Në selinë e sotme të Ipeshkvisë së Sapës, në Vau Dejës ndodhet Kisha e Shën Kollit. Ajo është e rindërtuar në pjesën më të madhe të saj nga fillimi duke respektuar themelet e vjetra të kishës së mëparshme. Kisha ka formë drejtkëndore, pa apsidë me përmasa 12 x 6.30 m.
Aktualisht, kisha që na prezantohet është një ndërtim i ri, duke filluar që nga muret, porta dhe pjesë të tjera të saj. Por nga vëzhgimet e kryera nga arkeologët në këtë monument u vërejt se para saj kishim të bënim me një fazë më të hershme, gjurmët e së cilës u konstatuan në disa pjesë të kishës. Kështu në pjesën lindore të kishës ku mungon apsida, gjurmët e së cilës janë zhdukur me rrënimin e saj mbase në fund të shekullit të kaluar. Gjithësesi ne vërejmë që lartësia e murit lindor ka qenë më e ulët se kjo e kishës së ndërtuar aktualisht. Kisha e mëparshme ka qenë e lartë rreth 4 m, nga afro 6 m që është sot. Në fasadën e murit lindor ruhen mjaft mirë gjurmët e murit më të vjetër dhe dallohet qartë vendi ku ka qenë vendosur çatia e saj.
Ndryshime të tjera kanë ndodhur në faqen veriore të kishës. Kështu janë mbyllur disa dritare të saj, të cilat kanë qenë punuar me harqe prej tulle të kuqe dhe guri. Në vend të tyre sot janë hapur dy dritare me përmasa më të vogla. Po ashtu, në këtë linjë të murit verior të kishës, kemi dalluar qartë dy teknikat e ndërtimit të cilat veçohen në fasadë nga teknika dhe lartësisë së ruajtjes së tyre. Me interes është ndërtimi i qosheve të mureve të kishës me gurë të punuar kuadratikë. Njëkohësisht edhe linja e murit jugor i është nënshtruar disa ndryshimeve që vërehen në ndërtimet më të hershme të saj. Kështu është mbyllur porta e hyrjes në këtë anë si dhe një dritare. Këto ndryshime domosdoshmërit janë reflektuar dhe në ambjentin e brendshëm të kishës. Tashmë janë të qarta gjurmët më të hershme të cilat janë mbyllur me mure edhe në ambjentet e tjera të kishës.
Për sa i takon kohës së ndërtimit të kishës mendojmë se ajo është ngritur në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII apo gjysmën e parë të shekullit XIX. Një e dhënë e tërthortë mbase na ndihmon për këtë datim të përafërt. Bëhet fjalë për ndërtimet e kryera nën përkudesjen e Dom Lazer Mjedës, në vitet 1900-1904, të përmendura nga Gasper Gurakuqi. Ndërmjet këtyre ndërtimeve kishtare ishte dhe Qela e Laçit të Vau-Dejës, çka na dëshmon këtu me siguri praninë e kishës më të vjetër.