KATEDRALJA E SHËN GJERGJIT – NËNSHAT

Emertimi: Katedralja e Shën Gjergjit

Vendodhja: Nënshat- Shkodër

Datimi: Nuk dihet se kur është ndërtuar me saktësi, por sipas burimeve arkivore thuhet se “para se të merrte detyrën si Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, Imzot Gjergj Palma, në vitin 1583, në këtë Kishë kryheshin funksionet religjose”. Sipas kësaj mendojmë se Katedralja e Shën Gjergjit mund të jetë ndërtuar para shekullit XV. Ndërsa restaurimi i saj është bërë në vitin 1857.

Aksesi: Përshkohet nga rruga nëpër fshatrat e Zadrimës, duke filluar nga fshati Dajç që ndodhet në superstradën Tiranë –Shkodër, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Mundësi tjetër është dhe, me nisje nga qyteti Vau-Dejës duke përshkuar rrugën anës malit të Shitës së Hajmelit.

Rëndësia: Ka qenë Kishë Katedrale e Selisë së Ipeshkëvisë së Sapës.

Përshkrimi: E ndërtuar në maje të Krepit të Nënshatit, prej shekujsh Kisha Katedrale e Shën Gjergjit edhe pse pësoi shumë vuajtje e shkatërrime, ajo nuk u mposht kurrë. Qëndron kryelartë me vlerat historike dhe triumfin e saj për fenë dhe besimin katolik që është ushtruar në këtë vend gjatë brezave. Përveç kësaj, Kishës i shtohet edhe bukuria natyrore, ku vetë Zoti deshi që ajo të ndërtohej aty, duke soditur kështu jo vetëm Nënshatin, por gjithë fushën e Zadrimës, e madje edhe përtej me pamjet e mrekullueshme të kësaj zone. Me iniciativën e Ipeshkëvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, Kisha e Shën Gjergjit u restaurua plotësisht dhe u Bekua në ditën e Shën Gjergjit me 23 prill 2007. Gjatë restaurimit dolën në dritë edhe varret e ipeshkëvijve të dikurshëm si Imzot Severini e Imzot Koleci, ndër të cilët mendohet se janë edhe eshtrat e Imzot Frang Bardhit.

Violeta Marashi