MISIONI I MOTRAVE “NËNË TEREZA” – PUKË

Po trokiste viti 1992 dhe lëvizjet e para demokratike sapo kishin filluar. Figura e Nënë Terezes ishte e njohur në të gjithë botën, por në Shqipëri edhe pse ishte bijë shqiptare, kjo nënë e dashur nuk njihej, sepse sistemi i asaj kohe ia kishte mohuar të gjitha të drejtat që ajo të vinte në vendlindjen e saj. E kishte ëndërr që të kthehej një ditë në tokën shqiptare dhe pas shumë vitesh kjo ëndërr u bë realitet.

Mbas dëshirës së realizuar të Shën Terezes së Kalkutës, të hyrjes në Shqipëri, ndër shumë vizita që bëri në atë kohë, ishte dhe ardhja e saj në Pukë. Dhe menjëherë shprehi dëshirën që të hapte një shtëpi të motrave të saj në këtë qytet. Ishte fillimi i vitit 1992, dhe Qeveria Shqiptare e asaj kohe i ofron “Shtëpinë e Pritjes” përkohësisht derisa të gjendej një ambjent tjetër i përshtatshëm për misionin pëkatës.

Me 25 qershor të vitit 1992, Motrat së bashku me don Pasqualin (meshtar spanjoll), vizituan Pukën dhe bashkë me të ishte edhe Nikoll Paluca, i cili u bë ndihmës dhe mirënjohës i Motrave. Në këtë ditë Nikoll Paluca ofron shtëpinë e vet për të kremtuar Meshën e Shenjtë për herë të parë. Dhe kjo ishte një kërkesë dhe dëshira e madhe nga ana e motrave.

Me 29 qershor të vitit 1992 Nunci Apostolik Ivan Diaz me sekretarin e tij, me motrat e Nënë Terezes dhe disa të tjerë, duke u kthyer nga Qelza ku kremtoi Meshën e Pajtorëve të Famullisë së Qelzës, që ishte festa e Shën Palit dhe e Shën Pjetrit, kur arriten në Pukë kremtuan edhe Meshën e dytë. Mesha u kremtua në ambjentin e hapur sipër rrugës tek rezervuari i qytetit. Për këtë meshë si altar shërbente bazamenti i shtyllës elektrike, ndërsa Nunci Apostolik me të pranishmit lutej në mënyrë të veçantë për popullin e Pukës.

Me 16 korrik të vitit 1992, ditën e festës së Zojës Karmë u hap shtëpia e Motrave Misionare të Bamirësisë në Pukë. Në këtë rast Nunci Apostolik Ivan Diaz kremtoi Meshën e Shenjtë në Shtëpinë e Pritjes që u ishte dhënë motrave në përdorim përkohësisht. Shkëlqesia e tij e bekoi shtëpinë dhe ambjentin e Motrave. Motrat menjëherë filluan misionin e tyre duke shërbyer.

Me datën 15-16 gusht 1992 erdhi Nënë Tereza në Pukë për të parë mundësinë e paisjes me  një shtëpi të përhershme për motrat. Në këtë ditë Nënë Tereza kërkoi një takim me Kryetarin e Bashkisë, deputetët dhe autoritete të tjerë. Nënë Tereza kërkoi mundësinë e paisjes me një shtëpi për motrat, sepse Shtëpia e Pritjes ishte e përkohshme. Ajo kërkoi mundësinë e marrjes së shtëpisë që ishte afër shtëpisë së pritjes dhe ishte zonë ushtarake (përpara kishte qenë spital ushtarak). Kjo shtëpi tani ishte jashtë përdorimit. Qeveria i dha Nënë Terezes këtë shtëpi në pronësi, dhe po atë ditë u kremtua Mesha e Shenjtë së bashku me popullin e Pukës. Shkëlqesia e tij Nunci Apotolik me disa meshtarë të tjerë kremtuan meshën e shenjtë. Ishte një shumicë e madhe populli nga Puka.

Me datën 13 shkurt 1993 motrat hyrën në shtëpinë që iu dhurua Nënë Terezes dhe u vendosën përfundimisht në qytetin e Pukës. Dhe kështu nisën misionin në zonën e Pukës, duke përfshirë këtu edhe shumë fshatra. Motrat të përforcuara me hiret e Zotit, vazhdojnë që nga ajo ditë dhe deri më sot, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, në shërbimin e të varfërve ndër më të varfërit duke qenë të pranishme në kërkesat dhe nevojat e tyre.

Motrat që nga fillimi vazhdojnë misionet verore, shkojnë nëpër fshatra ku mungon shërbimi gjatë vitit dhe secilit fshat i kushtojnë një deri në dy javë vizita familjeve dhe përgatitjes për sakramentet dhe aktivitete të tjera. Zakonisht gjatë verës mbulohen rreth 10-12 fshatra. Familjarët na mirëpresin me shumë dashuri – shprehen motrat. Një mirënjohje kanë edhe për Dioqezën e Sapës, e cila na vjen në ndihmë me dërgimin e meshtarëve, seminaristëve dhe misionarëve të tjerë që vijnë edhe nga vende të ndryshme të botës. Mirënjohës për të gjithë ipeshkvinjtë e kësaj dioqeze, që nga Mons. Angelo Massafra, Mons. Dodë Gjergji, Mons. Lucjan Avgustini dhe ipeshkvi aktual, Mons. Simon Kulli, që si barinjë të kësaj grigje kanë qenë mbështetje për kongregatën e Motrave të Nënë Terezes gjatë gjithë misionit të tyre në këto vite. Sigurisht jemi mirënjohës – theksojnë motrat edhe ndaj dom Giovani Fiochit, famullitarit të Pukës, me të cilin bashkëpunojnë prej 22 vitesh.

Motrat vazhdojnë me katekizëm gjatë gjithë vitit, vizita familjare, japin kungimin e shenjtë për të sëmurët. Përveç kësaj, motrat e Nënë Terezes, vitet e fundit kanë hapur një qendër të vogël që quhet “Mensa për Fëmijë” në qendër të fshatit Luf, në të cilën ushqehen për drekë rreth 25 fëmijë, çdo ditë pasi të kenë mbaruar shkollën. Po në këtë qendër, pas drekës iu ofrojnë ndihmë për të bërë edhe detyrat e shtëpisë etj.

Sot motrat e Shenjtes shqiptare Nënë Tereza, vazhdojnë misionin e tyre në gjurmët e saj duke ndjekur shembullin e kësaj nëne të dashur sipas karizmës të cilën vetë ajo e themeloi.

 

Violeta Marashi