35.
[126] Gjon Pali II, Nxit. Ap. Catechesi tradendae, 68: AAS 71 (1979), 1334.
[127] Krh. Ibid., 36: l.c., 1308.
[128] Krh. 1 Kor 12, 4 vv.; Ef 4, 12-13.
[129] Mk 16, 15.
[130] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 11.
[131] Vap 1, 8.
[132] Krh. 1 Pjt 3, 1-2.
[133] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 35; Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 11.
[134] Krh. Vap 18; Rom 16, 3-4.
[135] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi veprimtarinë misionare të Kishës Ad gentes, 39.
[136] Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 30.
[137] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 10.
[138] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. e përgjithshme mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 49.
[139] Ibid., 48.
[140] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 41.
[141] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 59.
[142] Krh. 1 Pjt 2, 5; Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 34.
[143] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 34.
[144] Kusht. mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 78.
[145] Krh. Gjn 19, 34.
[146] Nr. 25: AAS 60 (1968), 499.
[147] Ef 2, 4.
[148] Krh. Gjon Pali II, Let. Enc. Dives in misericordia, 13: AAS 72 (1980), 1218-1219.
[149] Krh. 1 Pjt 2, 5.
[150] Mt 18, 19-20.
[151] Konc. II Ekum. i Vat., Dekl. mbi Edukimin e krishterë Gravissimum educationis, 3; krh. Gjon Pali II, Nxit. Ap. Catechesi tradendae, 36: AAS 71 (1979), 1308.
[152] Fjalimi në Audiencën e përgjithshme (11 gusht 1976): Insegnamenti di Paolo VI, XIV (1976), 640.
[153] Krh. Kusht. mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 12.
[154] Krh. Institutio Generalis de Liturgia Horarum, 27.
[155] Pali VI, Nxit. Ap. Marialis cultus, 52-54: AAS 66 (1974), 160-161.
[156] Gjon Pali II, Fjalim në Shenjtëroren e Mentorelës (29 tetor 1978): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, I (1978), 78-79.
[157] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 4.
[158] Krh. Gjon Pali I, Fjalim drejtuar Ipeshkvinjve të Rajonales XII Baritore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (21 shtator 1978): AAS 70 (1978), 767.
[159] Rom 8, 2.
[160] Ibid., 5, 5.
[161] Krh. Mk 10, 45.
[162] Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentim, 36.
[163] Dekr. mbi apostullatin e Laikëve Apostolicam actuositatem, 8.
[164] Mesazhi i Sinodit VI të Ipeshkvinjve drejtuar Familjeve të krishtera në botën bashkëkohore, 12 (24 tetor 1980).
[165] Krh. Gjon Pali II, Fjalimi në Asamblenë III të Përgjithshme të Ipeshkvinjve të Amerikës Latine, IV, a (28 janar 1979): AAS 71 (1979), 204.
[166] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 10.
[167] Krh. Ordo celebrandi Matrimonium, 17.
[168] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 59.
[169] Konc. II Ekum. i Vat, Dekr. mbi përtëritjen e jetës rregulltare Perfectae caritatis, 12.
[170] Nr. 3-4 (29 nëntor 1980): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 2 (1980), 1453-1454.
[171] Pali VI, Mesazh për Ditën III të Komunikimeve Shoqërore (7 prill 1969): AAS 61 (1969), 455.
[172] Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore (1 maj 1980): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 1 (1980), 1042.
[173] Gjon Pali II, Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 1981, 5 (10 maj 1981): L’Osservatore Romano, 22 maj 1981.
[174] Gjon Pali II, Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 1981, 5 (10 maj 1981): L’Osservatore Romano, 22 maj 1981.
[175] Pali VI, Mesazhi për Ditën III të Komunikimeve Shoqërore: AAS 61 (1969), 456.
[176] Ibid.
[177] Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 1980: Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 1 (1980), 1044.
[178] Krh. Pali VI, Motu Proprio Matrimonia mixta, 4-5: AAS 62 (1970), 257 vv.: krh. Gjon Pali II, Fjalim drejtuar pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve (13 nëntor 1981): L’Osservatore Romano (14 nëntor 1981).
[179] Udhëz. In quibus rerum circumstantiis (15 qershor 1972): AAS 64 (1972), 518-525; Shënim i 17 tetorit 1973: AAS 65 (1973), 616-619.
[180] Gjon Pali PP. II, Homelia për mbylljen e Sinodit VI të Ipeshkvinjve, 7 (25 tetor 1980): AAS 72 (1980), 1082.
[181] Krh. Mt 11, 28.
[182] Gjon Pali II, Letra Appropinquat iam, 1 (15 gusht 1980): AAS 72 (1980), 791.
[183] Praefatio e Meshës së Solemnitetit të Zotit Tonë Jezu Krisht Mbret i gjithësisë.