Emri dhe identiteti juridik i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”
Bashkësia “Tempulli i Zotit” është një Shoqatë private e besimtarëve laikë, që jeton sipas përshpirtërisë së Ripërtëritjes Karizmatike të Kishës Katolike, e themeluar sipas rregullës së kan. 215 të Kodit të së Drejtës Kanonike.
Bashkësia është e përbërë nga vëllezër e motra, si beqarë ashtu edhe të martuar, të cilët angazhohen që ta jetojnë së bashku Ungjillin, për rritjen në jetën e përsosmërisë dhe për ungjillëzim. (krh. Neni 1, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”, §1-3)
Emri “Tempulli i Zotit”, i zgjedhur për këtë Bashkësi, dëshiron të vërë në dukje vendin e veçantë që i përket pranisë së Zotit në të pagëzuarit, që, në dhuratën e Shpirtit Shenjt, i shenjtëron ata si banesën e vet për t’i bërë anëtarët e saj “gurë të gjallë” të kësaj ndërtese shpirtërore, në të cilën Krishti është “guri i këndit” (krh. “Christifideles Laici”, nr.13; 1Pjt 2,4-5; “Riti i Pagëzimit I,4.49”).
Selia kryesore e Bashkësisë “Tempulli i Zotit” ndodhet në Dioqezën e Lezhës, aktualisht në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë, famullia “Zoja Nunciatë”. (krh. Neni 2, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”)
Pak historik…
Bashkësia “Tempulli i Zotit” filloi së pari si një grup lutjeje në stilin e Ripërtëritjes Karizmatike. Padër Prelë Gjurashaj, i cili qe nismëtari i parë, dëshmon për fillimet e para:
«Kur mbërrita në Shqipëri, në 1992, bashkë me misionarët e tjerë, midis aktiviteteve pastorale të rëndomta, mendova ta propozoja edhe këtë përshpirtëri, të cilën Zoti e kishte filluar në Kishë prej besimtarëve laikë dhe ishte përhapur nëpër botë me fryte të qëndrueshme.
Zoti po e vendoste kështu para meje këtë mundësi hiri. Kishte ardhur koha e volitshme për të filluar. Vendosëm një datë: 14 nëntorin e atij viti 1993.
Në takimet e para Zoti na dha një fjalë profetike, të cilën e morëm si motiv të jetës. Ishte përgjigjja e Zotit në lutjen e Salomonit, ditën e kushtimit të Tempullit të Jerusalemit:
“E dëgjova uratën tënde dhe këtë vend e zgjodha për vend timin flie. Tani sytë e mi do të jenë të çelur dhe veshët e mi të prirur ta dëgjojnë uratën e atij që do të lutet në këtë vend. Vërtet e zgjodha dhe e shugurova këtë vend që të banojë në të përgjithmonë Emri im. Sytë e mi dhe zemra ime do të qëndrojnë aty përgjithmonë.” (1Kr 7, 12-16)
Pas Pashkëve të vitit 1994, u zhvillua një seminar i ashtuquajtur “Jeta e re në Shpirtin Shenjt”. Më pas në vitet e ardhshme, kjo Bashkësi organizoi seminare të njëpasnjëshme. Shpesh janë ftuar persona të Ripërtëritjes Karizmatike nga Malta, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Meksika të cilët me eksperiencën dhe karizmat e tyre të ndryshme konsoliduan dhe bënë të rritet kjo Lëvizje në Shqipëri.
Nga Grup lutjeje në Bashkësi jete
Si lindi kjo Bashkësi jete?
Disa të rinj nga Grupi i Lutjes, pas një përvoje relativisht jo të shkurtër, duke shqyrtuar në zemrat e tyre, bashkë me atë Prelën, vullnetin e Zotit, kuptuan se Zoti i nxiste të përqafonin një stil jete më të veçantë. Jo vetëm të bashkoheshin një herë në javë dhe të ktheheshin në shtëpitë e veta, por të qëndronin së bashku duke iu kushtuar krejt Atij, si dhe të viheshin në shërbim të të tjerëve.
Veronika Hila gjatë kësaj kohe dëshmon se Zoti në një vizion ia përforcoi frymëzimin e mësipërm. Ajo në këtë vizion pa Jezusin që kishte në dorë një letër të bardhë. Ai filloi të shkruante disa emra në të.
“Atëherë, – dëshmon ajo, – më erdhi një fjalë e frymëzuar: ‘Dua të krijoj një Bashkësi të kushtuarish’.
Në një vizion të mëvonshëm, – vazhdon të tregojë, – pashë të njëjtën Bashkësi me djem, vajza dhe familje të kushtuara. Zoti më tha: ‘Unë këtë dua. Ky është plani im me ju!’” Dhe fjala e Zotit filloi të bëhet realitet.
Në vitin 1996, me 8 dhjetor, ditën e Zojës së Papërlyer, katër vajza filluan jetën e përbashkët midis gëzimeve dhe vështirësive. Ato më së pari u vendosën në famullinë e shën Gjon Pagëzuesit, në Hot të Malësisë së Madhe, ku famullitar i saj ishte atë Prelë Gjurashaj, e cila (kjo famulli) u bë edhe selia e parë e kësaj Bashkësie. Nga ana juridike kjo Bashkësi mund të konsiderohej si “bashkësi private e besimtarëve laikë”
Ngjarjet vazhduan të rridhnin. Në vitin 1999, kësaj Bashkësie jete iu shtuan edhe djemtë. Duke iu kushtuar më së pari kësaj Bashkësie, bashkë me formimin në këtë Bashkësi, ata ndoqën edhe studimet që nevojiten për shugurimin meshtarak.
Pas dy viteve kësaj Bashkësie iu bashkangjit edhe një familje, Marjan dhe Vera Marku me tre fëmijë, sot ato kane prej Zotit pesë fëmijë. Aktualisht ato jetojnë në Amerikë, por të udhëhequr nga Bashkësia. Zoti i ka bekuar edhe me dy fëmijë të tjerë.
Anëtarët e Bashkësisë “Tempulli i Zotit”
Aktualisht Bashkësia “Tempulli i Zotit” përbëhet prej 29 anëtarëve të brendshëm, ku 21 prej tyre janë vajza dhe 8 djem. Gjithashtu anëtare e brendshme është edhe familja e sipërpërmendur.
Edhe besimtarë të tjerë, të martuar por jo vetëm, bëjnë një ecje shpirtërore po pranë kësaj Bashkësie jete. Këta, të vetëdijshëm se nëpërmjet hirit që kanë marrë në Pagëzim dhe Krezmim janë të thirrur të bëjnë një jetë në përputhje me mësimin e Ungjillit të Jezu Krishtit dhe të marrin pjesë në misionin e Kishës, bëjnë premtimet se do t’i përkushtohen Hyjit në ecjen shpirtërore personale për të arritur një jetë gjithnjë e më të shenjtë. Gjithashtu ata premtojnë se do të angazhohen për të përhapur nëpër botë Mbretërinë e Hyjit, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, sipas mënyrës dhe qëllimeve të paraqitura në Statutin e kësaj Bashkësie. Duke i pranuar këto qëllime ata anëtarësohen në Bashkësinë e besimtarëve laikë të Ripërtëritjes Karizmatike “Tempulli i Zotit”, si anëtarë të jashtëm të saj. Aktualisht numri i këtyrë anëtarëve është 18 persona.
Karizma dhe misioni i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”
Bashkësia “Tempulli i Zotit”, në veprën e vet ungjillëzuese në fushën e gjerë të jetës shekullare, synon të realizojë këto objektiva:
– «t’u kujtojë» besimtarëve laikë thirrjen e tyre në shenjtëri të përbashkët, sipas Fjalës së Hyjit: “Edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj: Të jeni të shenjtë sikurse edhe unë jam i shenjtë” (1 Pjt 1,15); është kjo “thirrja e parë dhe themelore” (CHL 16,17) që Ati ua ka dhuruar atyre në Krishtin përmes hirit pagëzimor;
– t’u ndihmojë besimtarëve laikë, që në të gjitha moshat ta zbulojnë thirrjen dhe misionin e tyre me të cilin janë ftuar dhe përgatitur që të marrin pjesë personalisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në ungjillëzim, përmes mbarështimit profetik, meshtarak dhe mbretëror, për t’i bërë nxënës të Jezusit të gjithë popujt (krh. CHL, 58);
– t’i bëjë të vetëdijshëm besimtarët laikë për nevojën që ta kapërcejnë në vetvete, për frymëzim ungjillor, “ndarjen mes fesë dhe jetës”, mes përmasës “shpirtërore” dhe përmasës “shekullare”, për të realizuar “njësinë e jetës” në angazhimet e tyre të përditshme në familje, në punë dhe në shoqëri (krh. CHL, 58). (Neni 3, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”)
Kjo Bashkësi, me autoritetin e Fjalës hyjnore dhënë nga Jezusi dhe në fuqinë e Shpirtit Shenjt, i kushtohet në mënyrë të veçantë si ungjillëzimit të atyre që nuk e njohin Krishtin, ashtu edhe riungjillëzimit të të krishterëve që nuk kanë “asnjë lidhje të qartë personale me Jezu Krishtin” (“Catechesi Tradendae”, 19) me qëllim që:
– ta ripërtërijë hirin e Pagëzimit dhe të Eukaristisë tek të pagëzuarit;
– të ngjallë në zemrën dhe në jetën e njeriut pendesën dhe kthimin kah Hyji dhe pranimin personal të Jezu Krishtit, Zot dhe Shpëtimtar;
– t’i përgatisë për pranimin e Pagëzimit dhe të Eukaristisë ata që nuk janë të krishterë;
t’i përgatisë shpirtërisht besimtarët përmes shpalljes së Fjalës dhe lutjes, me qëllim që ta përjetojnë “pagëzimin në Shpirtin Shenjt”, t’i forcojë në vendimin dhe në realizimin e jetës të re nën udhëheqjen e të njëjtit Shpirt. (Neni 4, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”)
Bashkësia “Tempulli i Zotit”, në veprën e vet edukuese, angazhohet që të kryejë:
– formimin e plotë të anëtarëve të vet dhe të besimtarëve të tjerë, duke i dhënë përparësi një formimi shpirtëror të orientuar kah pjesëmarrja aktive në liturgji dhe në jetën sakramentale, duke i dhënë rëndësi drejtimit shpirtëror personal;
– formimin doktrinor, përmes një katekeze të rregullt, të orientuar kah thellimi i një feje
të pranuar në Pagëzim si një dinamizëm i natyrshëm që ka për qëllim t’i aftësojë besimtarët laikë deri në atë shkallë që “ta japin arsyen e shpresës që është në ta” (krh. 1 Pjt 3,15) përballë nevoja të botës (krh. CHL, 60);
formimin e çifteve sipas doktrinës familjare të krishterë, me qëllim që t’i aftësojë ato për t’i jetuar detyrat e veta bashkëshortore, prindërore, kishtare dhe shoqërore në përputhje me magjisterin e Kishës. (Neni 5, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”)
Bashkësia angazhohet në mënyrë të veçantë në formimin e Grupeve të Lutjes:
– duke i mësuar anëtarët e vet që ta dëgjojnë Fjalën e Hyjit, e cila është “shpirt dhe jetë” dhe ta praktikojnë “lutjen në Shpirtin Shenjt” për një përjetim personal të Jezu Krishtit;
– duke i shoqëruar ata në rritjen shpirtërore fillestare dhe në edukimin si nxënës të vërtetë të Krishtit, përmes një njohjeje më të thellë dhe sistematike të Personit e mesazhit të Zotit tonë Jezu Krishtit (krh. “Catechesi Tradendae”, 19), si mbështetje formuese për bashkësitë e krishtera;
duke i kthyer ato në mjete të efektshme për krijimin dhe rritjen e bashkësive të krishtera me përshpirtëri të gjallë dhe vepruese, të angazhuara për ta dëshmuar fenë, duke e pranuar dhe duke e vënë në zbatim Fjalën e Hyjit, duke i frekuentuar Sakramentet dhe duke e jetuar dashamirësinë e vërtetë (CHL, 33). (Neni 6, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”)
Po kështu, kjo Bashkësi i kushton një kujdes të veçantë rritjes së çifteve të bashkëshortëve, me qëllim që t’i kthejë ato në qeliza të vërteta të jetës së krishterë:
– duke i pranuar ato për bashkëndarjen e jetës;
– duke i mbështetur në vetëdijesimin e tyre për thirrjen e veçantë që e kanë marrë nga Hyji;
duke i ndihmuar që ta zbulojnë dhe ta përtërijnë hirin dhe pasurinë e sakramentit të martesës, që në transmetimin e fesë, i bën të jenë ungjillëzuesit e parë të fëmijëve të tyre dhe dëshmitarë të denjë të Krishtit në Kishë dhe në shoqëri. (Neni 7, Statuti i Bashkësisë “Tempulli i Zotit”).
Veprimtaritë baritore
Nga viti 1996 e më tej, kjo Bashkësi ka shërbyer në disa vende.
Për 8 vite ajo shërbeu në dioqezën Pult-Bajzë.
Gjatë kohës kur Bashkësia shërbeu në këtë dioqezë, ajo dha ndihmesën baritore duke udhëhequr edhe disa famulli. Në mungesë të meshtarit, kryesonte shërbesën e fjalës së Zotit të shtunave e të dielave dhe jepte mësimin e besimit në dy kishat e Shoshit, Palaj dhe Ndreaj; në Xhan, Mgullë, Sumë, Breg-Lumit, Theth etj. Kjo shërbesë u krye me besnikëri për çdo javë, si në kohë të ftohtë (me shi apo me dëborë) ashtu edhe në vapë të verës, duke udhëtuar dy apo tre orë në këmbë për të arritur nëpër famulli, gjithashtu edhe në kthim.
Përveç shërbesës në pjesën e Dukagjinit, Bashkësia ka shërbyer edhe në Malësinë e Madhe, konkretisht në Hot, Shkrel, Bogë, Ducaj, Dedaj, Razëm etj.
Në vitin 2005 ndryshoi ndarja administrative e dioqezave në Shqipëri. Dioqeza Pult-Bajzë me Administrator Apostolik mons. Prelë Gjurashaj, në të cilën ishte e vendosur Bashkësia, u bashkua me dioqezën e Shkodrës, sot dioqeza Shkodër-Pult.
Me bashkimin e këtyre dioqezave rrethanat në lidhje më këtë Bashkësi, kështu që asaj iu desh të largohej nga ai vend, e si rrjedhojë e humbi edhe selinë e vendodhjes së saj.
Duke mos e humbur gatishmërinë për të shërbyer, prej vitit 2005-2007 Bashkësia shërbeu në Administraturën Apostolike të Jugut, konkretisht në Korçë dhe Pogradec.
Që në kohën kur Dioqeza e Sapës udhëhiqej nga mons. Dodë Gjergji, Bashkësia filloi të shërbejë edhe në këtë Dioqezë. Veprimtaria në këtë Kishë vendore vijoi edhe me Ipeshkvin pasardhës, mons. Lucjan Avgustinin.
Përveç ndihmesës në misionet verore që u organizuan në vendet malore të kësaj Dioqeze, Bashkësisë iu besua shërbesa në mënyrë stabël, në famullinë “Shën Pali” Qelëz, Pukë, në bashkëpunim me famullitarin e saj, don Giovanni Fiocchin.
Për t’u përmendur në veprimtarinë e kësaj Bashkësie në këtë Dioqezë në famullitë e sipërpërmendura janë: katekeza për përgatitjen e marrjes së sakramenteve, animimi i Meshës së Shenjtë, vizita nëpër familje, kontakte personale me besimtarë dhe lutje për ta. Njëkohësisht shoqërohen për një ecje të krishterë edhe grupe rinore ku në takime të rregullta thellohen tematika të jetës së krishterë.
Po kështu në ambientet e famullisë “Shën Nikolli”, në Laç, Vau-Dejës, pranë Katedrales, organizohen takime javore dhe mujore. Në këto takime bashkohen grupe të ndryshme të Ripërtëritjes Karizmatike, në të cilat spikat lutja dhe shpallja e Ungjillit.
Vitin e kaluar, kësaj Bashkësie iu besua kujdesi baritor i famullisë “Zoja Rruzare” në Dajç, Lezhë, duke përfshirë edhe fshatin Kotërr, në bashkëpunim me administratorin e famullisë don Giovanni Cianciosi.
Prej vitit 2010 Bashkësia “Tempulli i Zotit” ushtron aktivitetin e saj në Dioqezën e Lezhës, e cila qe e para që e pranoi zyrtarisht Statutin e kësaj Bashkësie. Më së shumti kjo Bashkësi shërben në famullinë “Zoja Nunciatë”, ku edhe është e vendosur si Bashkësi jete. Si rrjedhojë e njohjes zyrtare të Statutit të Bashkësisë nga mons. Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës, krahas integrimit më të plotë në këtë Kishë, Bashkësisë iu krijua mundësia që djemve të saj, t’u jepen shërbesa të ndryshme dhe gjithashtu edhe Urdhri i shenjtë, pasi kjo Bashkësi, angazhohet për të promovuar në mesin e anëtarëve të saj thirrjet për urdhrat e shenjtë në të gjitha format e tyre dhe formimin e kandidatëve për urdhrat e shenjtë, sipas karakteristikave të përshpirtërisë së Ripërtëritjes Karizmatike.
Bashkësia “Tempulli i Zotit”, gjithashtu, ka qenë prej disa kohësh bashkëpunuese me Lëvizjen për Jetën në Lezhë, pasi përgjegjësja e kësaj Lëvizjeje, Kimete (Maria Katerina) Klenja, ishte anëtare e jashtme e Bashkësisë sonë në nëntor të vitit 2013. Me pranimin dhe futjen e saj si anëtare e brendshme, më 8 shtator 2014, bashkësia pranoi në gjirin e saj edhe veprimtaritë për mbrojtjen e jetës të zhvilluara deri tani nga Lëvizja për Jetën, duke e vlerësuar këtë si një terren shumë të frytshëm ungjillëzimi dhe përkujdesjeje ndaj personave në nevojë.
Veprimtaritë që kryen Bashkësia ‘Tempulli i Zotit’ për mbrojtjen e jetës përfshijnë:
– Lutje në maternitetin e Lezhës për zhdukjen e abortit dhe kthimin e zemrave të atyre që e kryejnë atë.
– Këshillim në Këshillimoren për Jetën brenda në maternitet
* kundër abortit dhe formave të ndryshme kontraceptive;
* për përdorimin e metodave të përkrijimit të përgjegjshëm;
* për mundësitë ekzistuese të kujdestarisë së përkohshme dhe birësimit të fëmijëve.
* Procesione lutjesh, një në tre muaj, kundër kulturës së vdekjes në Katedrale dhe para maternitetit nën drejtimin e Ipeshkvit të Dioqezës, Imzot Ottavio Vitale.
– Ndihmë ekonomike për familjet/gratë e varfra që vendosin të mos e abortojnë fëmijën.
– Strehim i përkohshëm për rastet emergjente të nënave/vajzave që kanë një shtatzëni në krizë.
– Katekeza në famulli dhe shkolla lidhur me ndërtimin e Kulturës së Jetës.
Lëvizja për Jetën në Lezhë ka nisur në tetor të vitit 2011 në mënyrë krejt modeste e me hapa të vegjël, por të sigurtë. Ajo ka pasur që në fillimet e saj bekimin dhe mbështetjen e Ipeshkvit të Dioqezës, Imzot Ottavio Vitale. Një ndihmesë të madhe për ecjen përpara të saj kanë dhënë pothuajse të gjitha bashkësitë rregulltare të Dioqezës, në mënyrë të veçantë atë Flavio Cavallini, atë Antonio Leuci, don Giuseppe Alemanno dhe Bijat e Zemrës së Krishtit në Shëngjin.
Kjo Bashkësi, që prej vitit 2007 e në vazhdim publikon revistën e përmuajshme, me karakter shpirtëror – ungjillëzues “Tempulli i Zotit”, e cila është organ i kësaj Bashkësie. Revista është një mënyrë ungjillëzimi, me synim që të përcjellë tek lexuesi, edhe me anë të shkrimeve, materiale shpirtërore për një formim shpirtëror të besimtarëve në ecjen e tyre të krishterë, si dhe t’i aftësojë ata për një ungjillëzim sa më të efekshëm