KISHA LINDJA E ZOJËS – DEJË/SHKODËR

Emertimi:  Kisha Lindja e Zojës

Vendodhja: Dejë – Shkodër

Datimi: 1300

Aksesi: Përshkohet nga rruga nacionale Shkodër – Pukë.

Rëndësia: Kisha Lindja e Zojës e ndërtuar në stilin romano-gotik ka qenë qendër e Ipeshkvisë së Dejës.

Përshkrimi: Kisha Lindja e Zojës, ndoshta më e vjetra Kishë në Shqipëri që i ka qëndruar furisë barbare dhe dërrmimit të kohërave dhe rrymave të ndryshme, ka qenë e shtrirë përfundi Kalasë së Dejës, e ndërtuar në luginën e malit të Dejës, një të gjuajtur shigjete larg prej Drinit. (Deja ka qenë qytet dhe u rrënua në kohën e princit Skëndërbeg). Kjo kishë ka qenë kisha nënë-famullitare ku përfshinte 6 fshatra: Spatharin, Sheldinë, Laçin, Lisnen, Zadejën e Mjeden. Të gjithë këto fshatra kanë pasë 100 shtëpi me 700 frymë besimtarësh. Duke iu referuar relacioneve të Frang Bardhit, ai shkruan se në vitin 1638, për të gjithë këto katunde ka shërbyer vetëm një meshtar me emrin Dom Luka,  i cili nuk ka pasë qelë. E për këtë arsye, Ipeshkëvi i asaj kohe e ka detyruar të ndërtojë një të tillë, sepse merrej gjithnjë me meremetimin e shtëpisë vëllazërore, në të cilën banonte një mil e gjysëm (sot 2.5 km) larg prej famullisë së vet. Kisha Lindja e Zojës ka qenë e vogël por me ndërtim shumë të bukur. E ndërtuar e gjitha me gurë katror të latuar, me dysheme e me tavan  dërrasash dhe e mbuluar me tjegulla; mendohet se në atë mënyrë si soditet sot, ka qene ndërtue prej Helenes frënge, gruas së mbretit Stefan të Serbisë. Në Zadrimë nuk ka pasë Kishë më të bukur se kjo. Kisha në fjalë është ndërtuar në vitin 1300, e stilit romanik-gotik, dhe ka pasë të njëjtën trajtë me kishën e Shën Shtjefnit në Blinisht. Përbri kishës Lindja e Zojës Imzot Nikoll Sheldija, ndërtoi dhe një kishë tjetër po me të njëjtin emër, punimet e së cilës i filloi që në vitin 1926 dhe e mbaroi së ndërtuari së bashku me kompanjel në vitin 1931.

Kisha Lindja e Zojës edhe pse pësoi shkatërrimin e madh nga periudha anti-komuniste, falë Zotit, bamirësve dhe iniciativës së ish-Ipeshkëvit të Sapës në atë kohë, Imzot Dodë Gjergji, u rindërtua sërish në vitin 2002 po me të njëjtin projekt siç ishte, duke ndjekur kështu gjurmët historike të trashëguar në shekuj.

 

P.s. Për përgatitjen e këtij materiali u shfrytëzuan “Relacionet” e ish ipeshkvit të  Sapës në vitet 1635.

 

Violeta Marashi