Emertimi: Kisha e Shën Shtjefnit
Vendodhja: Blinisht -Lezhë
Datimi: Kisha ka qenë e ndërtuar sikurse e mendojnë zadrimorët që në shekullin e XIII (viti 1300), nga zotni Nikollë Dukagjini.
Aksesi: Përshkohet nga rruga nacionale Lezhë-Shkodër dhe ndodhet përballë fshatit Blinisht, rreth 500 m larg superstradës Tiranë-Shkodër.
Rëndësia: Në atë kohë Kisha e Shën Shtjefnit si ndërtesë nuk ka qenë shumë e madhe, por si famulli në të cilën shtrihej kjo kishë, famullia e Blinishtit ka qenë famullia më e madhe e më e begatshme që gjendej jo vetëm në Zadrimë, por në të gjithë Shqipërinë.
Përshkrimi: Kisha e Shën Shtjefnit protomartir ka qenë e ndërtuar ndërmjet Blinishtit dhe Gjadrit. Si kishë ka qenë e vogël dhe nuk zënte më tepër se 100 vetë. Ishte e gjatë 9 metra dhe e gjerë 5.65 m, ndërsa muret ishin të larta nga toka 3.25 metra. Si mure të Kishës kanë qenë mure të moçme të përbëra me gur të zi, gur të bardhë e shtuf. Gungën e ka pasë kah jug-lindja, derën kah veri-perëndimi, një dritare – vranji kah perëndimi, e po të njëjtë me këtë ka edhe mbi derë, në të cilën naltohet një kumbonare e vogël, që daton që në vitin 1832.
Ka pasur hajate përreth, pullaz të lartë e të mbuluar me tjegulla, me stolisje të bukura për të meshuar në 3 altarë që i kanë ble vetë blinishtasit. Po kështu ka pasë edhe një kryq të bukur e të madh prej argjendi të praruem, një kelq argjendi dhe pastaj dy të vegjël prej kallaji. Në fund të Kishës kanë qenë dy kupa të mëdha e të trasha për ujë të bekuar, të gdhendura mirë në gur të bardhë dhe të vendosura mbi shtylla të veta cilindrike, po me gur të bardhë.
Në ditët e sotme Kisha e Shën Shtjefnit ka lënë gjurmë historike dhe mund të themi se është një monument kulture-fetare. Pranë kësaj Kishe ndodhen edhe varrezat e fshatit.
P.s. Për përgatitjen e këtij materiali u shfrytëzuan “Relacionet” e Imzot Frang Bardhit, ish ipeshkëv i Sapës në vitet 1635.
Violeta Marashi
Sipas të dhënave historike të përmendura në relacionin e P. Gaspari-t (1671), që flasin për kishat e lashta në Shqipërinë Veriore, Shën Shtjefnit i qenë kushtuar 4 kisha: një në Shkodër, një në Zadrimë, një në Lezhë e një në Pult. Por me sa duket kishte edhe ndonjë tjetër…
E kemi fjalën për Kishën e Shën Shtjefnit në Blinisht.
Historia nuk na thotë asgjë rreth kësaj kishëze, të cilën e përmend i pari imzot Bizzi. Më pas përshkrimin e saj e gjejmë dhe te atë Gaspari, i cili shkruan: “… e ndërtuar me mure, e bërë me qemer, në gjendje të keqe, rrezikon t’i rrënohet shumë shpejt tavani dhe një pjesë e murit. Përmasat e saj janë 9 m. me 5,65; drejtimi i absidës, kthyer nga jug-lindja; nga pikturat kanë mbetur vetëm gjurmë; pullazi është me qemer, për gjatë mureve anësore janë katër zgavrra”. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se është ndërtuar njëherësh me kishat e tjera të këtij lloji në Shqipërinë e Veriut, si ajo e Shën Kollit në Kakarriq, e Shna Prendes në Balldrê dhe e Shën Gjinit në Mjedë.
Kjo kishë, sot krejt e braktisur, në shekullin XVIII ishte ende kishë famullitare e Blinishtit dhe e Gjadrit. Rreth Kishës ishte edhe varreza e vogël, ku u varros një martir feje, që i ngjet shumë Shën Shtjefnit. Është Zef Çeka i Gjadrit, i mbytur nga turqit pse nuk pranoi të ndërrojë fenë e krishterë, duke kaluar në islamizëm. Ç’përkim i bukur me Martirin e parë të krishterimit, që e mbytën me gurë, pse s’deshi ta mohojë Krishtin! E me sa e sa të tjerë, bashkëkohas tanë, që ecin në gjurmët e Shtjefnit në të katër anët e botës, më se dymijë vjet pas dëshmisë së tij, e para në historinë e Kishës Katolike në fasha.
Për më shumë, shiko relacionet e Bizzit e të Gasparit.