Historia e Motrave Stigmatine mund të themi se është një gërshetim, i asaj që kemi edhe në historinë e 38 martirëve tonë. Ky moment jubilar ka qëllimin e kujtesës dhe të mirënjohjes ndaj të gjitha Motrave, të cilat punuan pa u lodhur në shpalljen e Ungjillit, për promovimin e gruas shqiptare, për zhvillimin kulturor të rinisë, për pasionin që patën ndaj Kishës, si edhe për qëndresën e tyre besnike gjatë torturave dhe vuajtjeve që pësuan gjatë regjimit komunist.
Kjo kongregatë u pagëzua në vitin 1850, si Bijat e Varfëra të Sh. Françeskut. Themeluesja Anna Lapini, filloj këtë vepër me edukimin e vajzave të varfra, të Firences.
Që nga fillimi e deri më sot Kongregata jonë është e lidhur ngushtë me Fretërit Françeskan, me të cilët jetohet një harmoni përshpirtërie dhe misioni sipas karizmes që na bashkon. Kështu ndodhi edhe hapja e misionit në vendin tonë, të cilës i kushtohet Kronika me titull: “Fillimet e veprimtarisë së Misionit femëror në Shqipëri”, ku shpjegohet se si, në vitin 1873, Françeskani Atë Giampiero da Bergamo, kërkoj një mision françeskan.
Këtë plan e prezantoj në Sinodin Dioqezan, i cili u miratua prej Ipeshkvit të Pultit, Imzot Alberto Crachi-t, që të dërgoheshin në Itali disa vajza, të cilat do të përgatiteshin për t’u mësuar vajzave shqiptare Doktrinën e Krishterë.
Më 25 prill 1875 tetë vajza shqiptare u nisën nga Shkodra për Firence. Ndër të cilat Luçie Kodheli e para terciare shekullare. Ndërsa e para Motër Stigmatine shqiptare është Lulë Malaj prej fisit të Shalës. Edhe pse larg familjarëve, meritoi nderin që të mbetet në historinë e Kishës si e para bijë shqiptare e Shën Franceskut dhe Anna Lapini-t. U varros pranë Luçie Kodhelit. Në dhë të huaj, në Firencen e famshme të Italisë, e para Terciare dhe e para Motër Stigmatine Shqiptare.
Kur kryen studimet, pesë vajza u kthyen në Shkodër, të cilat filluan menjëherë punën si mësuese. Grumbulluan rreth tyre më shumë se 300 nxënëse. Mësueset e reja e ndien fort nevojën për të pasur pranë mësueset e tyre italiane. Kërkesa u pranua nga Propaganda Fide dhe Eprori Gjeneral i Françeskanëve.
Motër Bonaventura, së bashku me 6 Motra misionare: u nisën për Shqipëri. Sapo mbërriten në Shkodër më 13 qershor 1879, u priten nga Arqipeshkvi Imzot Carlo Pooten-it, dhe me bekimin e tij filluan misionin e tyre.
Zotërinjtë e Shkodrës e pritën me gëzim të madh ardhjen e Motrave italiane dhe, për t’u ndihmuar, mblodhën një shumë prej 12 mijë lirash.
Gjatë viteve 1880-1889 u hapën shkolla të reja, u rrit numri i nxënëseve dhe u përmirësuan metodat mësimore. U përgatit mjedisi shkollor për fillimin e mësimeve më të larta, me 30 vajza nga familjet më të pasura të qytetit, të cilat regjistrohen si vajzat e para shqiptare që u ulën në bankat e shkollës së mesme në Shqipëri.
Të gjithë Ipeshkvinjtë e Shqipërisë kërkonin Motrat Stigmatine në dioqezat e tyre, gjë që çoi në themelimin e shumë Kuvendeve nga veriu deri në jug. Në lidhje me këtë lulëzim Atë Donat Kurti pohon: “Deri në vitin 1929, më shumë se 80 Motra kishin veshur petkun françeskan të Stigmatineve: Kuvendet ishin shtuar dhe Motrat gjithkund jepnin provë rregulli, përshpirtërie dhe veprimi të palodhshëm në shumë drejtime; prandaj Eprorët, sipas relacioneve të Provincialit duke pa përparimin e madh që kishin bërë në vitin 1928 e deklaroi Provincë familjen e Motrave Stigmatine.
Kuvendi i Shkodrës, u themelua më 13 qershor 1879. Kisha qe projektuar nga Atë Gjergj Fishta, e cila iu kushtua Shën Bonaventurës. Në vitin 1921, u hap konvikti, i drejtuar nga Motër Adelaidja e thirrur si: nëna e vajzave jetime, në konvikt ishin vajza të të gjitha besimeve dhe qyteteve: Korça, Elbasani, Tirana, Kruja, Durrësi, Tivari dhe Cetinja e Malit të Zi.
Në vitin 1940 Motrat Stigmatine i gjejmë në shërbim të të sëmurëve, ndër ambulaca në Troshan, Vau Dejës, në spitalin ushtarak, në kirurgji, në maternitet në Shkodër dhe Tiranë. Qysh në fillim eproret i përgatiten me shumë zell Motrat, dhe shumë prej tyre studiuan në Itali në Universitetin e Milanos, Bari, Napoli, Perugia e Firence… Tashmë Provinca Shqiptare kishte 8 shtëpi, shkolla dhe laboratore profesionale: Shkodër, Shirokë, Nënshat, Dajç, Tiranë, Durrës dhe Korçë.
Shënimi i fundit për Stigmatinet shqiptare mban datën 12 mars 1947, kur Papa Piu XII, duke pritur në audiencë private Eproren Gjenerale, u interesua në mënyrë të veçantë për fatin e Motrave shqiptare. Librat e botuar prej Stigmatineve pas kësaj date heshtin. Motrat e përtej detit do t’i nënshtroheshin martirizimit, si të krishterët e kohëve të para.
Ndër Motrat Stigmatine italiane është Motër Feliciana Marconi e para Provinciale, e cila meriton emrin Murgeshë me zemër shqiptare. Kur komunistët e urdhëruan që të largohej nga Shqipëria, para se të ikte, u ul dhe e puthi tokën duke e la prej lotëve të saj atë tokë që po e dëbonte. Atë Danjel Gjeçaj, kur e vizitoi në Firence, ajo i la amanet që t’u thoshte shqiptarëve se i kishte dashtë, se i donte dhe jetonte me shpresën që të kthehej përsëri në atë tokë, për të rifilluar veprën e lënë përgjysmë.
Në fakt vepra do të vazhdojnë me misionaret e tjera por, mbas 45 viteve.
Në 27 prill të vitit 1991 vjen në kërkim të bijave të heshtura Moter Gjovana Pedali; me ardhjen e saj dhe të motrave misionare, fillon një epokë e re, një rimarrje e jetës së nderprerë, një ringjallje e misionit.
Me motrat misionare do të themelohet Delegazioni me Motër. Paola Pasquali, e cila u hapi rrugën thirrjeve të reja, u rihapen disa bashkësi nëpër fshatra jo me vepra por ungjillizim.
Në vitin 1995 do të kemi inaugurimin e Kishës, si dhe kushtet e perjetshme të motrave të vjetra me një tjeter Provincial At Flavio Cavalini.
Njëkohësisht shtohen misionare të tjera, si Mt. Elena që ende vazhdon misioonin e saj në Shqipëri, në Hajmel: kjo moter për ne është: buzëqeshja e Zotit, bukuria shpirtrore dhe thjeshtësia françeskane.
Ndërsa Chiara Pieri, si Delegate do të vazhdojnë vizitat mjeksore nëpër fshatra, por në veçanti do të kujdeset për motrat e vjetra brenda dhe jashtë Shqipërisë me një përkushtim të rradhë. Motër Chiares i përket edhe guximi i hapjes së misionit të ri në Mozambiko Afrikë, me dy motrat Shqiptare: Motër Ana Gjolaj dhe Motër Mira Ferra.
Në vitin 1941 Motër Konsilia Muzhani njihet si Provincialja e parë Shqiptare. E para Profesoreshë e matematikës dhe e shkencave të natyrës që nxirrte Shkodra nga djepi i kulturës së vet.
Kur Stigmatinet u dëbuan nga Kuvendi, Motra mori me vete, në mëngët e gjera të zhgunit, dokumentet më të rëndësishme të provincës, të cilat në vitin 1991 iu dorëzuan Eprorës Gjenerale të Stigmatineve nga i nipi i tyre Angjelini.
Përsëri do të duhet një kohë e gjatë që të rizgjidhet një tjeter Eprore shqipare, motër Marjeta Lushi, e cila i perket grupit të parë të stigmatineve të reja, dhe me pas motër Terezina Demaj, Delegatja aktuale, të cilës i shkon mirënjohja jonë për impenjimin e gjithë këtij viti jubilar, kushtuar të Lumes Marie Tuci.
E natyrisht nuk mund të mos them disa emra që lanë gjurmë të pashlyeshme:
Motrat Asunta e Ugolina: të familjes Gjokë Nikajt, prej të cilës dolën dy murgesha dhe një prift: Dom Ndoc Nikaj, figurë shumë e njohur në historinë e Shqipërisë. Po të ishin ruajtur shkrimet e tyre me siguri do të ishin vlerësuar si shkrimtaret e para të letërsisë shqiptare. Shkrimet që në vend të dritës së shtypit, panë dritën e flakëve.
Motër Veronika Muzhani: U përgatit si mësuese në Shkodër, e pastaj në Austri. Motër “Veronika ishte vërtet shenjtëreshë!”. Kështu thoshte Atë Pjetër Mëshkalla: “Në ardhtë dita, kam për ta paraqitur Veronikën si model që meriton të lumnohet”.
Motër Ester Dajçi i përket breznisë së parë të vajzave intelektuale shkodrane, që me shumë vështirësi u përpoqën ta realizojnë idealin e krishterë në fushën e kulturës. Predikoi fenë, mbajti Kryqin, dhe mbrojti flamurin. Motër Ester fliste disa gjuhë dhe edukoi shume breza. Kur u mbyllën kuvendet, ajo mbeti në rrugë të madhe. Profesoresha e letërsisë dhe e muzikës – e kthyer në shërbëtore, për vullnesë të Zotit. Po t’i kishte ra mohit idealit të vet, komunistët do ta kishin ngritur në katedër të Universitetit. Por ajo pranoj të vazhdonte rrugën që kishte zgjedhur.
Ndërsa jetëshkrimi i Motër Emilies tregon për shumë veprimtari, por veprën kryesore do ta bënte në pleqëri. Kur Atë Donati u lirua prej burgut, ashtu si Etërit e tjerë françeskan, u ndodh mes katër rrugëve. Ai kishte humbur të gjitha. Por Zoti i kishte ruajtur një pasuri të madhe: motrën, Emilien Stigmatine, që t’ia pajtonte dhimbjet e varrëve.
Në shenjë mirënjohjeje ndaj të motrës, shkroi “Historia e Stigmatineve në Shkodër”.
Motër Konçeta Kurti tregon: Kur gjermanet po largoheshin nga Shqipëria, disa hynë në Kishë për t’u lutur, dhe pasi përfunduan lutjen, Ju drejtuan Motrave: Hajdeni me ne si Murgesha në Gjermani, se shqiptarët kanë për t’jua marrë shpirtin! – S’ka gjë, ishte përgjigjur Motër Luçie Pistulli, e cila fliste gjermanisht; – pranojmë, të vdesim për Atdheun tonë, por të jemi në krye të detyrës. Sepse Françeskanët s’e kanë braktisë kurrë popullin e vet.
Motër Xhudita infermiere, që ndryshe ishte dhe Motra e lëngatave të pashërueshme apo Motër Pierina, u radhitën si shumë stigmatine në ushtrinë e engjëjve të bardhë të spitalit.
Si këto motra që iu shërbyen të varfërve kudo, apo të sëmurëve nëpër spitale, po ashtu këtë mision Stigmatinet do ta vazhdojnë edhe në kohën tonë. Kemi motër Leze Preka, e cila deri në ditën e fundit, nuk njofti lodhje, madje as turp, ndërsa mbarte në shpinë apo biçikletë thasë të ngarkuar me rroba, për t’ua plotësuar nevojat e fëmijve me aftësi ndryshe… apo Motër Marjana Ndreca, e cila gjatë kësaj pandemije të Coronavirusit rrezikoj jetën si shumë koleg/e të saj, në shërbim të të sëmurëve kudo…
Ndër Motrat Stigmatine, disa e kanë provuar burgun, si Motër Gjorgjina të cilën nuk e mposhti asnjë fortune, pa e çu deri në fund misionin e saj: u bë motër e fretënve në burgje siç pohon Atë Zef Pllumi, u bë simboli i ekumenizmit sepse kishte prejardhje ortodokse prandaj është lutë gjithmonë për bashkimin e të krishterëve.
Motër Liliana: provoj dënimin, por edhe lulëzimin e demokracisë do të jetë Liliana së bashku me Motër Adelaiden dhe Motër Margaritën, filluan misionin në Nunciaturën Apostolike me Card. Ivandias, në Tiranë.
Ndërsa, Marie Tuci provoj flijimin e jetes. Çfarë krimi mund të kishte kryer Maria në Kuvend të Murgeshave, me uratë e oficë në dorë? Kë vrau urata sa t’ia lidhnin me pranga duart e njoma? Maria kishte vetëm një faj: ishte e bukur; ishte rregulltare; ishte e fisit të Gjomarkajve.
Motrat Stigmatin sot kanë dy kolona:
Veteranja e kuvendit, Mt. Roza Kraja u realizu si murgeshë sepse mbërriti të shohë rrezet e këtyre ditëve, si profesioniste e repartit të Kirurgjisë e jo vetëm. Ajo shpesh na tregon me vargje urate:
“Pranoje, pra lulen / e fundit të jetës sonë!
Me lulet më të freskëta,
Në duart e tua të lulëzojnë!”.
Dua ta mbylli me lutjen e shkrueme prej vet Mt. Marie Kaletës, të cilën e njohim të gjithë:
‘O Zot i jetës dhe i të Mirës, sa të kena dashtë, dëshiru dhe adhuru në fshehtësinë e zemrave tona. Të falënderojmë për këtë aventurë tragjike, sepse kena pasë mundësi që të kishim ndër duart tona, në vend të Meshtarëve të dënum me vdekje.
Të lëvdojmë sepse të kena ruajtë në shtëpi mes teshave tona; kena sfidu policinë për të çu Ty te të sëmurët, te Motrat që po të pritnin; të kena çu në spitale, në errësinën e burgjeve, duke u ndesh me rreziqe të mëdha.
Faleminers, o Zot Jezus!
Qëndro gjithmonë me ne, o Bukë e jetës së pasosur!’”.
BASHKËSITË E MOTRAVE STIGMATINE
- Bashkësia Kuvendit Shkodër
- Bashkësia Hajmel – Dioqeza Sapë
- Bashkësia Pistull – Dioqeza Sapë
- Bashkësia Dajç Bregu Bunës – Dioqeza Shkodër
BASHKËSIA E KUVENDIT – SHKODËR
Gjithmonë është kujdesuar për formimin shpirtëror-karizmatik, njerëzor-kulturorë për të gjitha Motrat e delegacionit.
Mirëpret vazhdimisht grupe të ndryshme për lutje e Meshë, (Legjoni i Marisë, Sant’Egidio, Zemra e Krishtit, grupe artistike të muzikës, teatrale), pelegrinë që vijnë për të vizituar Kishën tonë në të cilën ndodhet varri i Martirës së Lume Maria Tuci.
Jeton karizmën në kujdes ndaj të varfërve, shërbim ndaj të sëmurëve, qëndron në dëgjim të nevojave të njerëzve, hap dyert për mbështetjen e universitareve të ardhura nga periferitë e ndryshme.
Ka themeluar qendrën ditore për personat me aftësi ndryshe në Bashkëpunim me Madonnina del Grappa. Bashkë me ta marrim pjesë në kampet verore ne detë e në mal, në shërbim të këtyre personave shumë të dashur për Hyjin.
BASHKËSIA HAJMEL – SAPË
Kujdeset për formimin njerëzor-fetarë të fëmijëve e grupeve rinore. Gjallërojnë liturgjinë e meshës në famulli, priren drejt nevojave të varfërve, të sëmurëve dhe familjeve në vështërsi të ndryshme relacionale.
Jepen me përkushtim në misionet malore, duke organizuar oratore e kampe verore në bashkpunim me fretërit Kapuçin. Marrin pjesë në vullnetarizmin e organizuar ndaj personave me aftësi ndryshe në aktivitet që ofron Karitasi dioqezan i Sapës.
BASHKËSIA PISTULL – SAPË
Bashkësia e motrave Stigmatine në Pistull, e kanë zanafillën që në vitet para komunizmit, kur Motër Maria Kaleta, mbesa e dom Ndoc Sumës, ishte një ndër kandidatët e kësaj kongregate. Edhe pse ishte në moshë të vogël kur e nxorën nga kuvendi për shkak se u mbyllën kishat, motër Maria i qëndroi besnike urdhërit të Stigmatineve,
Motrat Stigmatine Janë të angazhuara me formimin e krishterë për fëmijët e famullisë. Ju kushtohen me nderim shërbimit të motrave në moshë, motër Adelajde Pashkja e motër Maria Kaleta. Kujdesen për të sëmurët me anë të një ambulatori mjekësor në bashkëpunim me Etërit Dehonian në Boriç -Vrakë. Tregojnë me jetën e tyre dëshminë e gjallë të qëndresë në fe në jetën rregulltare, për të gjitha ata që i vizitojnë, grupe te huaj, gazetarët apo autoritete civile që janë të interesuar.
Misioni i Motrave “Bijat e Varfëra të Varrëve të Shenjta të Shën Françeskut” vazhdon të jetë në shërbim të popullit me një jetë të thjeshtë, të varfër, por me shpirt përvujtërie e në gadishmëri të plotë në bashkëpunim me Kishën.
Objektivi është dhe do të jetë: “Gjithçka të veprohet për lavdinë e Zotit dhe të mirën e njerëzve”.
Motër Dukata Radoja
Stigmatine