MISIONI I MOTRAVE DOROTE NË SHQIPËRI
Papa Gjon Pali II fton Rregulltarët dhe Rregulltaret për të shkuar në Shqipëri…
“In punta di piedi”
Me 24 shtator 1993, Motrat Dorote të Shën Paola Frassinettit mbërrijnë në Shqipëri, duke iu përgjigjur ftesës urgjente të Papa Gjon Pali II për t’u nisur për të shpallur Ungjillin në tokën Shqiptare. Populli shqiptar më në fund del nga diktatura e tmerrshme e pa Zot, e cila zgjati 50 vjet.
Motër Santina Oresti, Motër Ester Gobbo, Motër Mariela Nascimbeni janë motrat e para misionare që filluan misionin e tyre në trojet shqiptare. Si fillim dhanë shërbimin e tyre në Seminarin Papnor në Shkodër si mësuese të gjuhës greke, latine, dhe Shkrimin Shenjtë. Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Frano Illia ju beson këtyre motrave qytezën e Vau-Dejësit. Menjëherë motrat fillojnë punën baritore në këtë qytet. Jetojnë në një shtëpi të vogël të marrun me qera, dhe vendosen kështu në shërbim të popullit. Fillimet janë të vështira por Zoti ka një popull të ri, të fort dhe me një dëshirë të gjallë për të rizbuluar fenë e të parëve. Një grup i të rinjëve vendas njihen me motrat dhe formojnë një grup për të shërbyer jo vetëm në qytet por edhe në fshatrat të tjerë përreth.
Motër Santina pas një aksidenti kthehet në Itali. Pas disa kohësh edhe motër Ester kthehet në Itali. Në vitin 1994, mbërrin në Shqipëri motër Mariza Gobbo, një grua misionare që për shumë vite me radhë nuk e kurseu jetën e saj duke shërbyer me shpirt për këtë popull. Misioni i kësaj motre shtrihet jo vetëm në aspektin pastoral e shpirtëror, por edhe në aspektin social, shoqëror e kulturor. Fëmijët dhe të rinjtë ishin në qendër të punës së saj baritore, e nëpërmjet iniciativave të ndryshme vë në lëvizje çdo kategori të njerëzve. Ndihmon shumë të rinjë të cilët shprehin dëshirat dhe dhuratat për të aktruar si amator duke luajtur pjesë teatrale. E kështu iu ofron atyre rritjen dhe formimin personal dhe si të krishterë. Një vëmendje të veçantë, komuniteti i motrave Dorote i kushton misionit edhe në zonat malore ku merr pjesë në çdo mision veror që nga viti 2000 e deri në ditët e sotme.
Në tokën e shqiponjave në vitin 1999 mbërrijnë edhe dy motra të tjera: Motër Teresa del Monaco e Motër Tina Cocciola. Motër Tereza fillon shkollën e rrobaqepësisë për të rejat e famullisë Vau-Dejës dhe zonës përreth saj. Në kurse marrin pjesë shumë vajza dhe gra të cilat, falë këtij kursi morën profesionin e rrobaqepëses. Nisur dhe nga interesimi i tyre i madh, kurset janë organizuar çdo vit me një pjesëmarrje të gjerë. Këto kursante merrnin pjesë edhe në formimin e krishterë, nëpërmjet takimeve të tërheqjeve shpirtërore dhe ditët e formimit itelektual.
Motër Tina merr pjesë në fushën baritore e me disa të rinjë kujdesohet për katekizëm edhe në fshatrat Gomsiqe e Karmë, ndërsa më vonë përfshihet edhe në disa fshatra të tjerë. Pas kthimit të motër Terezes në Itali, në komunitet vjen motër Angela Piccinini. Me ndihmën e shoqatës “Gianluca Felici” në lagjen Kapedani në Vau – Dejës, hapet një qendër edukimi të ashtuquajtur kopsht për fëmijët. Pranohen fëmijët e parë e ngadalë-ngadalë bëhet një qendër e rëndësishme për zonën, kryesisht për banorët e rinjë të këtij qyteti të ardhur nga zonat malore.
Zoti që në fillim e bekon punën e motrave. Nëpërmjet hirit të Tij, disa vajza të reja shfaqin dëshirën për të bashkëndarë ecjen në jetën rregulltare. Hapet komuniteti i ri në Shkodër me pesë kandidate: Marta Lekaj, Marjana Demaj, Drande Marku, Flora Gjoka, Denada Ndoka, dhe i bashkohen familjes së madhe Dorote. Pas pak kohe vjen edhe një e re nga fshati Shelqet, Ganxhe Lacinaj. Të gjitha fillojnë ecjen e formimit intelektual dhe të krishterë bashkë me kandidatët e tjera të pranishme në Shqipëri. Formimi i tyre rregulltar vazhdon për disa vite dhe pas dy viteve të noviciatit të kryer në Itali kthehen në Shqipëri e fillojnë shërbimin e tyre baritor në dy bashkësitë e këtij komuniteti, në Vau-Dejës e Shkodër.
Në vitin 2006 pas një sëmundje të rëndë vdes motër Mariza Gobbo. Për motrat dhe për popullin e Vau-Dejësit ishte një moment dhimbjeje por edhe një rast për ta lavdëruar Zotin për jetën e saj që ia kushtoj krejtësisht Krishtit për të mirën e këtij populli.
Pas një viti motrat Dorote përjetojnë përsëri një rast dhimbjeje kur në korrik të vitit 2007, motër Agnese Feletto, e cila çdo vit, në periudhën e verës vinte për të ndihmuar motrat e bashkësisë së saj në misionin e tyre, u sëmur brenda ditës dhe vdiq në spitalin e Shkodrës. Zoti na ka bërë që të marrim pjesë në kryqin e tij në mënyrë të gjallë reale e të thellë. Tokën shqiptare këto dy motra e kanë dashur deri në fund të jetës së tyre. Në shtatorin e vitit 2006 vjen motër Domenica Colluccia dhe jep shërbimin e saj të çmueshëm në komunitetin e Vau-Dejësit, në qendrën edukative “Gianluca Felici” dhe në Kishën Katedrale “Shën Tereza e Kalkutës”, deri në shtator të vitit 2011, vit në të cilin motër Domenica kthehet në Itali. Motër Ester Gobbo që ka qenë ndër të parat motra Dorote në Shqipëri rikthehet në Shqipëri dhe vazhdon misionin e saj të veçantë dhe të bukur edhe për shtatë vite në Shkodër duke shërbyer edhe në misionin veror në zonat malore. Tani për arsye të moshës është kthyer përfundimisht në vendlindjen e saj në Itali. Po kështu edhe motër Tina, pas 16 vitesh mision në Shqipëri, në gusht të 2016 kthehet në Itali.
Pas gjithë këtij rrugëtimi të misionareve italiane që hapën bashkësinë e tyre në Shqipëri, tashmë kjo bashkësi përbëhet vetëm nga motrat shqiptare të kushtuara Zotit, të cilat vazhdojnë në gjurmët e themelueses së tyre, Shën Paola Frassinetit, ti shërbejnë Zotit dhe japin jetën e tyre për lavdinë e Tij në edukimin dhe ungjillëzimin e besimtarëve në këto vende: Vau-Dejës, Dejë, Shelqet dhe Shkodër. Në zonën malore në Gjegjan, Gojan i Madh, Gojan i Vogël, Kalivar, Mesul, Dom, Rras, Kuzhnen.