MOTRAT “PUNËTORE TË VOGLA TË ZEMRAVE TË SHENJTA” – PIRAJ

Kongregata “Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta” ka lindur me 21 Nëntor 1894Acri, provincë e Kosences në Kalabri – Itali, kur Mons. Françesko Maria Greco, meshtar dioqezan  i frymëzuar nga Shpirti Shenjtë vinte re nevojshmërinë e madhe që kishte vendi i tij ku ai kishte lindur dhe shërbente si famullitar. Përpara se të mendonte të themelonte, ai,  ju kërkoj ndihmë disa kongregatave që ta ndihmonin në famulli por nga askush nuk mori një përgjigjje pozitive. Don Françesku kalonte shumë orë në lutje përpara të Shenjtërueshmit Sakrament dhe aty besonte nevojshmëritë që kishte vendi i tij dhe në lutje  lihej të këshillohej nga Mësuesi. Pikërisht nga lutja buron forca e hirit për një kongregatë e cila për don Françeskon kishte një rëndësi të madhe. Motrat në famulli do ishin ato nëna dhe motra shpirtërore ku do ungjillzonin dhe promovonin qënien njerzore duke u nisur nga mosha e vogël, adoloshentët, të rinjtë, të moshuarit, të sëmurët dhe më nevojtarët.

Don Françesko kishte motren e tij Maria Teresa Greco, e cila me shumë zell dhe besnikëri i shërbente Zotit dhe e ndihmonte vëllain e saj në famulli, por  papritmas një sëmundje e rëndë ia merr jetën dhe motra vdes. Në famullinë e Monsinjor Françeskut ishte një vajzë  që quhej Rafaella De Vincenti që bënte ecje prej kohësh me Monsinjor Françeskun dhe dëshironte që t’i kushtohej Zotit. Falë përgjigjjes së thirrjes të kësaj te reje lindi kongregata e Motrave “Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta” me 21 nëntor 1894, ditë kur ajo mori veshjen rregulltare.

Don Françesku ishte i hapur ndaj hirit të Zotit  dhe për këtë, qëllimi i misionit të tij nuk ishte i mbyllur vetëm kundrejt popullit kalabrez, por së shpejti ai dërgoi motrat edhe mes popullit Arbëresh, që ishin shqiptarët e emigruar që me vdekjen e Skëndërbeut. Në vitin 1939 motrat erdhën me mision edhe në Shqipëri, në qytetin e Vlorës, në Dhërmi dhe në Vuno, të cilat për disa vite me radhë përveç shërbimeve në famulli, shërbyen në infermieri në Spitalin e Vlorës e në veçanti në repartin ku u kujdesen për ushtarët e plagosur nga lufta e asaj kohe. Pasi u vendos regjimi komunist, në vitin 1946, motrat i shpërngulin nga Shqipëria dhe u detyruan të ktheheshin në vendin e tyre në Itali.

Pas rënies së regjimit komunist Motrat u rikthyen përsëri në Shqipëri në vitin 1994, duke vazhduar misionin e kësaj kongregate të ndërprerë 48 vjet më parë. Ato u  rikthyen me 16 tetor 1994, tashmë në një zonë të re, në veri të Shqipërisë. U rikthyen me ftesen që Arqipeshkvi i Shkodrës në atë kohë, Imzot Frano Illia u kishte bërë të gjitha Kongregatave që  kishin shërbyer para regjimit komunist në Shqipëri. Motrat u rikthyen në Shqipëri me praninë e dy Motrave, Motër Agelica Mariniello e Motër Anna Maria Moccaldi. Në tetë muajt e parë qene te mikpritura nga Don Atonio Scarra në Blinisht, pastaj u vendosen në Piraj. Me shumë zell rifilluan misionin e tyre tashmë në një zonë të re të Shqipërisë, në fshatrat Piraj dhe Kodhel të Lezhës, dhe më pas edhe në Shkodër, në Lohe e Reç të Malësisë së Madhe, ku shërbejmë me vepra të ndryshme: katekezë, oratorë, takime rinore, shtëpi formimi, animim i celebrimit Eukaristik, shërbimi Eukaristik tek të sëmurët, kampe verore, Qendër Fizioterapie, shtëpi mikpritëse për vajzat universitare.

Përveç ungjillizimit, misioni i motrave shtrihet edhe në shërbimin shëndetësor, nëpërmjet Qendrës së Fizioterapisë. Fizioterapia filloi me një kurs profesional që nga viti 1994, dhe në 2003, u ndërtua komplet qendra e re me kushte bashkëkohore, me standarte dhe mjete të reja. Kjo qendër ofron shërbimin për shumë pacientë nga shumë vende të Shqipërisë.

Gjithashtu edhe në fshatin, Kodhel ka funksionuar për vite me radhë qendra mikpritëse “Zoja Rruzare” për fëmijët, kurse tani, që nga viti 2008 është shndërruar në Orator për fëmijët dhe për të rinjtë. Në Shkodër motrat kanë edhe shtëpinë e Formimit për thirrjet brenda kësaj kongregate, ku deri më sot janë nëntë motra me kushte të përjetshme, një motër me kushtet e para, dy motra novizie dhe një postulante. Motrat Shqiptare të kësaj kongregate janë: m. Flora Palushaj, m. Luçe Shtjefni, m. Etleva Palushaj, m. Rita Sallaku, m. Rudina Veshtaj, m. Rudina Zhurina, m. Gjystina Parubi, m. Marinela Mihaj, m. Marjeta Gjoka, m. Liza Koceku, si dhe m. Mandalena, M. Rita dhe Fjoralba (postulante).

Ngjitur me shtëpinë e formimit, motrat kanë dhe shtëpinë mikpritëse për vajzat universitare, kryesisht të zonave malore që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar të gjitha shpenzimet e shkollimit.

Përveç në Shqipëri, motrat “Punëtoret e vogla të Zemrave të Shenjta” janë të pranishme edhe në Amerikë, Argjentinë dhe Indi, ku edhe atje duke ju përshtatur vendit dhe realitetit shërbejnë me vepra të ndryshme.

Karizma e motrave është: Që të sodisim, të imitojmë dhe të dëshmojmë Zemrat e Shenjta.

Përshpirtëria e motrave është: Në qendër të përshpirtërisë tonë janë Jezusi dhe Maria.

Qëllimi i misionit të motrave është: Ungjillëzim dhe promovim njerëzorë ndaj të gjitha moshave, në veçanti ndaj më nevojtarëve.

Themeluesi fton motrat: Të angazhohemi që të kemi të njëjtat ndjenja që ishin në Zemrën e Jezusit, Dashuri, butësi, mirësi, mëshirë, zemërgjërsi etj.

Në shumë ditare që ai ka shkruajtur,  janë disa fraza që e karakterizojnë misionin e motrave:

  • Keni lindur nga Eukaristia, jetoni me Eukaristinë, punoni me Eukaristinë. Sikur cituam më sipër, i Lumi Françesco Maria Greko qëndronte shumë orë përpara të Shenjtërueshmit Sakrament duke u lutur shumë që çdo gjë të bëhej sipas vullnetit të Zotit.
  • Veprat e para që kishte për zemër themeluesi ishin katekeza, oratoret festive dhe spitali Caritas, don Françesko thonte “duke edukuar në fe edukojmë në jetë” .
  • Motrave ju thoshte: shtëpija juaj e dytë mos të jetë çela e juaj përsonale por famullia, sepse atje ka shumë njerëz, të cilët kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë problemet e tyre dhe ti kuptojë ato, e mbi të gjitha të lutet për të.
  • Të përshtateni sipas realitetit, kohërave dhe vendit ku ju shkoni për të jetuar dhe për të dëshmuar duke shërbyer me përvujtëri, e gjithë kjo që të bashkëpunojmë për Mbretërinë e Zotit edhe në tokë.    

 

Motër  Flora Palushaj

Punëtore e Vogël e Zemrave të Shenjta